THOMAS GUIDARA/ “Tradhtari” argjentinas gati për Shqipërinë, pret vetëm pasaportën

THOMAS GUIDARA/ “Tradhtari” argjentinas gati për Shqipërinë, pret vetëm pasaportën
Thomas Guidara, lojtari i ri i ekipit të Belgrano në kampionatin argjentinas, i lindur në Cordoba të Argjentinës dhe me origjinë arbëreshë, pranon ofertën dhe arsyet pse  është gati të vishet kuqezi

Nga Aranit Muraçi

Vite më parë, futbolli miratoi dinamikën e tregut për lëvizjen e lojtarëve mes klubeve dhe federatave kombëtare. Kjo dinamikë ka prekur edhe Kombëtaren Shqiptare, së cilës i janë larguar një numër i konsiderueshëm lojtarësh për të përfaqësuar ekipe të tjera. Por përpos largimeve ka edhe surpriza. Një futbollist me origjinë të largët shqiptare, nga arbëreshët e Italisë, por që ka lindur dhe jeton në Argjentinë, pritet të jetë risia e listës “Panucci”, në ndeshjet kualifikuese “Euro 2020”. “Albanian Free Press” mësoi se këto ditë, Federata e Shqipërisë është duke bërë çdo gjë të nevojshme për Thomas Guidara, 22-vjeç, lojtarin e ri të Belgrano, lindur në Cordoba të Argjentinës, që ai të vishet kuqezi. Palët kanë shkëmbyer dokumentacionin. Zyrtarët e Shqipërisë e kanë kontaktuar futbollistin prej dy muajsh dhe përmes procedurave të përshpejtuara po bëjnë gjithçka është e mundur që Guidara, të pajiset këtë muaj me nënshtetësi shqiptare.

“Tradhtarët” e Argjentinës

Argjentina ka vuajtur që në vitet e para të Kupës së Botës nga eksodi i largimeve. Italia me argjentinasit Luis Monti, Enrique Guaita, Raimundo Orsi dhe Atilio Demaría u shpall kampione Bote në vitin 1938. Trendi i largimeve të futbollistëve argjentinas është intensifikuar kohët e fundit. Lojtarë të sapo-thirrur nga Argjentina, si Mauro Camoranesi, Daniel Osvaldo, Ezequiel Schelotto, Gabriel Paletta dhe i “penduari” Franco Vazquez, kanë zgjedhur të përfaqsojnë Italinë gjatë viteve të fundit. Dhe të tjerë kanë zgjedhur kombëtare të tjera: Paraguai rekrutoi  lojtarë si Lucas Barrios, apo edhe të tjerë me origjinë argjentinase: Jonathan Santana, Nestor Ortigoza dhe Jonathan Fabbro; Kili mori Matias Fernández; Ekuadori fitoi shërbimet e Marcelo Elizaga dhe Ariel Graziani; Meksika rrëmbeu Guillermo Franco e së fundmi edhe Damian Alvarez dhe Christian Giménez, Spanja, përpara se të bëhej një fuqi botërore kishte në gjirin e saj dy argjentinas: Juan Antonio Pizzi dhe Mariano Pernia. Ndryshe nga të tjerët që ishin me origjinë argjentinase por janë natyralizuar, mbrojtësi që do të bashkohet me kuqezinjtë, bëhet pjesë e Shqipërisë prej origjinës së tij. Thomas Guidara, sapo të zyrtarizohet, do të jetë një tjetër argjentinas që largohet për të përfaqësuar origjinën e tij.

“Rrënjët” e një shqiptari

Për një futbollisti të ri në moshë dhe me perspektivën që mund të luajë edhe me Kombëtaren e Argjentinës, përse duhet të jetë tërheqëse Shqipëria, e cila nuk ka marrë pjesë asnjëherë në finalet e Kupës së Botës, dhe është pjesëmarrëse vetëm një herë në finalet e Europianit të fundit, “Euro 2016”? Të gjithë ata që kanë lindur e janë rritur në Argjentinë, ekip që i ka dhënë botës emra si Diego Maradona apo Lionel Mesi, është e logjikshme se ëndërrojnë të jenë pjesë e kombëtares së vendit të tyre. Argjentina në fakt ka dhënë sinjale dhe e ka pasur në vëzhgim mbrojtësin. Por Guidara, për dy arsye shumë bindëse, do të vishet kuqezi: mbrojtësi, i cili ka prejardhje shqiptare, sheh më tepër hapësirë dhe mundësi për një karrierë më të mirë ndërkombëtare, në rast se bashkohet me Shqipërinë.  E dyta, trajneri Christian Panucci, ish-mbrojtës i ekipit italian që ka fituar një herë Champions me Milan dhe një tjetër me Real Madrid, ka qenë po aq bindës për mbrojtësin. Panucci, edhe si asistent i Fabio Capello Russian te ekipi kombëtar i Rusisë, komunikoi me Guidara në janar dhe i siguroi atij një  vend solid në mbrojtjen kuqezi, krah Elseid Hysaj të Napolit. “Ai është një lojtar i yni, kur ne të kemi parë pasaportën e tij, sepse shumë kanë shprehur gatishmërinë që të vijnë dhe të luajnë me ne dhe pastaj zgjedhin vende të tjera”, tha Panucci, duke pranuar kështu se pret që lojtari të jetë gati, ndoshta në përballen e parë zyrtare me Turqinë më 22 mars. Që do të jetë pjesë e Shqipërisë, kjo pranohet zyrtarisht edhe nga Guidara.

Guidara, bindja pas takimit me Panucci-n

Guidara, nga ana e tij, konfirmoi se dy muaj më parë ka pasur një takim me trajnerin Panucci, me të cilin ka rënë dakord që të bëhet pjesë e Kombëtares së Shqipërisë: “Po, ai më thirri, ne kemi folur dhe ai me të vërtetë dëshironte që unë të jem pjesë e ekipit të tij. Ishte një ftesë shumë serioze. Trajneri po punon shumë mirë. E vërteta që më befasoi kur më thirri është fakti se Panucci ka qenë një lojtar i madh. Sigurisht kam shumë për të mësuar prej tij.” Shqetësimi i vetëm është udhëtimi i largët nga Argjentina drejt Shqipërisë, por “Albanian Free Press” mëson se pas këtij sezoni mbrojtësi ka për qëllim që t’i bashkohet një lige evropiane. Është kjo një arsye më shumë që Guidara ka vendosur të vishet kuqezi.