UEFA/ Shqipëria e Kosova, mes dhjetë sfidave të mëdha për Marsin 

UEFA/ Shqipëria e Kosova, mes dhjetë sfidave të mëdha për Marsin 
Mes ndeshjeve të para kualifikuese të Kampionatit Europian, UEFA përzgjedh dhjetë prej tyre, ku më kryesorja mbetet Gjermani-Holandë, por spikasin edhe Shqipëri-Turqi dhe Kosovë-Bullgari

Nga Aranit Muraçi

Kualifikueset për finalet e Kampionatit Europian 2020 nisin këtë të enjte, me dy ndeshje të mëdha. Në garë për 24 ekipet finaliste do të jenë 55 ekipe përfaqësuese, mes tyre edhe Shqipëria e Kosova.  Lidhur me ndeshjet e para, të secilit grup, UEFA ka përzgjedhur 10 ndeshjet më të mëdha, dy prej të cilave janë edhe derbet ballkanase, Shqipëri-Turqisë e Kosovë-Bullgari.

Të enjten, 21 Mars

Austri-Poloni

Dy shokë të të njëjtit ekip te Bayern, David Alaba e Robert Levandovski, do të takohet si kundërshtarë në Vjenë. Të dy ekipet arritën të kualifikohen në Euro 2016, madje Polonia ishte pjesëmarrëse edhe në finalet e Kupës së Botës, Rusi 2018, ndonëse zhgënjeu duke përfunduar e fundit në grupin e saj. Të dyja ekipet janë ndeshur për herë të fundit në Euro 2008, duke e mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen e zhvilluar në “Ernst-Happel-Stadion”. Trajneri me origjinë gjermane i Polonisë, Jerzy Brzęczek,e  ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në Austri, dhe futet në këtë ndeshje me pretendimin se e njeh mirë kundërshtarin.

Belgjikë-Rusi

Belgjika dhe Rusia barazuan 3-3 në një miqësore që zhvilluan gjatë vitit 2017 në Sochi, para se të nisnin llogaritë për finalet e Botërorit 2018. Belgjika doli e treta në Botërorin e fundit, ndërsa Rusia si vend organizator shkoi deri në çerekfinale. Ndeshja e tyre e fundit zyrtare është shënuar në finalet e Kupës së Botës, Brazil 2014, ku  Divock Orig me golin e tij në fundin e ndeshjes i dha fitoren 1-0 Belgjikës, si dhe një vend në 16 më të mirat. Rusia do të masë sërish forcat kundrejt një ekipi që ka në gjirin e saj lojtarë në formë, sidomos ata që janë pjesë e Manchester United, Kevin De Bruyne, Vincent Kompany e Axel Vitsel.

Të premten, 22 Mars

Portugali- Ukrainë

Cristiano Ronaldo ka shënuar tetë gola në katër ndeshje që ka luajtur kundër ekipeve ukrainase, ndërsa kërkon të ketë të njëjtin sukses edhe me kombëtaren e tij. Portugalia si kampione në fuqi e Europës do të përballet me ekipin që drejtohet nga i mirënjohuri  Andriy Shevchenko. Në dy përballjet e vetme zyrtare, Portugalia me Ukrainën ka humbur 2-1 në kualifikueset e Botërorit 1998, por fitoi në ndeshjen tjetër 1-0,

Shqipëri-Turqi

Shqipëria shënoi për herë të parë kualifikimin historik në finalet e EURO 2016, ndonëse nuk e kaloi dot grupin. Pavarësisht se zhgënjeu edhe në Ligën e Kombeve, të besuarit e Christian Panucci ka të ngjarë ta nisin Grupin H si favoritë, sidomos nga historia pozitive që ata kanë ndaj kundërshtarit të së premtes, Turqisë. Gjysmëfinalistja e Euro 2008, Turqia, i nis kualifikueset me një trajner të ri në stol, veteranin rumun, Mircea Lucescu, i cili u emërua në stol muajin e kaluar. Si sfidë kryesore ndaj Shqipërisë ai ka rikthimin te goli, të cilën Turqia nuk e ka gjetur në katër ndeshjet e fundit.

