Hamdi Salihi, një jetë e re në Vjenë!

Hamdi Salihi, një jetë e re në Vjenë!
Lamtumirë futboll! Bomberi i shquar shkodran i Kombëtares kuqezi, Hamdi Salihi, pas udhëtimit të pazakontë 16-vjeçar nga Shkodra në Vjenë, vari këtë fundjavë “këpucët në gozhdë”

Nga Aranit Muraçi

Ndeshja e kësaj fundjave ishte dita e fundit për karrierën e sulmuesit shqiptar, ish-lojtar i Kombëtares, e një ndër më të dalluarit e futbollit tonë, në dy dekadat e fundit. Hamdi Salihi i dha zyrtarisht lamtumirë fushës së blertë, si futbollist. Ndeshja e fundit e Salihit në karrierën e tij ishte ajo mes Wiener Neustadt dhe Wacker Innsbruk, një sfidë ku shkodrani u aktivizua si titullar për 52 minuta. Ai la më pas fushën e lojës mes duartrokitjeve të publikut. “Dua t’ju falënderoj dhe t’ju them se jam shumë i lumtur që në këtë rrugëtim të mrekullueshëm, ju njoha dhe kalova momente të paharrueshme, të gjithëve: lojtarëve me të cilët kam luajtur, shokë ekipi apo kundërshtarë, trajnerëve, presidentë dhe drejtues klubi, tifozëve të ekipeve ku kam luajtur dhe atyre kundërshtarë. Një falënderim të veçantë për familjen time, e cila ka sakrifikuar shumë, duke qenë gjithmonë pranë meje: prindërit e mi, të cilët kanë qenë mbështetja ime më e madhe dhe gjithashtu vëllezërit e mi të cilët po ashtu kanë qenë kritikët dhe mësuesit e mi më të mirë, në këtë udhëtim.” Ka qenë ky mesazhi i lamtumirës si futbollist, i një prej ikonave të futbollit shqiptar, pas viteve 90’. Salihi e nisi karrierën në Shkodër, në vitin 2003, ku spikati me të rinjtë e Vllaznisë dhe ish-trajneri i asaj kohe, i ndjeri Artan Bushati, i besoi një vend në ekipin e parë. Mjaftoi një sezon që Salihi të shkëlqente e të spikaste si një ndër sulmuesit më premtues, ndaj edhe mes shumë trajnerëve në karrierë, ai veçoi pikërisht atë të parin. Karriera e tij në Shqipëri, në periudha të ndryshme, vijoi me dy ekipe të tjera: Tirana e Skënderbeu, ku edhe u dallua me golat e tij. Jashtë, ai pati një eksperiencë të shkurtër në Greqi, por më të gjatë në Austri, ku luajti dhe spikati me disa ekipe, duke fituar edhe një vend në Kombëtare. Hamdi Salihi në karrierën e tij provoi të luante edhe në ligat e SHBA-së, Kinës e Izraelit, ndërkohë pas lamtumirës, ai për “Albanian Free Press”, thotë se do të vijë detyrën e ndihmës-trajnerit te ekipi aktual, dhe më tej, “duke parë e duke bërë”. - “Nuk i dihet,” – shprehet bomberi shkodran. Por jetën ka vendosur ta ndajë mes kryeqytetit austriak, Vjenë, atij shqiptar, Tiranë, si dhe vendlindjes së tij, Shkodër, ku ka ende shumë nga të afërmit. “Para se të merrja vendimin për t’u larguar nga futbolli, jam përgatitur për të nisur karrierën si trajner. Deri në fund të sezonit do të jem ndihmës-trajneri i ekipit aktual, më tej të shohim. Nga tëra karriera ime, veçoj si qytet që më pëlqen më shumë Vjenën, sa i përket karrierën jashtë,” – thotë Salihi, i cili kurrsesi shton se nuk mund të harrojë Tiranën e Shkodrën, apo edhe Korçën.

Në janar të këtij viti, Hamdi Salihi mbushi 35-vjeç. Ndonëse nuk kishte probleme dëmtimi, ai vendosi ndoshta para kohe për të lënë fushën e blertë. Gjithsesi, produkt i Vllaznisë dhe i kampionatit shqiptar, Salihi në 16 vite karrierë la gjurmë të thella në futbollin shqiptar, si një ndër golashënuesit me të mirë të Kombëtares dhe të kampionatit tonë. Karriera e Hamdi Salihit nisi në Shkodër në sezonin 2002–2004, me Vllazninë. Më pasi ai kaloi te Panionios, ku prishi kontratën pa filluar mirë sezoni, për t’u rikthyer te Tirana, në radhët e së cilës fitoi dy herë “këpucën e artë”. Salihi në sezonin 2007-2008 nisi karrierën në Austri me Ried, për të kaluar më pas te Rapidi i Vjenës. Në 2012 kalon përtej Oqeanit për një eksperiencë në SHBA me D.C. United dhe një sezon më pas transferohet në Kinë, Jiangsu Sainty. Në sezonin 2014–2015 bëhet pjesë e kampionatit izraelit me dy ekipe të ndryshme: Hapoel Acre dhe Hapoel Haifa. Tre sezone më parë rikthehet në Shqipëri te Skënderbeu, për ta mbyllur në Austri, karrierën në Austri me Wiener Neustadt, në radhët e së cilës zhvilloi 49 ndeshje dhe shënoi 27 gola.

322 gola

Ky është numri i golave që sulmuesi shkodran ka realizuar në karrierë. Ai veçon golat kundër Milsami, por edhe goli i fitores së Kombëtares kuqezi kundër Norvegjisë, si ndër më të rëndësishmit në karrierën e tij.

50 ndeshje

Në 9 vite me kuqezinjtë, thuajse vazhdimisht si sulmuesi kryesor, Salihi ka shënuar 11 gola. Përveç golit me Norvegjinë, në një ndeshje zyrtare, ai kujton edhe atë kundër Malit të Zi, në një miqësore.