Të rrahësh gjyqtarin “live”, prej paragjykimeve!

Të rrahësh gjyqtarin “live”, prej paragjykimeve!
Dhuna në Kamëz ndaj gjyqtarit të FIFA-s, Hamiti, një rast i përsëritur dhe i shëmtuar që shfaqet rëndom në fushat e blerta, madje ndodh gjatë transmetimit direkt duke terrorizuar qytetarët. Pse përsëritet në vend që të zhduket ky fenomen. Krahasimi me vendet e zhvilluara dhe ato fqinje?!  

Nga Aranit Muraçi

Në fund të takimit Kamza-Laçi, i vlefshëm për javën e 24-ët në Kategorinë Superiore, që përfundoi 1-1, tifozët vendas kaluan gardhin rrethues të stadiumit dhe sulmuan gjyqtarin kryesor, Eldorjan Hamiti. Shkak u bë një penallti e dhënë në kohë shtesë për miqtë, kur rezultati ishte 1-0 në favor të Kamzës. Por a është normale futja e tifozëve në fushë dhe akoma më keq dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarit, në një kohë kur në vendet e tjera të Europës, edhe futbollisti e ka të ndaluar ta prekë atë nga fanella?

Për futbollin shqiptar, fatkeqësisht ky fenomen është bërë traditë, madje kur ngjarje të tilla ndodhin në Superiore, para kamerave dhe në transmetim direkt, mund të imagjinohet lehtë se çfarë mund të ndodhë në kategoritë më poshtë. Rastet në çdo sezon kanë qenë të shumta, sikurse përpjekjet për të zhdukur fenomenin, nuk kanë dhënë deri tani asnjë rezultat. Rastet e dhunës shtohen dhe bëhen më të frikshme sidomos kur sezonit i vjen fundi, atëherë kur përcaktohen verdiktet, si rënia nga kategoria, titulli kampion, apo një vend në Kupat e Europës. Lidhur me fenomenin thuajse të gjithë pajtohen dhe janë në një mëndje: gjyqtarët në Shqipëri janë të paragjykuar! Në rast se ai bën një gabim njerëzor, kjo merret si e qëllimshme nga ekipi i penalizuar dhe si kompensim ndaj tij ushtrohet dhunë. Shqiptarët e ndjekin masivisht futbollin dhe e dinë që gjyqtarët më të mirë në botë kanë dhënë vendime të gabuara, madje në raste të shumta, edhe në finale të Kupës së Botës, në Champions, apo në çdo ligë dhe garë, duke penalizuar një komb të tërë, ekipe me investime të mëdha e me tifozë anembanë botës. Mbi gjykimet janë ndezur debate të shumta, por nuk ka pasur kurrë dhunë.  Gjyqtari ka gabuar edhe pasi në disa liga është vendosur sistemi VAR, ai i rishikimit të rasteve të dyshimta përmes teknologjisë, duke mos arritur dot të kapë në kohë vendimin e gabuar. Specialistë të fushës i thanë “Albanian Free Press”, se në Shqipëri ekziston i njëjti paragjykim, si me gjyqtarët e sistemit të drejtësisë, ku pala e penalizuar beson se gjyqtari është i paguar nga pala tjetër. Kjo dukuri ka bërë që, edhe ata që janë të ndershëm, profesionistë, të mos dallohen nga pjesa tjetër, madje ndodh që në shumë raste ata të jenë “viktima”. Në futboll gjyqtarët nuk janë të mbrojtur nga policia, pas vendimeve, si në drejtësi. Tifozët janë të shumtë, ata në vend që të ndalen, nxiten nga klubi, ndaj pikërisht për këtë arsye gjyqtarët e futbollit bien shpesh pre e dhunës. Pra, nevojiten politika, si për të zhdukur paragjykimet që dëmtojnë gjyqtarët profesionistë dhe garën dhe derisa të arrihet zhdukja e paragjykimeve e të forcohet kultura sportive, duhet jetë forcuar kodi Penal. Shembull është Anglia, ku në asnjë fushë nuk ka rrethim për tifozët. Por nëse njëri prej tyre, i pakënaqur me gjykimin, guxon dhe zbret nga stadiumi, kjo vepër penale i kushton tre vjet burg dhe ndoshta futbollin duhet ta ndjekë më tej nga ekrani.

