Të ndërtosh në Shqipëri, sa po vjen dhe po shtrenjtohet

Të ndërtosh në Shqipëri, sa po vjen dhe po shtrenjtohet
Të ndërtosh në Shqipëri, sa vjen dhe shtrenjtohet me kalimin e kohës. Duke e kthyer ndërtimin në një aktivitet me kosto gjithmonë e më të lartë. Kjo dukuri konfirmohet edhe nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar u rrit me nivelin prej 1%, krahasuar me një vit më parë. Kjo pasi shumë zëra të aktivitetit të ndërtimit kanë pësuar rritje të tyre.

“Indeksi i grupit “Kosto të tjera” u rrit me 3.3%, pasuar nga “Shpenzime transporti” me 1.9% dhe grupi “Shpenzime për paga” me 1.1%”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Duke pranuar në këtë mënyrë se për ndërtuesit tani kushton më shumë realizimi i një banese të re, nga disa kohë më parë. Kjo pasi, ata duhet të paguajnë më shumë punëtorët e tyre, por edhe për transportin. Ndërsa bie në sy edhe fakti tjetër se materialet me të cilat ndërtohet nuk është se kanë pësuar rritje, madje janë ulur. “Ka shënuar rënie grupi “Shpenzime materiale” me nivelin prej 0.5%”, pohojnë lidhur me këtë ekspertët e INSTAT-it.

E megjithë këto rritje të kostos së ndërtimit, duket se ky aktivitet nuk e ka ndalur aspak “hovin” e tij, sidomos këto dy vitet e fundit. Kjo pasi është shënuar një rritje e lartë e lejeve të ndërtimit të lëshuara nga institucionet, për të realizuar banesa të reja në rang vendi, sidomos në zonën e Tiranës. Gjë që tregon se edhe pse kostoja e ndërtimit po shtohet, sipërmarrësit e këtij sektori nuk kanë ndërmend ta ndalin ritmin e punimeve për to. Kjo falë një kërkese të shtuar për ndërtesa të reja, që mesa duket vazhdon të jetë ende e pranishme në vendin tonë. Plotësimi i së cilës duket se nuk pyet shumë as edhe për çmimet në rritje të ndërtesave të reja që ofrohen nga kompanitë e ndërtimit, pikërisht falë shtrenjtimit të kostove të këtij aktiviteti.