Skënder Gega, strategu i Partizanit para betejës së fundit   

Skënder Gega, strategu i Partizanit para betejës së fundit   
Trajneri i të Kuqve ndryshe nga tifozët nuk e konsideron të mbyllur garën pasi e sheh gati vendimtare përballjen e ardhshme me Kukësin. Për fitoren, premtohet shpërblim i majmë      

Nga Aranit Muraçi

Janë 9 pikë diferencë mes Partizanit, që mban vendin e parë dhe Kukësit të vendit të dytë. Kur mbeten edhe 12 ndeshje nga mbyllja e këtij sezoni, java e ardhshme rezervon një përballje direkte mes Partizanit dhe Kukësit, ndeshje që mund të rihapë ose të mbyllë një herë e përgjithmonë garën.

Fitorja e mundshme i jep shansin e artë trajnerit Skënder Gega të rikthejë Partizanin “de-fakto” tek titulli kampion disa javë para mbylljes së garës.  Për shkak të dy ndeshjeve të Kombëtares, kampionati do të mbetet pezull këtë fundjavë, ndërkohë që ekipet kanë më tepër kohë për përgatitjet e duhura. Të kuqtë, nga atmosfera festive e krijuar pas fitores 3-0 kundër Teutës këtë fundjavë, fitore që thelloi shkëputjen e tyre falë edhe humbjes së Kukësit në Korçë, i janë rikthyer përgatitjeve ndaj Kukësit me moral të lartë, ndryshe nga rivali i tyre, por trajneri Skënder Gega, i druhet pikërisht atmosferës. “Albanian Free Press” mësoi se stafi i Partizanit ka bërë një analizë mbi ecurinë e deritanishme, menjëherë pas fitores ndaj Teutës. Trajneri Gega iu ka kërkuar lojtarëve të mos e konsiderojnë të mbyllur garën, duke marrë parasysh përballjen direkte me Kukësin dhe një rezultat të padëshirueshëm. Për fitoren aq të dëshiruar Presidenti Gaz Demi është gati të japë një shpërblim të majmë karshi ekipit, që me këtë ecuri, ka rritur besimin tek të gjithë tifozët për rikthimin tek trofeu i munguar prej 25 vitesh. Nga ana tjetër do të ishte fatale, nëse Partizani humbet me Kukësin, humbje që edhe pse i mban sërish favoritë, nuk jep më garanci për suksesin e premtuar.

Kategoria Superiore rikthehet në fund të muajit dhe java e 26-të rinis pikërisht me krye-ndeshjen, që vendos fatet e titullit kampion. Kukësi-Partizani, e programuar të luhet më 30 mars, shihet si shansi i fundit për verilindorët mbi pretendimet, që kanë ata për titullin kampion. Një rezultat tjetër në “Elbasan Arena”, aty ku është programuar të luhet kjo ndeshje, do të mbyllte para kohe garën për titullin në Shqipëri dhe do t’i jepte të kuqve shansin që të nisnin para kohe llogaritë në Champions League. Mësohet se Partizani ka një projekt ambicioz për të korrur sukses edhe në Europë, për të vijuar me gjurmët e Skënderbeut, që la në Europa League pak vite më parë.

Dëmtimet  

Telushi e Shameti, shqetësimet e mëdha në secilin kamp

Kukësi dhe Partizani mund të përballen mes tyre pa dy nga lojtarët kryesorë. Ylli Shameti ka pësuar një dëmtim në takimin ndaj korçarëve dhe rrezikon të qëndrojë disa javë jashtë fushave për t’u riaftësuar. Nga ana tjetër, Bruno Telushi i Partizanit, autori i golit të parë ndaj Teutës, u detyrua të shtrohej në spital pas ndeshjes, i dëmtuar gjatë një përplasjeje, duke vënë gjithashtu në pikëpyetje rikthimin e tij.