Në raste të tilla, edhe në vende e rajonit, ndëshkimi është i rreptë. Futja e tifozëve në fushë, për të vënë “drejtësinë” që ata pretendojnë se u është mohuar nga gjykimi, duke dhunuar gjyqtarët, është krejt e paimagjinueshme.  Edhe pse ka pasur kritika ndaj forcave të sigurisë private, që në momentin e ndërhyrjes në Kamëz u shfaqën të papërgatitura, duhet thënë fakti se akte dhune kanë ndodhur edhe në prani të forcave të rendit, kur sigurinë e merrte përsipër policia. Raste sporadike ndodhin në vendet fqinje. Në Greqi, kujtojmë se sezonin e kaluar presidenti i PAOK u fut në fushë dhe ushtroi presion ndaj gjyqtarit, por vetëm se ai preku armën që e kishte me leje, kjo bëri që kryeministri i këtij vendi, Alexis Tsipras të ndërpriste kampionatin dhe të analizonte situatën, për të marrë masa më të forta, që ngjarje të tilla të mos përsëriteshin më.

 

Reagimi

Pas ngjarjeve policia njoftoi arrestimin në flagrancë të katër personave për ngjarjen, konkretisht të shtetasit Naim Qarri, President i Klubit Kamëz;  A.M., Drejtor Sportiv i Klubit Kamëz; - A.B., Shefi i Klubit Sportiv Kamëz; si dhe E.Gj., një tifoz, ndërsa gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim.

 

Paralajmërimi i FSHF

Policia të marrë masa, ose ndërpritet kampionati

Federata e Futbollit të Shqipërisë dhe Shoqata e Bashkimit të Arbitrave të Futbollit kërkojnë urgjentisht kthimin e policisë në stadiume. Nëse nuk kthehet policia Federata paralajmëron se do shikojnë shumë seriozisht ndërprerjen  kampionatit. Kreu i shoqatës së Bashkimit të Arbitrave të Futbollit Tahur Kastrati paralajmëroi  se mund të marrin dhe masa ekstreme deri në bojkotimin e aktivitetit. “Jeta e gjyqtarëve është në rrezik. Dhuna e ushtruar ndaj arbitrave, që sa vjen e përsëritet e thellohet. Mund të ketë edhe masa ekstreme deri në bojkotimin e aktivitetit nëse nuk merren masa për të shmangur ngjarje të tilla të rëndomta që rrezikojnë jetën e njeriut”. Ilir Shulku, numri dy i FSHF-së, tha: Shpresojmë që situata të mos agravohet. Nëse policia nuk do të ketë reagim do të shikohet me shumë seriozisht vazhdimi ose ndërprerja e kampionatit”. Disiplina pritet të jetë e ashpër ndaj Kamzës, por megjithatë as masat e kaluara të saj, nuk kanë pasur efekt.

Bashkia Lezhë:

“Hamiti gjyqtar i FIFA-s, dhuna e papranueshme”

Bashkia e Lezhës dënoi dhunën ndaj arbitrit lezhjan, Eldorjan Hamiti, gjatë takimit Kamza-Laçi, madje u kërkon organeve të drejtësisë të zbatojnë ligjin. Reagimi i kësaj bashkie lidhet me faktin se Hamitaj i përket kolegjiumit të gjyqtarëve të Lezhës. “Hamiti është i njohur për arritjet dhe profesionalizimin e tij pasi është çertifikuar edhe nga FIFA, ndaj dhuna e shfaqur një ditë më parë është e dënueshme, e pa tolerueshme dhe e pa pranueshme. Bashkia Lezhë i shpreh solidaritetin arbitrit Hamiti dhe i kërkon organeve të drejtësisë të zbatojnë ligjin.”

 

Numri dy i qeverisë

Braçe propozon ligjin anglez: Njerëzit e dhunshëm jashtë stadiumit!

Erion Braçe, numri dy i qeverisë dhe ndjekës i rregullt i kampionatit, si tifoz i Partizanit, lidhur me ngjarjen në Kamëz tha: Është e paimagjinueshme. Nuk qëndron problemi te policia, pasi ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe me prezencën e saj në stadium. Për mua duhet të veprojë ligji me shumë forcë. Njerëzit duhet të përballen me ligjin dhe drejtësinë. Duhet të ndryshojë ligji, që këta njerëz të mos futen fare në stadium. Duhet të merremi me ambientin. Të diskutohet edhe modeli anglez, që dënon deri në 5 vite për futjen e tifozit në fushë”. Braçe pati vërejtje edhe për derbin Tirana-Partizani, ku tha se i bëri përshtypje ambienti i dhunshëm, që krijohet në stadiume. “Tifozët shajnë njëra palë, mamanë, motrën, e pastaj kthehet nga ana tjetër kjo gjë. Kam parë prindër që janë larguar nga stadiumi kur shtëllungat e tymi zunë fushën.” Braçe etiketoi më tepër tifozët e Tiranës, por lidhur me ngjarjet e dhunshme dënoi edhe rolin e drejtuesve të klubeve, që për fat të keq shpesh e nxisin atë.