Të shtunën, 23 Mars           

Itali-Finlandë

Fitorja e vetme e finlandezëve kundër Italisë daton herët, në Lojërat Olimpike 1912, kur nordikët shkuan në gjysmëfinale. Por të Kaltrit kanë triumfuar në 11 nga 12 përballjet e kaluara. Në Finlandë kërkohet të vazhdohet me suksesin e Ligës së Kombeve, falë edhe formës së mirë që po kalon sulmuesi Teemu Pukki. Italia pas zhgënjimit në Botërorin e fundit  shpreson që të mos e vërë më në diskutim kualifikimin. Veterani i  Sampdorias, Fabio Quagliarella, 36-vjeç, si dhe mesfushori i Romës, debutuesi  Nicolò Zaniolo, 19-vjeç, janë thirrur të dy si surprizat e trajnerit Mancini.

Të dielën, 24 Mars

Holandë-Gjermani

Është kjo padyshim kryefjala e ndeshjeve të para kualifikuese. Tifozët holandezë shijuan më në fund fitoren aq të shumëpritur ndaj rivalit të tyre historik, 3-0, gjatë Ligës së Kombeve, pasi Holanda fitoren e fundit ndaj fqinjit të saj e kishte arritur në një miqësore të vitit 2002. Holanda mungoi në finalet e Euro 2016, po ashtu edhe në Botërorin 2018, mungesa që e bëjnë këtë kombëtare “të uritur”, për të mos rrezikuar një tjetër dështim, ndonëse përballë kanë Gjermaninë. Të besuarit e Joakin Lëv nuk fitojnë prej pesë ndeshjeve, çka tulipanët do të përpiqen të shfrytëzojnë edhe këtë tregues. Trajneri gjerman do të bazohet tek emrat e disa të rinjve, si Niklas Stark, Lukas Klostermann e Maximilian Eggestein, për t’u rikthyer te fitorja e munguar.

Hungari-Kroaci

Balancimin e këtyre dy ekipeve e tregon historia, ndonëse kroatët vijnë në këtë takim si nën-kampionë Bote. Që kur janë takuar për herë të parë në vitin 1940, ndeshjet mes Hungarisë dhe Kroacisë kanë pasur trendin të mbyllen në barazim, ashtu siç ka ndodhur në gjashtë nga 10 takimet mes tyre. Hungaria i ka fituar tre ndeshjet e fundit në shtëpi nën drejtimin e trajnerit të ri, Marco Rossi; por a do të arrijnë një të katërt ndaj finalistëve të Botërorit 2018?

Të hënën, 25 Mars

Kosovë- Bullgari

Kosova dështoi në kualifikueset e kaluara të Botërorit, por surprizoi në Ligën D të Kombeve, duke u ngjitur në krye të grupit, madje e mbylli fushatën pa asnjë humbje, përfshirë edhe një fitore të pastër 4-0 kundër Azerbajxhanit. Bullgaria mungon në finalet e Europianit prej vitit 2004, por në Prishtinë, në një tjetër derbi ballkanik, a do të ketë avantazhin e historisë?

Portugali-Serbi

Serbia, pas prishjes së Federatës së Jugosllavisë, ka arritur të kualifikohet dy herë në finalet e Kupës së Botës, por ende jo në finalet e Europianit. Portugalia dhe Ukraina janë dy rivalët e saj kryesorë në këto kualifikuese, në Grupin B, ndërkohë që në gjirin e saj ka lojtarë që e njohin mirë Portugalinë.  Ljubomir Fejsa e Andrija Zivkoviv luajnë për ekipin e Benfikës, ndërsa 21-vjeçari Luka Jovic (i huazuar nga Benfika te Eintracht), shihet si një talent i madh.

Të martën, 26 Mars

Zvicër-Danimarkë

Danimarka triumfoi 4-1 në udhëtimin e saj në Bazel, por kjo ka ndodhur në një miqësore të vitit 1953 dhe prej asaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra. Të dyja këto ekipe kaluan fazën e grupeve në Botërorin e fundit, si dhe i fituan grupet në Ligën e Kombeve. Zvicra i arriti finalet me një fitore 5-2 kundër Belgjikës. Sulmuesi danez Yussuf Poulsen dhe portieri i dytë zviceran, Yvon Mvogo, janë shokë skuadre te Leipzig.