Basha: Grabitja në Rinas, pyetjet janë shtuar por përgjigjet mungojnë

Basha: Grabitja në Rinas, pyetjet janë shtuar por përgjigjet mungojnë
Kreu i Partisë Demokratike akuzoi policinë mbi ngjarjen e rëndë, pse nuk u zbatua prej saj urdhri që pohon se transporti i vlerave monetare mbi shumën 950 milionë lekë duhet të shoqërohet nga policia

“Pas tronditjes së Shqipërisë dhe të mbarë botës nga grabitja e armatosur në Rinas, pyetjet janë shtuar dhe përgjigjet mungojnë. Rama po mundohet që dështimin e policisë dhe qeverisë e rënien e shtetit para krimit t’ia faturojë një kompanie private. Si për çdo gjë tjetër, fajin e kanë të tjerët”.

Me një deklaratë të tillë, kryetari i Partisë Demokratike,  Lulzim Basha e ka komentuar para mediave grabitjen e tre ditëve më parë në Rinas. Ku sipas tij, ajo tregoi dështimin e policisë dhe rënien e shtetit para krimit. Duke e akuzuar më tej kryeministrin Edi Rama, se ai mendon vetëm si të vjedhë Shqipërinë me oligarkët e tij. Gjithashtu, grabitjen e rëndë të Rinasit ai e cilësoi si pjesë të së tërës që sipas tij, po ndodh aktualisht në vend.

“Ngjarja e Rinasit nuk është e shkëputur dhe as e vetmja. Pjesë e zhvillimeve në gjithë Shqipërinë, pjesë e rrëmbimeve në Vlorë, grabitjet me armë të bizneseve, postave, vrasjet dhe rrëmbimet e bankierëve kanë filluar me instalimin e Edi Ramës në pushtet”, deklaroi Basha.

Nga ana tjetër, kreu i demokratëve tha se ngjarja e rëndë e Rinasit mund dhe duhet të ishte parandaluar. Ndërsa kujtoi se truri i bandës, Admir Murataj ishte prej 6 vitesh në kërkim, por nuk u kap.

“Nëse do të zbatohej nga policia urdhri i ministrit të Brendshëm i datës 5 gusht 2018, urdhri 130, ngjarja do të parandalohej. Urdhri thotë që transporti i vlerave monetare mbi shumën 950 milionë lekë, duhet të shoqërohet nga policia. Por Lleshaj i bëri bisht një fakti të rëndësishëm. Ndërkohë, asnjë prej elementëve të sigurisë nuk ishin vendosur. Dhe si është e mundur, që Admir Murataj prej gjashtë vitesh asnjëherë nuk u kap, por planifikoi dhe realizoi katër grabitje në tre vite”, akuzoi ai publikisht.

Madje ai shigjetoi në mënyrë direkte ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, që sipas tij ka shkelur Kushtetutën duke u emëruar nga kryeministri Rama si kryetar i Këshillit drejtues të Aviacionit Civil.

“Nën drejtimin e këtij këshilli nga Lleshaj, aeroporti është grabitur dy herë”, tha gjithashtu Basha. Duke përfunduar se zgjidhja e vetme sipas tij për të zbardhur dhe çuar para drejtësisë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, është vetëm revolta popullore.

Ndërsa i ftoi edhe një herë qytetarët për t’u bërë pjesë e protestës së 13 prillit kundër qeverisë.

AKUZA

“Dështimin, Rama s’mund t’ia faturojë një kompanie private”

“Dështimin dhe rënien e shtetit para krimit Rama nuk mund t’ia faturojë një kompanie private. Përgjegjëse për sigurinë është qeveria dhe jo kompanitë private. Nëse nuk ka siguri, përgjegjësinë dhe fajin e ka qeveria”, tha mes të tjerash dje Basha. Sipas tij, Rama duhet të japë përgjigje nëse strukturat shtetërore janë bashkëorganizatore të grabitjes. “Nxitimi për ta mbuluar këtë aferë me nxjerrjen antikushtetuese të ushtrisë nga kazermat në Aeroport, pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe pa autorizim nga Kuvendi, e provon këtë”, tha ai.