JAVA E 27-të/ Rënia, Tirana nën “presionin” e tavolinës

JAVA E 27-të/ Rënia, Tirana nën “presionin” e tavolinës
Kukësi rikthen Ernest Gjokën për trofeun e kupës, Teuta konfirmon në stol Bledi Shkëmbin

Nga Aranit Muraçi

Tirana ka ngritur dyshime, për vendosjen e rezultateve në tavolinë. Trajneri Ardian Mema, pas humbjes së fundit të bardhebluve në Vlorë, dhe nga ana tjetër fitoreve që siguruan Kastrioti e Luftëtari, përkatësisht ndaj ekipeve kryesuese, Kukësit e Partizanit, ka ngritur dyshime të arsyeshme për pandershmëri të garës. Kjo praktikë e njohur në javët e fundit, ka vënë sërish në vështirësi bardheblutë. Megjithatë, pavarësisht dyshimeve dhe akuzave, kjo javë rezervon një ndeshje në tavolinë për Tiranën, që pret Kamzën dhe madje shpreson të përfitojë nga përballja direkte mes Luftëtarit dhe Kastriotit. Gjithsesi, Tiranës i mbetet që në javët e mbetura të luajë për mbijetesë. Kjo javë solli largimin e një trajneri dhe votëbesimin e një trajneri tjetër në Kategorinë Superiore.

Kukësi

Trajneri Ernest Gjoka ka nisur menjëherë nga puna, duke u rikthyer në stolin e Kukësit, për të drejtuar verilindorët, të paktën deri në mbyllje të këtij sezoni. Gjoka, trajneri që i dha titullin kampion Kukësit, rikthehet pas humbjes së fundit 2-1 të këtij ekipi ndaj Kastriotit. Ramadan Ndreu drejtoi vetëm dy javë Kukësin, po u shkarkua për rezultate të dobëta, ndërsa pas besimit që mori nga presidenti i klubit, Safet Gjici, Gjoka ka si objektiv fitimin e kupës si dhe rikuperimin sa më tepër të jetë e mundur në kampionatit, për të ruajtur të paktën pozitat aktuale, vendi i dytë.

Teuta

Trajneri Bledi Shkëmbi gëzon besimin e plotë të drejtuesve të Teurës. Pavarësisht eliminimit në kupë, si dhe humbjes 5-0 me Laçin, klubi durrsak i ka dhënë votëbesim trajnerit. Kështu, ai do të vijojë punën normalisht, ku skuadra durrsake do të nisë përgatitjet në kuadër të përballjes me Flamurtarin në Vlorë. Kjo shihet si një sfidë direkte mes dy ekipeve për një vend në Kupat e Europës. Megjithatë, kjo shihet edhe si një mundësi që i është dhënë trajnerit Shkëmbi, pasi nëse nuk shmanget humbja, Teuta rrezikon pjesëmarrjen në Kupat e Europës dhe vështirë se trajneri korçar do t’i mbijetojë stolit, në javët e mbetura.

 

Kategoria Superiore

Java e 27-të

Partizani-Luftëtari            1-3

Laçi-Teuta                           5-0

Flamurtari-Tirana             1-0

Kastrioti-Kukësi                2-1

Skënderbeu-Kamza        3-0 (Tavolinë)

 

Klasifikimi

Partizani               54

Kukësi                   45

Teuta                    43

Flamurtari           41

Laçi                         41

Skënderbeu       40

Luftëtari               34

Tirana                    30

Kastrioti               27

Kamza                   17