Zotëroni makinë? Mos bëni aksidente, se do të paguani siguracion më të lartë

Zotëroni makinë? Mos bëni aksidente, se do të paguani siguracion më të lartë
Zotëroni makinë? Përgatituni që mot t’ia paguani  siguracionin, ndryshe nga ç’keni bërë deri më tani. Jo më me tarifë fikse sa ç’mund ta kenë kompanitë e sigurimit, por bazuar mbi disa kushte të caktuara. Mendohuni mirë, pasi duke nisur që nga sot, autoritetet do nisin t’ju mbajnë shënim

Rrugët në të cilat ecni, çfarë fuqie ka makina juaj, madje edhe sa kundravajtje apo aksidente do të bëni. Dhe pikërisht, mbi bazën e tyre do të paguani më pas edhe siguracionin. Të gjitha këto, në kuadrin e një udhëzimi të ri që ka nxjerrë dje Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Ai bën fjalë konkretisht për futjen në përdorim të atij që cilësohet për tregun e sigurimeve si “sistemi bonus-malus” për sigurimin e detyrueshëm të makinave. Ai ka në thelb të tij kritere të reja, mbi bazën e të cilave kompanitë do të llogarisin edhe  sigurimin që do të paguajë çdo zotërues mjeti.

“Kriteret kryesore do të jenë historiku i dëmeve i drejtuesit, fuqia motorike e mjetit dhe territori ku ai qarkullon”, sqarojnë ekspertët e AMF-së lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar se tarifat e siguracioneve do të jenë të varura nga historiku i dëmeve, por edhe nga eksperienca e drejtimit të makinës nga ana e të siguruarit. Madje, ekspertët e AMF-së sqarojnë se ato mund të dyfishohen, apo të rriten edhe më shumë se kaq, nëse ju keni bërë një aksident me makinën tuaj.

“Ky sistem penalizon ekonomikisht, me rritjen e siguracionit, deri në dyfishimin e tij, të siguruarin përgjegjës për një ose më shumë aksidente të shkaktuara gjatë periudhës së sigurimit”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Sikundër shtohet nga ana tjetër se nëse ju nuk keni shkaktuar asnjë aksident, apo edhe dëm të ndonjë lloji tjetër, do të përfitoni ulje të tarifës së siguracionit për makinën tuaj.

 

1

Prill 2019 parashikohet të jetë nisja e afatit kur do të nisë të krijohet edhe i ashtuquajturi “historiku” i një makine, për tre kriteret kryesore: dëmet e drejtuesit, fuqia motorike e mjetit dhe territori ku ai qarkullon

2020

Është viti kur parashikohet të nisë edhe zbatimi i çmimeve të siguracioneve të reja për makinën, bazuar pikërisht në tre kriteret e reja që nga sivjet: dëmet e drejtuesit, fuqia motorike e mjetit dhe territori ku ai qarkullon

 

Afatet kohore, kur do të nisë të zbatohet udhëzimi i ri për makinat?

“Krijimi i historikut për vënien në zbatim të sistemit bonus-malus do të fillojë më 1 prill 2019, ndërsa efekti te çmimi i siguracioneve do të nisë pas një viti, në prill 2020”. Këto janë dy afatet që ka përcaktuar Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare për vënien në zbatim të udhëzimit mbi sistemin “bonos malus” për siguracionet e makinave. E thënë më thjesht, drejtuesit e makinave duhet të kenë kujdes tani e tutje, pasi duke nisur që nga data 1 prill e këtij viti do t’u mbahet “lista” e të gjitha gabimeve që mund të bëjnë me makinën e tyre. Por edhe të dhënat e saj, deri edhe tek mbajtja shënim e territorit në të cilin do të kalojnë. Sepse pikërisht pas një viti, duke nisur nga 1 prilli 2020, ata do ta paguajnë figuracionin e makinës së tyre bazuar mbi këtë “dosje” që do t’i përgatitin secilit, ekspertët e sigurimeve.

 

Edhe puna e shoferit, do të bazohet mbi sistemin e “meritës”

“Procesi është më transparent dhe përfshirja e formulave matematikore e bën një mekanizëm të drejtë, të besueshëm dhe sipas meritës”. Ky është njëri argument që japin ekspertët e sigurimeve, lidhur me efektet që do të japë vënia në zbatim i këtij udhëzimi. “Kurse në aspektin social, me aplikimin e sistemit "Bonus-Malus" synohet ndërgjegjësimi i publikut për një drejtim sa më të kujdesshëm të automjetit”, shtojnë ekspertët. Për të theksuar më tej se synohet edhe rritja e cilësisë së shërbimit të sigurimeve kundrejt konsumatorëve.