Trajneri i ri, Shqipëria zgjedh mes Italisë dhe “Ish”-ëve

Trajneri i ri, Shqipëria zgjedh mes Italisë dhe “Ish”-ëve
Ish-trajneri i Atalantës, Edy Reja pas ndeshjes ndaj Andorrës vjen në Tiranë. Ai shihet një hap larg stolit të Kombëtares shqiptare, por nëse nuk do të arrihet marrëveshja me të, FSHF ka gati planin B me ish-emra të tjerë: Gianni de Biasi, Besnik Hasi dhe Arjan Peço.

Nga Aranit Muraçi

Christian Panicucci tashmë është në Romë, në vendlindjen e tij, prej nga ku nuk ka zgjedhje tjetër gjatë mbrëmjes (Italia nuk luan),  veçse të ndjekë kuqezinjtë nga shtëpia përmes ekranit. I shkarkuar pas ndeshjes së parë zyrtare, të kualifikueseve Euro 2020, në humbjen 2-0 me Turqinë, Panucci i dha fund karrierës gati dy-vjeçare në stolin e Kombëtares Shqiptare. Kontrata e tij mbyllej në nëntor çka do të thotë se shkarkimi i tij i kushtoi rreth 300 mijë euro FSHF-së. Në fakt shkarkimi i Panucci-t ishte paralajmëruar pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, nisur nga luhatjet dhe rezultatet e dobëta, që nuk u ndalën asnjëherë.  Panucci ishte brenda objektivit dhe besonte se mund të realizohej deri në fund të nëntorit, kur do të mbyllej fushata e ndeshjeve kualifikuese, ku edhe si objektiv kishte kualifikimin. Për të mos vënë në dyshim këtë objektiv, FSHF, kishte nisur bisedimet me pasardhësin e Panucci-t, ish-trajnerin e Atalantës, Edy Reja, i pranishëm gjatë humbjes me Turqinë në “Loro Boriçi”. Pas humbjes dhe shkarkimit të trajnerit, i cili famën e ka ende si ish-mbrojtësi i shquar italian, që ka luajtur me ekipet Real Madrid, Milan, Roma, Chelsea etj, FSHF ka pasur një takim fillimisht me Reja, me të cilin do të zhvillojë edhe një takim të dytë, për të vendosur përfundimisht nëse do të jetë ai trajneri i ardhshëm i Kombëtares shqiptare, për ndeshjet e mbetura kualifikuese të Europianit, apo edhe më gjatë.

Edy Reja

Pas Gianni de Biasi e Christian Panucci, Kombëtarja e Shqipërisë të ardhmen e sheh sërish me një tjetër emër italian, tashmë i kontaktuar dhe gati për t’u emëruar.  Siç edhe raportohej dje nga e përditshmja italiane “Il Corriere dello Sport”, në fakt, pas disfatës së hidhur 0-2 kundër Turqisë, Shqipëria dëshironte t’ia besojë stolin një njeriu me përvojë. Edy Reja ka përvojë nën drejtimin e  disa skuadrave italiane të Seria A - ndër të cilët edhe Napoli, Lazio. Së fundmi drejtoi për plot pesëdhjetë e tre ndeshje Atalantën në Seria A, duke korrur edhe sukses. Reja pas bisedimeve të para duhet të mbërrijë një ditë pas ndeshjes kundër Andorrës në Tiranë për bisedimet e fundit, të planifikuara për të martën dhe të mërkurën. Në  rast se do të arrihet akordi, Edy Reja do të ishte italian i katërt që merr drejtimin e kuqezinjve, nën “epokën” e Armand Dukës, pas emrave të mëparshëm si Dossena, De Biasi dhe Panucci. Trajneri i Atalanta ka qenë i lidhur me klube për tre sezone, por tashmë pa ekip, ka shprehur dëshirën se kërkon të kthehet në fushë me një skudër kombëtare: ai madje më herët ishte afër Sllovenisë dhe Greqisë. Shqipëria e sheh përvojën e tij të vlefshme edhe për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022.

“Ish”- ët kuqezi

Nëse nuk arrihet akordi me Edy Reja, FSHF ka një sërë kandidatësh të tjerë, por ata shihen për periudhën deri në fund të kualifikueseve Euro 2020, si kusht për të vijuar më tej me një projekt dy-vjeçar për Botërorin e Katarit. Në ndeshjen e dytë ndaj Andorrës, Kombëtaren kuqezi do të drejtojnë dy trajnerë vendas, Ervin Bulku (ndihmës i Panucci-t), si dhe Sulejman Starova, ndërkohë që pas këtij takimi brenda muajit do të emërohet trajneri i ri. Luigi De Kanio, ish-trajneri i Udines, i lakuar edhe më herët, ka dalë në skenë si një alternativë e dytë për të marrë drejtimin e Kombëtares, megjithëse me shanse më të pakta.

Si kandidaturë e mundshme është lakuar edhe emri i ish-trajnerit, Gianni de Biasi, i cili udhëhoqi kuqezinjtë drejt suksesit në Euro 2016. Fakt që pranohet edhe nga ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, por ai është shprehur i bindur se rikthimi i tij do të ndodh vetëm kur përballë tij të vihet një projekt serioz.  “Dhashë dorëheqjen për ta rifilluar sërish. Nëse do të doja të kthehesha, do ta kisha bërë. Dua të filloj nga një projekt i rëndësishëm. Më kërkuan Frosinone, Venezia dhe Armenia, por në fund vendosa të jem pushim”,- u shpreh de Biasi. Ndryshe nga eksperienca e kaluar, De Biasi mund të rikthehet jo si i huaj, pasi e ka fituar nënshtetësinë shqiptare pak kohë më parë.

Krahas të huajve, kryesisht italianë, alternativë serioze për stolin e Kombëtares mbeten edhe ish-mesfushori dhe kapiteni i kuqezinjve, Besnik Hasi, i cili aktualisht është i lirë. Hasi shihet më i favorshëm nëse Reja refuzon ofertën kuqezi. FSHF në këtë rast planifikon një trajner provizor që duhet të zëvendësojë Panucci-n, mbi kontratën që ai kishte deri në fund të kualifikuesve, me të drejtë rinovimi, nëse gjatë këtij viti Kombëtarja do të ketë rezultate bindëse. Emri tjetër që ka dalë në skenë është ai i Arjan Peçon, i cili drejton Basel U-19. Ish-futbollisti i Dinamos edhe i Kombëtares drejton prej vitesh me sukses të rinjtë e Basel, ku edhe ka fituar përvojën për të reformuar një ekip, fazë në të cilën ndodhen aktualisht kuqezinjtë, pas disa zhgënjimeve radhazi.

Trajneri i ri kuqezi pritet të debutojë me Islandën më 8 qershor në ndeshjen e tretë kualifikuese jashtë, por më kryesorja ndaj Moldavisë, në ndeshjen e katërt zyrtare “Euro 2020”, që do të luhet në stadiumin e ri të sapondërtuar në kryeqytet, “Arena Kombëtare”, më 11 qershor.