Tanja Fajon: Opozita po përmbush interesat personale, sundimi i ligjit në nivel aspak të kënaqshëm

Tanja Fajon: Opozita po përmbush interesat personale, sundimi i ligjit në nivel aspak të kënaqshëm
Intervistë për gazetën “Albanian Free Press” me eurodeputeten Tanja Fajon, mbi krizën politike në Shqipëri

Në Shqipëri, politika është përfshirë në një krizë e cila duket të jetë në kufijtë e një rrethi vicioz pasi asnjëra nga palët nuk po tërhiqet. Opozita e bashkuar kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie transitore dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ajo vlerëson se këto duhet të bëhen pasi qeveria është përfshirë në afera kriminale. Për këtë, opozita dorëzoi të gjitha mandatet e deputetëve të saj duke bërë që Parlamenti, ashtu si qeveria të kontrollohet tërësisht nga Partia Socialiste e cila ka shumicë të mjaftueshme për të funksionuar.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë dhe i mazhorancës së majtë, thotë se nuk ka arsye të japë dorëheqjen dhe se ka një mandat të dytë katërvjeçar që përfundon në verën e vitit 2021. Rama thotë se Partia Socialiste që ai kryeson do të vazhdojë normalisht punën për zgjedhjet lokale që janë në fund të qershorit.

Lidhur me këto zhvillime, IBNA intervistoi eurodeputeten Tanja Fajon. Ajo flet në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Albanian Free Press”, pjesë e Independent Balkan News Agency Media Group edhe për zhvillimet më të fundit Kosovë-Serbi.

 

Intervistoi: Eglantina Nasi

Cili është mendimi juaj në lidhje me situatën politike në Shqipëri? Opozita ka organizuar një sërë protestash para Parlamentit që ajo e konsideron si ilegjitim. E konsideroni të drejtë?

Unë jam e shqetësuar për situatën e paqëndrueshme politike në Shqipëri. Nuk është njësoj si të organizosh një protestë paqësore, ku respektohet e drejta e qytetarëve për të protestuar dhe të organizosh një protestë të dhunshme dhe të nxisësh pjesëmarrësit të përfshihen në akte dhune. Për fat të keq, ne shohim demonstrata që organizohen edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, por në Tiranë ato duken si të nxitura politikisht.

A jeni dakord me vendimin e marrë nga opozita për të lënë mandatet parlamentare?

Nëse i shtojmë edhe bojkotin e deputetëve opozitarë ndaj punës së Parlamentit, atëherë mund të themi fare lehtë që këtu nuk bëhet më fjalë se po luftohet për reforma që janë në interes të qytetarëve në një klimë politike konstruktive, më shumë sesa për përmbushjen e interesave personale politike. Parlamenti është një forum debati dhe ballafaqimi idesh, ndërsa dialogu bashkë me kapërcimin e dallimeve politike, mbetet e vetmja mënyrë për një zgjidhje afatgjatë.

Mendoni se situata politike në vend do të ndikojë në procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian në muajin qershor?

Pavarësisht trazirave, unë besoj se Shqipëria e meriton të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në muajin qershor të këtij viti. Niveli i sundimit të ligjit nuk është aspak i kënaqshëm, por Shqipëria ka bërë përparime në fushën e drejtësisë dhe procesin e vetingut, ndaj jam e bindur se Parlamenti shqiptar dhe Qeveria do të vazhdojnë në rrugën e reformave. Unë dhe familja ime politike në Parlamentin Evropian, socialistë dhe demokratë, nuk shohim ndonjë arsye për vonesa të mëtejshme të vendimit për hapjen e negociatave.

Le të kalojmë te zhvillimet në Kosovë. Jeni dakord me idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë? Cili është mendimi juaj për taksën ndaj mallrave serbe?

Për sa i përket tarifave të vendosura nga Kosova, qëndrimi im mbetet i njëjtë me atë të BE-së: Kosova duhet t’i heqë këto taksa sa më shpejt të jetë e mundur, sepse ky është parakusht për vazhdimin e procesit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Unë jam e mendimit se ndryshimi i kufijve është gjithmonë një lojë e rrezikshme.

Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë dhe të pranueshme për të dyja palët në aspektin politik, por një zgjidhje që do të jetë po ashtu funksionale dhe e dobishme për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Mendoj se asnjë zgjidhje tjetër nuk mund të jetë afatgjatë.