GRABITJA E RINASIT/ Lleshaj përfshihet në debat politik me PD. Komentet e qytetarëve: Falënderoni Zotin që s'u mor dhe avioni peng

GRABITJA E RINASIT/ Lleshaj përfshihet në debat politik me PD. Komentet e qytetarëve: Falënderoni Zotin që s'u mor dhe avioni peng
Grabitja e përsëritur që ndodhi dje në Rinas, është një alarm për akte të frikshme që mund të precipitojnë. Shumë njerëz, në rrjetet sociale, tërhiqnin vëmendjen që shteti të jetë shumë më i kujdesshëm në parandalimin dhe menaxhimin e situatave të mundshme kriminale. Ata shprehen se është detyrë e ministrisë së Brendshme që të mbrojë plotësisht territore si aeroporti, pavarësisht nëse në të ka polici private. Kjo pasi autorët e grabitjes, në rastin e djeshëm, mund të precipitonin edhe në rrëmbim të avionit duke kaluar në akt terrorist që mund të kishte pasoja të paparashikuara.

Kjo situatë e ndodhur dje, përfshiu përmes rrjeteve sociale jo vetëm qytetarët, por edhe mazhorancën e opozitën.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, doli me një mesazh ndaj Lleshajt duke vlerësuar se ka dështuar në detyrën e tij si ministër i Brendshëm. “Kur Policinë e angazhon kundër qytetarëve, që mbrojnë strehën e fëmijëve të tyre apo protestojnë kundër Qeverisë, me vetëdije i hap rrugën grabitjeve me armë në zonën më të sigurt në vend (brenda perimetrit te sigurisë në Aeroportin e Rinasit) apo vrasjeve të tipit mafioz në zonat më të populluara. Është çështje prioriteti! Edi Rama ka prioritet luftën me qytetarët dhe jo luftën me krimin”, - u shpreh Bardhi.

Kjo deklaratë pasoi reagimin e Sandër Lleshajt: “Edhe në momentin e një përplasjeje me armë të Policisë së Shtetit me një grup të armatosur kriminal, zëdhënësi/sekretari i një partie antiparlamentare sulmon... Policinë!”, - u shpreh ministri i Brendshëm.

Ky reagim hasi në kundërpërgjigje të qytetarëve që ndjekin Lleshajn në Facebook. Një prej tyre, gazetare, shprehet: “Nuk është me vend të merreni me PD-në sot. Fare mirë mund t'ju merrnin peng dhe avionin. Kjo është shumë e rëndë. Jemi vend anëtar i NATO-s dhe nuk është viti 2000. Vazhdoni arrestoni njerëz sa për show ju dhe mbushni burgjet për një cigare hashash”.

Ndërsa një qytetar tjetër, shkruante: “Është bëre më e vështirë të vjedhësh 2 domate në bahçen e komshiut sesa të vjedhësh 2 milionë euro brenda në Rinas. Falënderoni Zotin që ishin grabitës dhe morën euro, se nëse vazhdoni kështu, herës tjetër hyjnë terroristë, ju marrin avionin peng dhe jua plasin gjëkundi dhe ju as e merrni vesh, jo më ta parandaloni. Kam respekt për uniformën, por këto ngjarje, ku policia kufitare ka përgjegjësinë e saj, ju çojnë prape në pikën zero”.