Deputeti Myslim Murrizi: BE mund t’i çelë negociatat, siç bëri NATO pas “Gërdecit”

Deputeti Myslim Murrizi: BE mund t’i çelë negociatat, siç bëri NATO pas “Gërdecit”
Intervistë për gazetën “Albanian Free Press”, me deputetin Myslim Murrizi

Deputeti Myslim Murrizi, ishte i vetmi ndër emrat e PD që refuzoi të dorëzojë mandatin, pas vendimit politik që mori Grupi Parlamentar. Murrizi, i cili është prej 29 vitesh në politikë, në këtë intervistë për gazetën “Albanian Free Press”, shpjegon pse nuk e dorëzoi mandatin. Ai komenton dhe zhvillimet e tjera politike në vend

Intervistoi: Albert Zholi

Ju jeni një ndër deputetët e opozitës që nuk e dogjët mandatin, cila ishte arsyeja?

Sot jemi gati dy muaj pas mosdorëzimit të mandatit dhe besoj se jam i qartë në qëndrimin tim pse nuk e kam dorëzuar mandatin. Absolutisht e mendoj si qëndrim korrekt parimor dhe shumë demokratik e institucional. Asnjëherë nuk kam qenë dakord për djegien e mandateve, madje kam qenë dhe kundra braktisjes së Kuvendit. Nuk jam dhe nuk bëhem pjesë e misionit të shkatërrimit të politikës së këtij vendi prej 28 vitesh dhe kurrë nuk dua të bëhem pjesë e kthimit te vendit në monizëm, sepse kam qenë ne dhjetor te vitit 1990 pjesë e studenteve dhe ndër themeluesit e PD që solli pluralizmin.

Opozita pasi dogji mandatet po i vazhdon protestat. Si i shikoni ato?

Unë kam koncept tjetër për protestën dhe tjetër për tubimet politike dhe mitingjet elektorale. Protestat e vetme që kanë qenë në Shqipëri kanë qenë ato të vitit 1990, shkurtit 1991 dhe studentëve në dhjetor 2018. Protestat i bëjnë qytetarët. Këto protesta janë tubime politike dhe qëllimi i vetëm real i tyre është ngritja e adrenalinës së votueseve kundra qeverisë dhe thithja e pjesës gri në zgjedhjet më të afërta. E gjitha ko është një e drejtë e pamohueshme e çdo opozite.

Si është pritur në opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar djegia e mandateve? 

Opinioni ndërkombëtar ka folur qartë hapur dhe publikisht që është kundra këtij akti precedent i rrezikshëm për tu shndërruar në një fenomen spurdhjakësh ku pushteti të meret pa votë por me djegie mandatesh. Kjo mund të ndodh edhe kur në pushtet të jetë PD por nëse demokracia funksionon me këtë variant mund të ndodhë edhe në vendet e tjera. Francezët kanë një vit që kanë djegur Parisin 10 herë dhe opozita nuk i ka djegur mandatet.

A e dëmton hapjen e negociatave në qershor djegia e mandateve të opozitës dhe çfarë zhvillimesh mund të priten në vend? 

Padyshim që dëmton imazhin politik të Shqipërisë. Sa për negociatat e shoh si thikë me dy presa sepse mund të detyrojë BE t’i hapë negociatat edhe pa plotësuar kushtet për të shmangur çdo destabilizim apo ndikim anti-BE në Shqipëri. Ashtu siç hymë në NATO pas Gërdecit.

Mendoni se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?

Mos marrja pjesë në zgjedhje është asgjësim i një force politike. Përvoja ka treguar se kush nuk ka marrë pjesë në zgjedhje ka dalë i humbur. Po ju sjell shembuj mos pjesëmarrjen e PD në votim të referendumit 1998 ku jo vetëm u miratua Kushtetuta por u njoh nga PD deri në prill 2008 kur u ndryshua për keq. Mos pjesëmarrja e PD në balotazh të zgjedhjeve lokale të vitit 2000 bëri që PS të fitoj edhe bastionet e PD si Lapraka, Kamza etj dhe ata e mbajtën mandatin deri në zgjedhjet e tjera. Por ku di gjë Basha apo Bylyku i tij nga kjo histori, se Basha ka qene jashtë, Bylyku jashtë dhe familja e tij në komision të PS. PD nuk mori pjese edhe në reformën territoriale me mendjen e ndritur të Oerd Bylykut të Bashës. E ku jemi sot?? Jo që i ka njohur PD baskitë, por kurrë nuk ka artikuluar një fjale për ti ndryshuar ato.

Në kampin socialist, PS zhvilloi Kongresin e saj. Çfarë solli në politikën e ashpër shqiptare? 

Unë nuk e pashë si kongres por si një miting politik për t’i treguar shqiptarëve dhe ndërkombëtareve që edhe PS ka militantë, ka mbështetës, pra si një antimiting ndaj protestës së 16 marsit.

Nga zhvillimet brenda qeverisë, spikati fakti që ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj largoi nga radhët e diplomatëve mbi 28 pjesëtarë në mënyrë masive, si do ta komentoni këtë fakt?

Zv ministri Cakaj ka larguar çfarë i kanë thënë. Nuk besoj që ka tagër e aq më shumë njohje për t’i bërë CV diplomatëve. Besoj që janë larguar të emëruar për vota. Kurse nga ana tjetër vlerësoj shumë heqjen e titujve konsull të çdo dyqanxhiu që mbante targa CD dhe pasaportë diplomatike.