Të huajt s’po ndalen, ende e konsiderojnë Shqipërinë si të vlefshme për të investuar

Të huajt s’po ndalen, ende e konsiderojnë Shqipërinë si të vlefshme për të investuar
Shqipëria duket se paraqet ende interes për një të huaj, që ai të “hedhë paratë” brenda territorit të saj. Këtë dukuri e faktojnë edhe të dhënat më të fundit zyrtare që servir Banka e Shqipërisë, sipas të cilës, gjatë vitit të kaluar investimet e huaja direkte në vend kanë ardhur duke u rritur krahasuar me një vit më parë. Në shifra konkrete, bëhet fjalë për rreth 1 miliard euro që të huajt kanë investuar vjet në tokën shqiptare. E krahasuar me atë të një viti më parë, 2017, ajo rezulton të jetë më e lartë dhe jo pak, por plot 110 milionë euro më shumë. Kjo, pasi në total, gjatë viti 2017 investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën një nivel prej 890 milionë eurosh. Shifër kjo në fakt e njëjtë me atë të vitit 2015. Ndërsa duhet thënë se në vitin 2016, ky tregues arriti një nivel edhe më të lartë, deri në 943 milionë euro, pikërisht falë nënshkrimit të kontratave për ndërtimin e veprave të tilla të rëndësishme strategjike si HEC-i i Devollit, apo edhe i gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP.

Ndërkaq, nëse iu rikthehemi edhe njëherë shifrave të vitit të kaluar rezulton se fundviti ka shënuar edhe “pikun” e invers-timeve të huaja direkte, deri në nivelin e 266 milionë eurove në tremujorin e tretë, apo 264 në tremujorin e katërt. Kurse një vit më parë kjo shifër ka qenë vetëm 221 milionë euro, apo 236 të tilla në vitin pararendës, 2017.

Nga ana tjetër, nëse i referohemi hartës së vendeve prej nga vijnë investimet e huaja direkte në vendin tonë, ajo tregon se pjesa më e madhe e tyre buron nga Zvicra, fluksi i të cilave është plot 1.3 miliardë euro. Pasuar më tej nga vende si Greqia, që e ka këtë fluks deri në nivelin e 1.22 miliardë eurove në total. Apo edhe Holanda, që ka investuar në vendin tonë rreth 1 miliardë euro.

 

1

Miliard euro është niveli i parave që të huajt kanë investuar në total gjatë vitit të kaluar në tokën shqiptare, më shumë  se një vit më parë kur investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën një nivel prej 890 milionë eurosh

 

264

Milionë euro u investuan  vetëm në tremujorin e katërt të vitit të kaluar nga sipërmarrësit e huaj në vendin tonë, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte në nivelin e vetëm 221 milionë eurove, duke folur për rritje të tyre