Borxhet e prapambetura të shtetit nuk janë zhdukur, arrijnë në 6.2 miliardë

Borxhet e prapambetura të shtetit nuk janë zhdukur, arrijnë në 6.2 miliardë
Borxhet e prapambetura të shtetit, duket se ende po rëndojnë mbi financat publike. Edhe pse nga qeveria, u vu si detyrë që në nisje të mandatit të parë mbajtja e tyre nën kontroll, kjo sërish po duket e pamundur.

Është vetë ministria e Financave dhe e Ekonomisë ajo që e pranon ekzistencën e një dukurie të tillë, përmes shifrave më të fundit, sipas të cilave rezulton se në fund të vitit të kaluar borxhet e prapambetura kanë qenë në vlerën e 6.2 miliardë lekëve. Ku peshën më të madhe të tyre e zënë ato që janë krijuar për vepra të natyrës infrastrukturore, apo ato të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, në rreth 2.7 miliardë lekë.

Ndërsa tabela e ndarjes së borxhit sipas ministrive tregon se është pikërisht ajo e Infrastrukturës dhe e Energjisë, që ka edhe peshën më të lartë të tij, plot 3.2 miliardë lekë, ose sa gjysma e totalit të akumuluar të tij në fund të 2018-tës. E duke treguar kështu se janë pikërisht veprat e këtyre dy sektorëve, realizimi i të cilave e ka detyruar qeverinë të futet në borxh tek privati. Sikundër, duhet thënë se është po ky dikaster ai që ka akumuluar edhe borxhin më të lartë, sa u përket vendimeve gjyqësore të ngritura ndaj saj, rreth 700 milionë lekë. Ndërsa totali i tyre duhet thënë se vërtitet në nivelin e 2 miliardë lekëve.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy nga të dhënat është se një pjesë e mirë e borxhit figuron edhe si pasojë e mosrimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, TVSH ndaj biznesit, prej autoriteteve tatimore. Dhe nuk janë pak, por 105 milionë lekë që figurojnë ndaj biznesit, si detyrime të tilla të papaguara ende. Sikundër duhet thënë se administrata tatimore ka grumbulluar një borxh të konsiderueshëm edhe si pasojë e vendimeve gjyqësore, që janë fituar nga subjektet private, në rastet kur ka pasur faturime të gabuara nga ana e punonjësve të saj.

6.2

Miliardë është totali i borxheve të prapambetura që shteti ka akumuluar ndaj biznesit, por edhe të tretëve, në fund të vitit të vitit të kaluar

 

3.2

Miliardë është totali i borxheve të prapambetura që ka akumuluar në fund të vitit të kaluar vetëm ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë

 

 

Infrastruktura, Energjetika, Shëndetësia, Mbrojtja, ministritë me më shumë borxhe

Sa i përket borxhit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, ekspertët sqarojnë se vetëm për mirëmbajtje rrugore është krijuar një borxh prej 67.2 milionë lekësh, ndërsa për ndërtim dhe sistemim rrugësh rreth 45 milionë lekë. Pas saj, është ministria e Mbrojtjes ajo që ka akumuluar borxhin më të madh në fundvitin 2018. “Pjesa më e madhe i përket programit të Emergjencave Civile”, sqarojnë ekspertët. Ndërsa me një shifër prej 988 milionë lekësh, ajo pasohet për borxhet nga ministria e Brendshme, që raportohet se ka gjithashtu 735 milionë lekë ndaj të tretëve. “Ku 284.6  milionë lekë detyrime janë krijuar vetëm për vendime gjyqësore të mbartura për ish-punonjës të larguar”, shtojnë më tej ekspertët. Ndërsa pas këtij dikasteri, për këtë tregues renditet ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale me një borxh të prapambetur prej 377 milionë lekësh. Duke u pasuar më tej nga ministria e Ekonomisë dhe e Financave, e cila figuron në fund të vitit të kaluar me një vlerë borxhi të prapambetur që kap shifrën e 340 milionë lekëve. I krijuar ky, kryesisht nga detyrimet për vendime gjyqësore.

 

Me pasoja mbi ekonominë, Xhepa: Borxhet e akumuluara sjellin ngërç

Ekspertët e ekonomisë e cilësojnë si papërgjegjshmëri të qeverisë akumulimin në kohë të detyrimeve të prapambetura. Sipas tyre, ato sjellin pasoja të rënda për ekonominë e vendit duke e futur atë në ngërç. Një fakt të tillë e ka pohuar dje edhe eksperti i njohur i ekonomisë, Selami Xhepa, i cili ka komentuar dje për mediat të dhënat mbi mosshlyerjen në kohë të detyrimeve, që qeveria ka ndaj biznesevee dhe individëve. Nga ana tjetër, Xhepa sugjeron që qeveria të jetë e kujdesshme në prokurimin e veprave publike, duke mos i tejkaluar mundësitë që ka, e kësisoj, duke mos krijuar një borxh të ri. Kurse sa i takon faturës së gjyqeve për largimet nga puna, Xhepa thekson se përveç borxhit, një administratë jo e qëndrueshme është një administratë joefiçente.

 

 

Ministria që ka krijuar më pak borxhe e Kulturës, vetëm 3.8 milionë lekë

Ndërsa borxhet e prapambetura të ministrive zënë një listë të gjatë milionash, ka edhe nga ato, të cilat e kanë mjaft të ulët këtë shifër. Në këtë kuadër mund të përmendim ministrinë e Kulturës, e cila sipas shifrave të publikuara nga ministria e Ekonomisë dhe Financave figuron me vetëm 3.8 milionë lekë borxh të prapambetur ndaj të tretëve. Ndërsa të gjitha ministritë e tjera pas saj, e kanë me tregues dyshifor këtë tregues. Konkretisht, pas saj renditet ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka akumuluar vetëm 11 milionë lekë borxhe të prapambetura në fund të vitit të kaluar, pasuar nga ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural me 38 milionë të tilla.