“Timonierët” pa skuadër të Europës!

“Timonierët” pa skuadër të Europës!
Ish-trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane është enigma më e madhe, e cila besohet se do të zgjidhet pas këtij sezoni, ku e pret ish-ekipi i tij: Juventus

Aranit Muraçi

Janë emra të mëdhenj trajnerësh që kanë mbetur pa skuadër, por ka edhe trajnerë që nëprag shkarkimi, janë futur në bisedime për të projektuar të ardhmen e tyre. Janë klube të mëdha, si Real Madrid, Juventus, Chelsea, Inter apo edhe PSG, që kanë nisur prej kohësh bisedimet me trajnerët e lirë apo të lëkundur,  të cilat përveç se nuk duan të rrezikojnë objektivin e këtij sezoni, kanë nisur planet e së ardhmes me timonierët e duhur. Janë cilat janë disa nga dilemat e mëdha:

Zinedine Zidane

Zinedine Zidane raportohet gjerësisht në mediat e huaja se do të jetë pasuesi i Massimiliano Allegri tek Juventus, pas këtij sezoni. Kjo merr edhe më shumë kuptim, nëse i referohemi fjalëve të Zidane se do të rikthehej pas një viti, kur vendosi të largohej nga Real Madrid. Edhe nëse Allegri fiton trofeun Champions, Juventus duket se nuk ka ndërmend të vazhdojë udhëtimin me trajnerin aktual, pasi këtë sukses do ta konsideronte si arritje falë ardhjes se Cristiano Ronaldos. Portugezi iku nga Real Madrid, pas tre trofeve radhazi të UEFA Champions League, ashtu sikurse u largua edhe francezi i stolit madrilen, teksa tani shihet favorit Juventus për ta rikthyer atë në Torino. Zidane ishte lojtar i Juves, para se t’i bashkohej Real Madrid ku nisi edhe karrierën e trajnerit. Madje raportimet lidhin edhe brazilianin Marcelo me projektin e së ardhmes së bardhezinjve, pas këtij sezoni. Nën drejtimin e trajnerit aktual të Realit, Santiago Solari, ka pasur probleme për Marcelo, lojtar që pëlqehet shumë nga bardhezinjtë.

 Masimiliano Allegri

Nëse nuk fiton Champions, largimi i tij edhe pa ardhjen e Zidane, konsiderohet i sigurt. Me ardhjen e Zidane, Allegri nuk e ka të sigurt qëndrimin. Titulli e tetë radhazi kampion i Seria A, që shihet i realizuar para kohe, konsiderohet meritë e klubit dhe e trajnerit. Juventus humbi 2-0 me Atletico Madrid në ndeshjen e parë të Champions, për një vend në çerekfinale dhe e ka të vështirë përmbysjen, çka kjo shihet si një dështim i mundshëm i trajnerit. Nëse ai largohet, sinjalet nga Madridi nuk kanë munguar. Alternativë e hapur mbetet edhe kampionati anglez pasi Chelsea është pranë shkarkimit të Maurizo Sarri, ndërkohë që mbetet e hapur porta edhe te Paris Saint Germain.

Maurizo Sarri

Prej kohesh gjendet në mesin ë një cikloni mediatik, por dhe nën presionin e presidentit të Chelsea, Roman Abramovich. Humbja e mundshme me Totenhmenin mund të sillte shkarkimin e tij. Pa kaluar ende një sezon Sarri urrehet edhe nga tifozëria londiezë, por edhe marrëdhëniet e tij me ekipin nuk paraqiten më të mira. Mbetet për t’u parë nëse italiani do t’ia dalë të mbyllë sezonin në stolin e Chelsea, apo do të rikthehet në Itali. Roma shihet si një opsion i vlefshëm, në fund të këtij sezoni. Ashtu sikurse largimi i trajnerit aktual Eusebio di Francesco, shihet si i pashmangshëm.

Antonio Conte

E lidhin me Inter, edhe pse u konsiderua shumë pranë Realit të Madridit, kur prej këtij ekipi u largua Zidane. Filozofia e trajnerit italian flet për pranimin e një projekti afatgjatë dhe Inter vazhdon të mbetet pas tij. Sigurisht që Interi nuk është më ai i vitit 2011 dhe projekton rikthimin në nivelet më të larta. Raporti i Contes me Marottan premton për një marrëveshje të mundshme mes tyre, ndërkohë që asgjë nuk shihet e sigurt për të ardhmen e ish-trajnerin e Juves e Chelsea.

Jose Mourinho

Jose Mourinho, pa një trofe prej thuajse dy vjetësh dhe i shkarkuar nga “Djajtë e Kuq” në mes të sezonit, ka mbetur pa skuadër. Zërat për emërimin e tij në stolin e “Los Blancos” u dukën të besueshme, por disa rezultate të mira të Solarit po e shtyjnë Mourinho ta mbyllë sezonin në shtëpi. Trajneri portugez shihet edhe si pasues i Luciano Spalleti te Inter, në fund të këtij sezoni,  pasi zikaltërit kujtojnë me nostalgji kohën kur ai drejtonte ekipin e Seria A dhe realizoi tripletën e famshme.

Luciano Spalletti

Trajneri aktual i Inter po luan kartat e fundit për vazhdimësinë, madje përveç kritikave, mediat italiane raportojnë se ai mund të shkarkohet pa ,mbaruar sezonin nga Inter. Edhe pse sinjalet nuk janë aspak inkurajuese, ndërsa drejtuesit zikaltër duket se duke mos pasur alternativë për një trajner provizor, i kanë afruar besimin deri në fund të sezonit. Kusht do të jetë që Inter të mbajë vendin e tretë, që të mos vihet në rrezik zona Champions. Me trofeun e  Europa League dhe me pjesëmarrjen në Chmapions, situata mund të ndryshojë, por duket e vështirë.

Mauricio Pochettino

U shfaq i zemëruar pas humbjes së Tottenham me Chelsea. Por puna e mirë që ka bërë në Londër e ka vënë prej kohësh në shënjestrën e Real Madrid e Manchester United trajnerin aktual të “Spurs”. Solari te Real Madrid dhe Solskjaer te United janë të dy trajnerë provizorë, të cilëve u përfundon kontrata në fund të këtij sezoni. Kontrata e tyre është lidhur për me qëllim, që pas këtij sezoni dy klubet e mëdha të ulin në stol trajnerin e duhur dhe Mauricio Pochettino shihet ideali për Real Madrid e Manchester United.