Tronditet bota e sportit, pesë skiatorë të arrestuar për “dopingun e gjakut”. Nën hetim edhe polici që zbuloi skandalin

Tronditet bota e sportit, pesë skiatorë të arrestuar për “dopingun e gjakut”. Nën hetim edhe polici që zbuloi skandalin
Bota e skive është e përfshirë në një skandal i cilësuar si “dopingu i gjakut”, ku atletët injektojnë gjakun e modifikuar në venat e veta.

Skandali shpërtheu pasi pamjet filmike treguan skiatorin austriak Max Hauke, duke i bërë vetes një transfuzion gjaku.

Ai ishte një nga pesë atletë të arrestuar në Seefeld të Austrisë, vendi mikpritës i Kampionatit Botëror të Skive Nordike.

Policia gjermane dhe ajo austriake kanë kryer deri tani 16 kontrolle në një operacion që ka përfshirë 120 efektivë nga policitë e dy vendeve.

Në Erfurt të Gjermanisë policia tha se kishte gjetur një laborator të dopingut të gjakut.

Përveç austriakut Max Hauke, në pranga kanë përfunduar edhe bashkëkombësi i tij austriak Dominik Baldauf, dy atletë estonezë Karel Tammjärv dhe Andreas Veerpalu si dhe skiatori kazak Alexey Poltoranin.

Të pestë sportistët janë liruar, por do të përballen me akuzat penale në një proces gjyqësor.

Figura qendrore e skandalit është një mjek sportiv 40-vjeçar, i quajtur Mark S., gjithashtu i arrestuar si dhe tre persona të tjerë të përfshirë në skandalin e dopingut.

Por nuk janë vetëm sportistët që po vuajnë pasojat e skandalit.

Transmetuesi austriak ORF bëri të ditur se oficeri i policisë i cili kishte zbuluar videon e skiatorit Hauke ​​po hetohet dhe mund të përballet me procedura disiplinore dhe penale.

Ai akuzohet për dhënien e pamjeve filmike në media, ndërsa mësohet se është larguar nga detyra “me efekt të menjëhershëm”.

Arrestimet kanë shkaktuar tronditje në botën e sportit, për më tepër që kanë ndodhur në mes të një prej garave më të mëdha botërore. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google