Zëvendësimet e deputetëve te LSI, Monika Kryemadhi: Tradhtar ai që merr mandatin!

Zëvendësimet e deputetëve te LSI, Monika Kryemadhi: Tradhtar ai që merr mandatin!
Në një takim me forumin rinor të LSI-së, Monika Kryemadhi, e kishte një mesazh për këdo që e ka pranuar ofertën e qeverisë së shkarkimit, siç u shpreh ajo, duke paralajmëruar këdo të mos iu afrohet emrave të tjerë në listë për ti joshur.

“Tradhtinë të gjithë e përdorin por tradhtarin asnjë nuk e do. Në një farë mënyrë dua të falënderoj të gjithë kandidatët e LRI-së, të cilët jo vetëm që nuk u joshën nga paratë e drogës dhe nga paratë e bankave të vjedhura por përveç asaj qëndruan përballë çdo presioni dhe po i them të gjithë atyre që kontaktojnë kandidatët e LSI-së mos guxojnë t’ju afrohen, sepse të gjithë i mbajnë mend që kur keni qenë në pushtet, kur keni pasur mundësi jo vetëm që nuk iu keni hapur telefonin njerëzve të LSI-së por përkundrazi i keni rrjepur ata. Kështu që qëndrojini larg”, ka qenë mesazhi i Kryemadhit, pas lëvizjeve të fundit brenda partisë së saj.

Pas Lefter Kokës, katër kandidatë nga lista e LSI-së pranuan të ulen në Kuvend në karriget bosh që mbeten nga largimi i kolegëve të partisë së tyre. Ata pritet ta marrin mandatin këtë të hënë për t'u ulur më pas në kuvend të martën, kur pritet të bëhet edhe ceremonia e betimit, por njëkohësisht seanca pritet të shoqërohet edhe me një protestë nga opozita.

Pas deputetit Lefter Koka, Aurora Mara në qarkun e Dibrës, Ylli Shehu dhe Edmond Rrushaj në Tiranë dhe Enver Roshi në Elbasan janë ata që nuk i janë bindur urdhrit të partisë nga LSI.