Tarifat e studimit në degët e Ekonomikut, si ndryshojnë

Tarifat e studimit në degët e Ekonomikut, si ndryshojnë
Shlyerja e tarifave për studentët e ekonomikut do të nisë që në muajin mars, ndërsa afati i fundit është dita para nisjes së sezonit të provimeve të përfundimit të vitit akademik 2018-2019. Sa i takon kushteve të përcaktuara në vendimin e qeverisë për reduktimin e tarifave, ekspertët e Ekonomikut kanë detajuar tashmë tarifat reale që duhet të shlyejnë studentët e viteve të para, të dyta, dhe të treta të ciklit  të parë të studimeve “Bachelor”, si dhe tarifat e studimit për programet e nivelit të dytë “Master profesional”, si dhe Master shkencor” (për të dyja vitet e studimit), duke përfshirë edhe reduktimin e kostos së studimit deri në masën 50 për qind, sipas kategorive ku bën pjesë studenti. Koston e plotë që duhet të shlyeni për secilin cikël, e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit.

Tarifat

Sipas vendimit të marrë, studentët e ciklit “Bachelor” që plotësojnë kushtet për të përfituar reduktimin e tarifës deri në masën 50 për qind do të paguajnë 17,500 lekë. Ndërsa për ciklin e dytë, tarifat variojnë nga 27,000 lekë në 105,000 lekë, sipas kushteve që plotësojnë studentët. Për herë të parë gjatë këtij viti akademik të drejtën për të përfituar reduktim deri në përgjysmim të tarifës së studimit, si dhe mbështetje me bursë, e sigurojnë edhe studentët e ekselencës, me mesatare nga nota 9 deri në 10.

Për të bërë derdhjen e pagesës vjetore të shkollimit, kandidatët duhet të paraqitet pranë departamenteve përkatëse të këtij fakulteti për të tërhequr faturën, të cilën duhet më pas ta dorëzojnë në një nga bankat e nivelit të dytë ku do derdhin edhe shumën përkatëse. Mandati i pagesës duhet dërguar sërish në sekretaritë e fakulteteve, ku dhe bëhet konfirmimi final.

Përfituesit

Në kategorinë e studentëve në nevojë konsiderohen: studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike, bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

Si kategori në nevojë do të trajtohen edhe studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

Pjesë e kësaj kategorie janë edhe të gjithë studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë.

Nga reduktimi i tarifave do të përfitojnë edhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç, studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri në moshën 25 vjeç, studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç, si dhe studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës”.

Nga detyrimi për shlyerjen e tarifës vjetore të studimit përjashtohen edhe studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit përkatës, si dhe studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.