FENOMENI/ Dhuna në futboll, “arsyet” që nuk ndalet!

FENOMENI/ Dhuna në futboll, “arsyet” që nuk ndalet!
Paragjykimet dhe padrejtësitë që has shoqëria shqiptare, shkak kryesor i dhunës në futboll. Mbi veprimtarinë kundër dhunës në Ministrinë e Sporteve, në ato pak rreshta, Komisioni përkatës ka përcaktuar më qartë shpërblimet e anëtarëve se rezultatet konkrete për parandalimin e fenomenit

Nga Aranit Muraçi

Dhuna që ka prekur dhe trondit shpesh “themelet” e futbollit shqiptar është një fenomen gjerësisht i përhapur në Shqipëri, që ekziston prej shumë vitesh, ashtu sikurse aktet e dhunës janë të përhapura kudo në tërë shoqërinë shqiptare. Specialistët thotë se shkak nuk është mungesa e ligjeve dhe as e rregullave, por zbatimi i tyre, si dhe paragjykimet që ka krijuar shoqëria jonë, prej padrejtësive të mëdha, me të cilat ata ndeshen rëndom në jetën e përditshme. Redi Jupi, ish-futbollist dhe trajner i njohur në Shqipëri, prej vitesh ka hapur një akademi futbolli në Tiranë, për fëmijët. Ai dhunën e ilustron me paragjykimet e shumta, që hasen në shoqërinë tonë. - “Bëra rolin e një gjyqtari në një ndeshje kontrolli fëmijësh, ku kishte edhe prindër të shumtë. Pas ndeshjes, prindërit e fëmijëve të ekipit që humbën ndeshjen, kishin shumë vërejtje dhe madje më akuzuan se qëllimisht mbajta anën e ekipi kundërshtar,” – tregon Jupi. Ky është një lloj paragjykimi, që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare, e cila nuk pajtohet me faktin, se gabimet mund të jenë edhe njerëzore, edhe jo të qëllimshme. Në raste të tjera, për të luftuar një padrejtësi, shoqëria dhe shteti duhet të kërkojnë mënyrat e duhura, për ta luftuar dhe parandaluar atë si fenomen.

Ka pasur kritika për rolin e Komisionit të Disiplinës, si në rastet kur masat ndëshkuese kanë qenë të ashpra, ashtu edhe në raste të tjera, pasi ato nuk zbatohet sipas një standardi, duke thelluar pakënaqësitë dhe paragjykimet te tifozët, si në rastin e fundit, teksa ata të Tiranës janë shprehur kategorikisht kundër tyre, duke i parë të njëanshme e të qëllimshme.

Ministria përkatëse e Sportit, problemet që has veçanërisht sporti më popullor në vend, ka vite që i “sheh përmes ekranit”, ashtu si edhe publiku, por me një ndryshim, pasi aty paguhen nga taksapaguesit specialistë të shumtë, apo edhe anëtarë të Komisioneve kundër Dhunës, për të ndalur fenomenin.  Por duket ironike, pas ngjarjeve të fundit, mënyra e funksionimit të Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport. Pothuajse në çdo javë të kampionatit shqiptar, dhuna përsëritet, madje në ndeshjen e fundit të Kategorisë Superiore, Tirana-Laçi, pamjet filmike shfaqën episode të shëmtuara brenda dhomave të zhveshjes. Duket se roli i shtetit, për të parandaluar fenomenin nuk mjafton, por edhe mënyra e organizimit nga autoritetet përkatëse lë shumë për të dëshiruar. Në ato pak rreshta ku flitet për veprimtarinë e masave që merr Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, kundër dhunës, në rreshtat e parë nënvizohet shpërblimi i anëtarëve, çka është dukur si më e rëndësishme se rezultatet konkrete, apo analizat e mirëfillta që duhen bërë për të ndalur këtë dukuri.  “Veprimtarinë kundër dhunës e drejton Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport, një strukturë me karakter këshillimor pranë Ministrit përgjegjës të Sporteve. Përbërja e funksionimi i këtij Komisioni dhe mënyra e shpërblimit të anëtarëve të tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”

Gjithashtu, Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport i rekomandon Ministrit përgjegjës për  Sportin marrjen e masave të parashikuara kundër personave, që përdorin ose nxisin përdorimin e dhunës.” Por po ashtu, edhe respektimi i Dispozitave të Konventës Kundër Dhunës në Sport, shihet si një premtim bosh. “Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport dhe të gjitha organizatat sportive,  në veprimtarinë kundër dhunës në Shqipëri, respektojnë dispozitat e Konventës Europiane Kundër Dhunës në Sport, ku ka aderuar Republika e Shqipërisë.”

Kryeministri Edi Rama në një takim me presidentët e klubeve, organizuar nga FSHF, lidhur me ndërprerjen e kampionatit, për shkak të dhunës në fushat e blera, pas episodeve në Kamëz, për të ndalur fenomenin tha se futja në fushë e personave të paautorizuar do të konsiderohet vepër penale dhe do të ndëshkohet me tre vite burg. Për parandalimin e dhunës dhe të episodeve të shëmtuara, brenda dhe jashtë fushave të blerta, përveç masave ligjore, duket se kërkohet edhe një riorganizim i strukturave shtetërore, që të analizojnë të paktën një herë në tre muaj situatat e krijuara, për të marrë edhe masa konkretet parandaluese.