Vetingu ende po tremb?! Vazhdojnë dorëheqjet në sistemin e drejtësisë

Vetingu ende po tremb?! Vazhdojnë  dorëheqjet në sistemin e drejtësisë
Vetingu, tashmë ka hyrë në vitin e dytë të zbatimit dhe deri tani, prokurorët e gjyqtarët duhej të ishin mësuar me të. Por edhe për të marrë vendimin personal, nëse do t’i nënshtrohen atij apo jo, ka qenë një kohë mëse e mjaftueshme për ta.

E megjithatë, prej tyre vazhdojnë të mbërrijnë lajmet e dorëheqjes nga profesioni, që të shtyjnë menjëherë të mendosh se ato mund të kenë lidhje me dëshirën për të mos patur fare lidhje me vetingun.

Kështu, u komunikua lajmi i dorëheqjes së radhës, e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Petrit Fusha. Ka qenë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili e miratoi dorëheqjen e tij. "Pas 32 viteve pune në shërbimin e Prokurorisë, çmoj se përvojën që kam mund ta përdor në dobi të një aktiviteti tjetër me më pak ngarkesë. Gjykova se Prokuroria nuk është më vendi ku unë mund të shërbej me përvojën 32-vjeçare”, ka qenë motivimi i kërkesës së Fushës, i cili është bërë pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2017 dhe i është shortuar emri për procesin e rivlerësimit të figurës që një vit më parë. Në këtë mënyrë, ai bëhet zyrtari i 16-të i sistemit të drejtësisë që ka dhënë dorëheqjen para, ose gjatë procesit të vetingut.

Që të gjithë, emra të njohur të këtij sistemi, mjafton të përmendim këtu edhe atë të ish-kryeprokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ku për këtë të fundit, mund të thuhet se pati edhe një precedent, pasi u vu në diskutim prej institucioneve nëse do t’i nënshtrohej procesit të vetingut edhe pas dorëheqjes. Ka qenë Komisioneri Publik që e ngriti këtë kërkesë, pasi sipas tij, ish-kryeprokurori, pavarësisht dorëheqjes nga drejtësia, vazhdonte të kishte statusin e magjistratit dhe prandaj duhet të kalonte në “sitën” e vetingut. Megjithatë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit argumentoi se dorëheqja e kryeprokurorit ishte sipas rregullave, duke vendosur kështu përjashtimin e tij në fund nga vetingu.

 

800

Gjyqtarë dhe prokurorë në rang vendi, që figurojnë se ushtrojnë aktivitetin e tyre në sistemin e drejtësisë shqiptare do t’i nënshtrohen procesit të vetingut

16

Gjyqtarë dhe prokurorë në rang vendi, kanë dhënë deri tani dorëheqjen e tyre, para dhe pas nisjes së zbatimit të procesit të rivlerësimit të figurës së tyre

 

“Siparin” e tyre e hapi ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana

 

“Siparin” e dorëheqjeve të prokurorëve dhe gjyqyarëve nga sistemi i drejtësisë, mund të thuhet se e hapi ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana. Ajo ka qenë e para që e dha atë pikërisht në nisje të procesit të vetingut, me pretendimin se i duhej kohë për t’u thelluar në jetën akademike. Por përveç saj, pak para se të mbaronte afati i dorëzimit të formularëve të vetingut dy vjet më parë, kanë qenë edhe pesë anëtarë të sistemit të drejtësisë, të cilët i kërkuan presidentit dorëheqjen. Ku njëri prej tyre ishte edhe gjyqtari kushtetues Vladimir Kristo, i cili nuk e dorëzoi formularin e pasurisë në ILDKPI, duke paraqitur atëherë argumentin e pragut të daljes në pension. Dhe përveç tyre, po gjatë së njëjtës periudhë dhanë dorëheqjen dhe iu shmangën vetingut edhe juristë të tjerë të tillë si Ilir Çeliku, Ilir Pashaj, Drita Veliaj dhe Sulejman Tola. E nga të gjithë këta, për Mirela Fanën dhe Sulejman Tolën, u vendos që t’i nënshtrohen vetingut edhe pas dorëheqjes së tyre.

 

KPK: Vetingu i ka shkarkuar kryesisht prokurorët edhe gjyqtarët për pasurinë

 

“Shumica e subjekteve që janë shkarkuar kanë pasur probleme me kriterin e pasurisë”. Një pohim i tillë është bërë nga ekspertët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjatë një prononcimi të posaçëm për “Albanian Free Press” lidhur me arsyet kryesore për të cilat po shkarkohen prokurorët dhe gjyqtarët gjatë vetingut. Pa lënë mënjanë gjithsesi, as edhe arsyet e tjera. “Por ka pasur edhe nga ato subjekte që janë shkarkuar vetëm me një kriter atë të figurës, apo edhe raste ku përveç kriterit të pasurisë subjekti ka pasur problem edhe te komponenti i tretë, ai i aftësive profesionale”, sqarojn ë ekspertët e KPK-së. Madje japin edhe shifra konkrete. “Nga 86 subjekte të cilët i janë nënshtruar rivlerësimit kalimtar, 11 prej tyre janë shkarkuar vetëm mbi bazë kriterit të pasurisë, 1 subjekt mbi bazë të vlerësimit të figurës, ndërsa pjesa tjetër është shkarkuar pas një vlerësimi tërësor në tre kriteret e përcaktuara nga ligji”, shtojnë më tej ata.

LIGJI

 Çfarë parashikon procesi i vetingut?

Neni 56

Dorëheqja

Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.

LISTA

Përfaqësues të drejtësisë që kanë dhënë dorëheqjen:

Adriatik Llalla

Besnik Imeraj

Mirela Fana

Eritan Shehu

Adnan Berdica

Etleva Sheri

Petrit Fusha

Ilir Çeliku, etj.