Ëndrra “Champions”, Partizani vishet  “kuqezi”

Ëndrra “Champions”, Partizani vishet  “kuqezi”
Titulli kampion konsiderohet “i hipotekuar”. Partizani ka gati projektin për një sukses në Kupat e Europës, me merkaton, që ka nisur të lëvizë para kohe, ku si shembull mbetet ai i Skënderbeut

Nga Aranit Muraçi

Kualifikimi ose jo në kupë ndaj Luftëtarit, pas humbjes së ndeshjes së parë  2-1, nuk i shqetëson Të Kuqtë, për hir të objektivave të tjerë madhorë.

Edhe pak javë nga mbyllja e kampionatit, Partizani ka nisur të bëjë paralelisht llogaritë për fazën kualifikuese të Champions League.

Të kuqtë synojnë të realizojnë një merkato të bujshme, për të pasur sukses në këtë kompeticion, pasi me diferencën prej 9 pikësh karshi vendit të dytë, e konsiderojnë të mbyllur çështjen e titullit kampion.

Për të mos humbur kohë, nga qetësia që i jep shkëputja, Partizani ka nisur që tani planet e merkatos.

Genc Tomori, drejtor i Akademisë së Partizanit, dhe njëkohësisht pjesë drejtuese e klubit, zbuloi për “Albanian Free Press” ambiciet e Të kuqve për një sukses të mundshëm në Europë, ku minimalisht kërkohet ai i Skënderbeut, dy sezone më parë. “Pa siguruar matematikisht titullin kampion nuk do të ketë lëvizje, por sigurisht, më tej ka një plan ambicioz”, zbuloi Tomori.

Me lojtarë, të vetmit nga kampionati shqiptar që janë aktualisht pjesë e ekipit Kuqezi, si portier Hoxha dhe mesfushori Trashi, apo kandidati Telushi, por edhe me boshtin që po nxjerr kampion ekipin që nuk fiton këtë trofe prej 25 vitesh, Partizanit mund t’i nevojiten edhe dy-tre elementë të tjerë më cilësorë se grupi aktual, për të bërë ëndrrën realitet: faza e grupeve në një nga dy kompeticionet evropiane, “Champions League”, ose “Europa League”.

Tomori pranoi se edhe disa nga afrimet e fundit, si ajo e Asani, kanë rezultuar të suksesshme, pavarësisht se edhe cilësia me largimet si ajo e Ekuban, e kanë dëmtuar disi ekipin.

Partizani do të tentojë të afrojë fillimisht lojtarë të Kombëtares shqiptare, që këtë sezon kërkojnë të largohen nga ekipet ku ata bëjnë pjesë.

Si shembull do të merren modeli i “Skënderbeut”, që afroi lojtarë të tillë, si Hamdi Salihi, Kristi Vangjeli, apo që u bazuar në emra si Sabien Lilaj e Liridon Latifi.

Këta të fundit, pas përvojave jo edhe aq pozitive jashtë,  janë në projektin e ardhshëm europian të Partizanit.

Trajneri Skënder Gega, pas suksesit në kampionat, do të ketë “dorë të fortë” në skuadrën që do të garojë në Europë.