Sporti i lënë në harresë për mbi dy dekada, si të projektosh “një shoqëri të sëmurë”!

Sporti i lënë në harresë për mbi dy dekada, si të projektosh “një shoqëri të sëmurë”!
Politikat ndaj zhvillimit të sportit në Shqipëri janë qesharake, si t’i biesh me “shkelm” të ardhmes së kombit! Mjafton shifra që parashikon buxheti i shtetit si dhe angazhimi në këto 28 vite “i specialistëve” që prej katër vjetësh nuk kanë rifreskuar ende të dhënat në ministrisë përkatëse  

Nga Aranit Muraçi 

Vizioni i një shteti që investon për sportin lidhet me dëshirën e mirë të atyre që e qeverisin atë, me kulturën, dhe dijen e kombit. Shkenca ka arritur në përfundimin se më mirë të investohet një lek sot për sportin, sesa dy lekë nesër për shëndetësinë, duke bërë lidhjet mes tyre mbi shëndetin e njeriut. Por megjithatë, vëmendja e shtetit karshi sportit dhe politikave për zhvillimin e këtij sektori, ose nuk ka ekzistuar ose lë ende shumë për të dëshiruar në këto 28 vite pluralizëm. Sportistët elitarë të vendit thonë, si krahasim për gjendjen e sportit në Shqipëri, ankohen se buxheti i shtetit nuk parashikon as 1 milion euro në vit. Vetëm në Kosovë kjo shifër është 15 herë më e lartë.

Shqipëria dhe ministria

Pas rënies së komunizmit në vendin tonë mund të thuhet me bindje të plotë se bashkë me regjimin ra edhe sporti. Nuk gjenden më as terrenet dhe infrastruktura sportive e atyre viteve dhe shembulli më konkret është kryeqyteti. Specialistë të fushës thonë se popullsia e Tiranës edhe pse është rritur 4 herë më shumë pas ’90, terrenet sportive që ishin janë zëvendësuar në tërë këto vite me pallate. Nëse nëpër të gjitha shkolla e vendit dikur kishte klasa sportive dhe më të talentuarit me propozim të mësuesve të Edukimit Fizik bëheshin pjesë e klubeve sportive, ngaqë kishte një strategji shtetërore, pas ’90 ato praktika u nënvlerësuan, derisa sporti dhe e ardhmja u shkatërrua thuajse tërësisht. Qeveria aktuale, në vitin e saj të parë me ardhjen në pushtet, bëri premtime dhe përpjekje për të rikthyer pasionin e të rinjve te sporti, madje njoftoi se lënda e Edukimit fizik do të zhvillohet me 3 orë mësimore në javë, në të tri nivelet e arsimit parauniversitar, duke qenë se për vite me radhë kjo lëndë konsiderohej thjesht një “relaks”. Por nëse i referohesh sot faqes zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ky mbetet edhe zhvillimi më i fundit mbi sportin, duke mos ditur më se në çfarë faze kemi arritur mbi programin e zhvillimit të sportit dhe të masivitetit. Madje u pajtua edhe një fondacion, “Sports for Children”, një organizatë jo fitimprurëse me seli në Eindhoven, Holandë, aktiviteti i së cilës konsiston në dhënie ndihmash, kryesisht të formës së bazës materiale didaktike, për klube sportive dhe shkolla në vende ku ka nevojë. U zgjodhën tre shkolla 9-vjeçare të qytetit të Tiranës, “Misto Mame”, “1 Maj” dhe “Kongresi i Manastirit”. E njëjta praktikë u tha se do të përdoret përsëri për disa shkolla të tjera të qytetit të Tiranës. Dhe pesë vjet më pas, kemi mbetur tek ky premtim, ndërkohë që në ministrinë përkatëse ka një drejtori sporti dhe specialistë të shumtë, që paguhen nga taksapaguesit, për t’i informuar të paktën mbi gjendjen dhe rezultatet e fundit të punës .

Tirana dhe Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, shpërndau një video me nxënësit e shkollës “Ardian Klosi”,të cilët shiheshin duke luajtur mes tyre basketboll. “Fëmijët e çdo njësie, falë nismës “Shkolla si Qendër Komunitare”, mund të shfrytëzojnë ambjentet e shkollave për aktivitete sportive”, tha Veliaj, lidhur me investimin e Bashkisë së Tiranës, për të krijuar ambiente sa më të përshtatshme sportive, për të rinjtë që duan të ushtrojnë aktivitete sportive. Madje kryebashkiaku Veliaj, edhe gjatë fundjavës dha një mesazh tjetër, për qytetarët, që të merren me sport. “Po ti si e kalove fundjavën,” – u shpreh ai përmes një mesazhi në rrjetet social. “Se ne te Parku i Madh, as të merrnim frymë s'na doli koha nga lojërat, ndeshjet, eksperiencat fantastike me grupin, miqtë e familjen. Tirana është e bekuar me dashuri!” Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve nga Veliaj, megjithatë, nga specialistët e sportit kjo konsiderohet e pamjaftueshme për një vend që kërkon të ketë një sport sa më të zhvilluar.

--

Humbja me Maltën

Puna e dobët më të rinjtë, U-17 nuk jep shpresë

Përfaqësuesja e Shqipërisë U-17 ka humbur në ndeshjen e parë të turneut “UEFA Development Tournament”, që u zhvillua dje në Maltë, 2-0.  Nga mungesa e një strategjie për sportin, edhe rezultatet janë zhgënjyese. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri  Elvin Beqiri janë mundur përballë vendasve maltezë, ku po zhvillohet ky turne, që do të vijojë deri në datën 8 mars 2019. Malta, një vend i vogël dhe me futboll modest, i shënoi të dy golat në pjesën e dytë. Shqipëria U-17 luajti me këtë formacion: Bokova, Mataj, Preka, Zalli, Ndoj, Filipi, Sula, Lusha, Fejzulla, Mitaj (c), Cereni. Ka pak shanse që kuqezinjtë të fitojnë ndeshjet e mbetura ndaj Skocisë e Danimarkës.

Futbolli i femrave

Legjenda Agustin Kola befasohet nga pasioni i vajzave

Një ish-futbollist legjendar mori drejtimin e Kombëtares U17, për femra. Me nismën e FSHF-së po tentohet masiviteti i futbollit të femrave në Shqipëri.  Shqipëria e 17 vjeçareve për femra e drejtuar nga Agustin Kola është grumbulluar në qytetin e Durrësit në kuadër të përgatitjeve për turneun UEFA Youth Girls Development që do të zhvillohet në Maltë nga data 5 deri në 9 Mars. Vajzat kuqezi do të përballen me Andorrën, Gjibraltarin dhe Maltën në një turne që do t’i japë mundësi trajnerit Kola të vëzhgojë nga afër 20 lojtaret e grumbulluara. “Të shikosh vajza të vogla që luajnë me 1 e 2 takime është pozitive. Besoj se me këtë skuadër do të arrijmë diçka të mirë”, theksoi trajneri Kola.