Tenderët, një pjesë e mirë e bizneseve ende po përjashtohen nga pjesëmarrja

Tenderët, një pjesë e mirë e bizneseve ende po përjashtohen nga pjesëmarrja
Futen për të marrë pjesë në një tender, por gjatë rrugës ata përjashtohen nga gara e tij. Ky është “fati” që kanë ende jo pak, por një pjesë e mirë e bizneseve që marrin pjesë në to. Dukuri kjo, e cila konfirmohet nga vetë Agjencia e Prokurimeve Publike. Në analizën e saj për të gjithë tenderat e realizuar vjet, ekspertët e saj pohojnë se gjatë gjithë vitit 2018 “janë shqyrtuar 55 propozime për përjashtimin e operatorëve ekonomikë”. Duke argumentuar se të tilla përjashtime nga tenderat, por edhe koncesionet dhe partneritetet publike private konstatohet, për më shumë se gjysmën e bizneseve janë bërë pikërisht për shkak të keqinformimit të tyre.

Nga ana tjetër, pranohet edhe dukuria se një pjesë e bizneseve paraqesin dokumente me të dhëna të rreme, vetëm për qëllime kualifikimi në një tender. Konkretisht, sipas APP-së, nga 55 rastet e propozuara për përjashtimin nga tenderat, 33 prej tyre kanë qenë për këto arsye. Ndërsa 20 të tjera, pasi është vlerësuar se bizneset e penalizuara nuk përmbushnin detyrimet kontraktuale. Duke bërë kështu, që në fund të garës së tenderave të mbeten shumë pak garues, ndryshe nga momenti i nisjes së saj, kur paraqiten shumë ofertues.

“Vjet, është marrë vendim për përjashtim nga e drejta për të marrë pjesë në prokurime, për 4 operatorë ekonomikë më shumë se në vitin 2017”, thuhet mes të tjerash në analizën vjetore të APP-së. Duke pranuar nga ana tjetër se është fakt që gjatë vitit të kaluar, nëpër tendera kanë marrë pjesë më shumë biznese, në krahasim me një vit më parë.

“Për vitin 2018, në sistemin e prokurimit elektronik në rolin e operatorëve ekonomikë janë regjistruar 18.629 operatorë ekonomikë të rinj, 217 më shumë se në vitin 2017”, pohojnë ekspertët e prokurimeve publike. Duke shtuar se 83 nga këta janë operatorë ekonomikë të huaj. Ndërsa numrin më të madh të orfertave e zënë ato të bëra në procedurat me vlerë të vogël, deri në 800.000 lekë.

“Numri total i procedurave të prokurimit të publikuara për t’u zhvilluar gjatë vitit 2018, sipas llojeve të kontratave, shërbim, mall dhe punë është 8.400, 1.083 më shumë se në vitin 2017”, pohojnë ekspertët e APP-së

 

Fondet për tenderat në Shqipëri rreth 7% e PBB-së, ja krahasimi me rajonin

Fondi që vendet e rajonit kanë vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit vetëm për prokurime publike gjatë një viti ka qenë mesatarisht rreth 7%-12% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ku Shqipëria, renditet përkrah Serbisë dhe Kosovës, lidhur me këtë tregues, me vetëm 7% të fondeve “të taksura” për tendera ndaj shërbimeve dhe punëve të ndryshme publike. “Sipas raportit të Komisionit Europian, prokurimi publik në Kosovë arriti në 7.35% të PBB-së, me një vlerë prej 459.7 milionë euro”, pohojnë ekspertët e APP-së. Duke shtuar se në Serbi, ky tregues arriti në rreth 7.2% të PBB-së, duke pësuar një rënie të lehtë nga vjet kur prokurimi publik zinte 8% të PBB-së. Ndërsa duhet thënë se Mali i Zi ka nivelin më të lartë të fondeve për tendera, deri në 10% të PBB-së, së bashku me Maqedoninë. Edhe pse këto dy vende në fakt, kanë pësuar një rënie të këtij treguesi nga viti në vit. Çka përkthehet në praktikë, në më pak pará të vëna në dispozicion nga arka e buxhetit të shtetit për prokurime publike.

 

Mijëra procedura konkurrimi në tendera të anuluara, arsyet janë ligjore e teknike

“Nga 8400 procedurat e shpallura për t’u zhvilluar në sistemin e prokurimit elektronik, 2353 prej tyre janë anuluar”. Ky është një tjetër konstatim i bërë nga drejtuesit e Agjencisë së Prokurimeve Publike mbi ecurinë e tyre gjatë vitit të kaluar. Duke shtuar se anulimi i tyre ka qenë edhe më i lartë se në vitin pararendës, 2017, kur ato numëroheshin se ishin vetëm 2161 procedura. “Duke qenë se këto procedura zhvillohen në formë elektronike, ka dy arsye kryesore anulimi: arsye teknike dhe arsye ligjore”, sqarojnë më tej ekspertët. Më në detaje, sipas tyre, ndër arsyet teknike evidentohen gabimet në hapat e prokurimit elektronik, që çojnë në anullimin e procedurave. Kurse ndër arsyet ligjore, ekspertët përmendin mungesën e konkurrencës gjatë zhvillimit të procedurave. Apo edhe anllime për shkak të ndryshimeve në fondet buxhetore, etj. “Një rast tjetër që vlen të përmendet në funksion të analizës së anullimeve është dhe rasti kur procedurat shpallen me lote”, sqarojnë gjithashtu ekspertët.

 

Tenderat për ilaçet dhe transportet për mësuesit, ato që anulohen më shumë

Tenderat për ilaçet dhe ato të transportit për mësuesit, duket se janë ato që anulohen më shumë. Kjo konfirmohet edhe nga Agjencia e Prokurimit Publik. Sipas saj, “numri më i madh i anulimeve, 1300 procedura, i takon prokurimit të shpallur me lote. Mbi 80% të tyre u takojnë procedurave për blerje të medikamenteve dhe materialeve të shërbimit shëndetësor, ku kryesisht janë anuluar ato lote që prokurohen për sasi me vlera të vogla të medikamenteve”. “Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e anulimeve, 370 procedura, i takon shërbimit të transportit për mësues dhe nxënës, sepse në këto procedura kërkohet transport në zona të largëta, që shpesh nuk paraqesin interes për operatorët ekonomikë”, sqarojnë ekspertët e APP-së.