Gaz lotsjellës në protesta, nis hetimi për policinë

Gaz lotsjellës në protesta, nis hetimi për policinë
AKUZA/ Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një kallëzim penal ndaj ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit për përdorimin e gazit dhe të ujit me presion gjatë protestave të opozitës nga 16 shkurti deri në 16 mars

Përdorimi i gazit lotsjellës dhe e ujit me presion kundër turmës, gjatë protestave të opozitës të zhvilluara nga 16 shkurti deri në 16 mars të këtij viti do të jenë tashmë pjesë e një hetimi të posaçëm.

Konkretisht, është Prokuroria e Tiranës ajo që e ka ndërmarrë një nismë të tillë, teksa ka regjistruar tashmë një kallëzim penal ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Policisë së Shtetit.

kallëzim është regjistruar pranë organit të akuzës, pas një padie të mbërritur pranë tij nga Partia Demokratike në datën 18 mars. Dhe kjo, pasi forca politike në fjalë pretendon që policia ka shkelur ligjin me përdorimin e gazit lotsjellës, por edhe ujit me presion për të shpërndarë mbështetësit e saj, gjatë protestave të këtij fillimviti.

Në padinë e depozituar nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, policia akuzohet për veprime në shkelje të ligjit. Por mes të tjerash, selia blu akuzon edhe se Policia e Shtetit ka shpërdoruar detyrën dhe kompetencat e saj ligjore në protestat e zhvilluara prej opozitës nga 16 shkurti deri në 16 mars. Për Partinë Demokratike, me këto veprime antiligjore, policia nuk ka pasur aspak si synim zbatimin e ligjit, por në fakt pengimin e zhvillimit të protestës.

Pikërisht, mbi këto pretendime të Partisë Demokratike prokuroria e Tiranës ka regjistruar kallëzimin penal ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Policisë së Shtetit. Ndërsa pritet që të nisë një hetim konkret mbi veprimet e policisë gjatë protestave të opozitës.

Si pjesë e tyre pritet që të ndihmojnë edhe dëshmitë e sqarimet e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili pritet të paraqitet në prokurorinë e Tiranës në fillim të javës së ardhshme.

Nga ana tjetër, edhe Policia e Shtetit ka paraqitur një mori denoncimesh ndaj tij, por edhe figurave të tjera politike të Partisë Demokratike për dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të policisë në protestat e opozitës.

 

PADIA

PD: Policia ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv qytetarët

Gati një muaj më parë, Partia Demokratike ka ngritur një padi kundër ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe disa punonjës të Policisë së Shtetit, për ato që ajo i ka cilësuar si shpërdorim detyre dhe veprime të paligjshme kundër protestuesve. “Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht”, - thuhej në letrën shoqëruese që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës.