"Fshesa" tek trupat diplomatikë, Cakaj urdhëron grup pune për ndryshime në ligjin e ambasadorëve

"Fshesa" tek trupat diplomatikë, Cakaj urdhëron grup pune për ndryshime në ligjin e ambasadorëve
Ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune  për të ndryshuar ligjin për shërbimin diplomatik.

Pas transferimeve nga detyra të 28 punonjësve dhe drejtuesve të ambasadave, Cakaj ka marrë edhe këtë vendim paralel që ka shkaktuar pakënaqësi dhe reagim nga Këshilli i Ambasadorëve.

Burimet kanë bërë të ditur për oraneës se pas 28 emrave diplomatë të tjerë pritet t'i shtohen listës që do të largohen ose transferohen nga pozicioni i tyre. Edhe 4 ambasadorëve i ka përfunduar mandati dhe pritet që ministria t'i kërkojë Presidentit, dekretin për shkarkimin e tyre.

Për të pasur më shumë dorë të lirë në lëvizje, ministri i Jashtëm ka ngritur një grup pune me diplomatë karriere për të hartuar një ligj për shërbimin diplomatik. Në krye të tij është diplomati i karrierës Armand Skapi.

Gjithashtu pritet që numri i diplomatëve të rritet pasi në krahasim me vendet e rajnit Shqipëria ka numrin më të ulët të trupës diplomatike.

Kujtojmë që Greqia ka mbetur vetëm me ambasadoren Hobdari, që është nën hetim nga prokuroria për skandalin e vjedhjes së pasaportave.

Por ish-ambasadorë shprehen se ministri duhet të ketë më shumë kujdes në ndryshimin e diplomatëve të karrierës. Ata shprehen se këtë detyrë nuk mund ta kryejnë studentët, sado ekselentë që të jenë, ndaj sugjerojnë që të respektohet sistemi i karrierës dhe respektimi i vlerave.

/f.ç/Albanian Free Press Online/