Biznesi: T’i jepet fund monopolit aktual me kontrollin e automjeteve 

Biznesi: T’i jepet fund monopolit aktual me kontrollin e automjeteve 
Organizata e njohur e biznesit, Konfindustria, duke marrë shkak nga përfundimi i afatit të koncesionit të kolaudimit në fuqi, i ka kërkuar dje qeverisë përmes një deklarate të posaçme, që të përgatisë sa më shpejt legjislacionin për të kryer liberalizimin e plotë të tregut të kontrollit të automjeteve.

Sipas administratorit të Përgjithshëm të saj, Gjergj Buxhuku, ky liberalizim duhet të jetë i ngjashëm me modelet e zbatuara në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe në rajon.

“Përpjekjet për të përsëritur modelet monopol dhe/ose oligopol të tashme janë të papranueshme”, thotë ai.

Në këtë kuptim, Konfindustria mbështet përfundimet dhe kërkesat e bëra së fundmi nga Autoriteti i Konkurrencës për liberalizim të tregut në fjalë.

“Mbështetur në shqetësimet e vazhdueshme të ardhura pranë saj nga bizneset vlerëson, se kalimi në monopol privat i shërbimit të kontrollit vjetor të automjeteve ka qenë në kundërshtim të hapur me interesin publik. Bizneset dhe qytetarët janë ndeshur me rritje të ndjeshme të kostove financiare dhe kohore, që nuk përligjen nga cilësia e shërbimeve të ofruara nga operatori. Vlerësohet, se vetëm kostot financiare të shërbimit i kanë kushtuar afër 80 milionë euro bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë për periudhën e koncesionit”, shton më tej Konfindustria.

Duke përfunduar se shembull i qartë i dështimit të shërbimit koncesionar monopolist ishte vendimi i fundit i qeverisë për ndalimin e hyrjes në vend të automjeteve mbështetur në vitin e prodhimit dhe jo në kontrollin e cilësisë së gazrave.

“Modeli i përdorur në rastin e koncesionit të kontrollit të automjeteve, ka shërbyer edhe si një pararendës negativ për gjithë kontratat e mëvonshme të llojit PPP, koncesionare, etj., të përdorura më shumicë nga ekzekutivi më shumë sektorë të tjerë, që kanë vënë në vështirësi serioze në afatgjatë ekonominë shqiptare”.