SHTETI NË RRUGË - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

SHTETI NË RRUGË - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në sjelljen e komitëve, tjetri nxirret në rrugë për tre arsye:

Ose për t’u vënë në pritë që ta vrasin; dhe kjo ka ndodhur shumë shpesh me njerëzit në vendin tonë, që nga politika e hershme post-Pavarësi e deri në ditët tona...

Ose për t’i zënë shtëpinë ku menjëherë hyjnë ata që e nxorën jashtë të zonë e saj. Edhe kjo ka ndodhur shpesh; zyrtarisht ndodhi në epokën e historisë së re të komunizmit ku të gjithë liderët e qeverisë së re u strehuan në shtëpitë luksoze të ‘armiqve’ borgjezë dhe intelektualë pro-perëndimorë.

Ose tjetri nxirret në rrugë me qëllim që aty të kalojnë qentë, macet, mijtë, arinjtë dhe ta shqyejnë si të duan...

Kështu ndodh edhe me shtetin, edhe shteti është një ‘frymor’ nga ku sigurojnë frymën mbi tre milionë njerëz që quhen ‘shqiptarë të shtetit shqiptar’. Shteti po nxirret në rrugë. Pas tentativës së dhunshme të datës 16 shkurt, u tentua edhe me 5 mars - po dhunshëm; dhe tani pritet goditja ‘për vdekje’- sipas liderëve opozitarë që kërkojnë shtëpinë e shtetit. Më parë shteti ishte nxjerrë në rrugë edhe në mars 1997 dhe në shtator 1998. Në mars deri në qershor të viti 1997, në rrugët e qytetit nuk kishte asnjë roje për jetën e njeriut, në disa rrugica ku komitët kishin ndarë influencat, të kontrollonin pasaportën duke e hapur me majën e armës antitank.

Shteti kishte vdekur në rrugë.

Po tani, vallë pse duan ta nxjerrin në rrugë? Opozita ka dalë nga shtëpia kushtetuese e shtetit- Parlamenti- ka ‘djegur’ mandatet e dhëna nga populli, por nuk lejon as deputetët e tjerë që të hyjnë në atë shtëpi. Cili është qëllimi?

Është vallë qëllimi i parë: Që ta nxjerrin shtetin në pritë për ta vrarë?

Qindra vjet jetuam pa shtet, madje derisa i dhamë të ‘drejtën’ çdo antishqiptari që të deklarojë se ‘shqiptarët nuk bëjnë dot shtet’. Në malet e Veriut dhe të Jugut- jeta, edhe pse parapolitike, organizohej në mënyrë perfekte sipas kodeve të popullit. Deri në këtë pikë e çuan shtetin komitët që e vranë... Tani njerëz të pa arsyeshëm, pa sy dhe pa mendje, kanë rrëmbyer hunj e gurë për të goditur shtetin për vdekje. Shumë prej tyre vijnë për herë të parë në kryeqytet, por edhe kësaj here vijnë me hunj. Të mashtruarit kanë fatin e keq që as pyesin veten, as mendohen, as përpiqen të mësojnë ndonjë gjë. Këta janë shumë të rrezikshëm, pikërisht pse nuk dinë asgjë. Atyre u kanë thënë ‘hajdeni në Tiranë se rrëzojmë shtetin!’. Të mashtrohesh kështu do të thotë se ke të drejtë të marrësh hunj; madje ke të drejtë edhe të vrasësh shtetin dhe babanë. Sepse kjo pakicë njerëzish nuk kanë nevojë për shtetin, as e dinë çfarë është. Pasi të mashtrohen edhe njëqind, edhe njëmijë herë nga liderët e racës së tyre, ata prapë do të jenë gati për hunj drejt kryeqytetit.

Është vallë qëllimi i dytë: Që t’i zihet shtëpia shtetit?

Shtëpia e ‘shtetit’ është shumë e vogël. ‘Shtet’ këtu quhet vetëm qeveria. Asnjë nga vdekësit e shtetit nuk do të gjejë vend në shtëpinë luksoze të qeverisë. Ai vend aty është vetëm për liderët – katër, a pesë, a dhjetë. Zënia e selisë së qeverisë nuk ka asnjë vlerë në demokraci; edhe një herë tjetër është djegur selia e qeverisë dhe është pushtuar selia e Televizionit shtetëror, por komitët janë kthyer nga kanë ardhur. Njëmijë herë po thotë bota e qytetëruar: “O ju, njerëz, mos u sulni mbi shtëpinë e shtetit, se kjo nuk ka vlerë!’. Komitët nuk lënë fjalë pa sharë kundër atyre që u thonë të vërtetën. Prapë shkojnë në shtëpi, varfanjakët hanë edhe bukën që ka ngelur për fëmijët e varfër, dhe sulen drejt Tiranës për të kapur shtëpinë e shtetit. Prapë do të kthehen te ajo çikë bukë me presh që ruhej për fëmijët, dhe prapë do të marrin ‘energji’ që t’i sulen shtetit. Përderisa nuk kuptojnë, as ata, as liderët e tyre, le të sulen.

Është arsyeja e tretë, që ta nxjerrin shtetin në rrugë dhe ta shkelë kush të dojë?!

Kjo është më konkrete. Shteti po nxirret në rrugë që të bëhet prè për të tretët: As për ne qytetarët, as për aleatët. Rusia e do shtetin kështu, siç bëjnë këta që e duan në rrugë. Para dy vjetësh, njësoj si këtu, Rusia krijoi një grusht shteti në Malin e Zi ku atakoi Parlamentin dhe donte të vriste Presidentin. Në Maqedoni përgatiti të njëjtin ‘grusht’ kundër forcave pro-perëndimore.

Këtu thuajse jemi në grusht shteti, ku me sa duket është i përzierë edhe presidenti i Republikës. Sloganet e luftës opozitare janë në një linjë me sloganet Ruse: ‘Pranverë Ballkanike’ - njësoj si ‘pranvera arabe’ ku hyri Rusia dhe bëri ‘mish-mashin’ e epokës. Thuhet ‘duam ta rrëzojmë, por nuk duam pushtet’, që do të thotë se e duan shtetin të rrëzuar dhe të gatshëm ta shkelin..., por jo përgjegjësi... Shteti lihet jashtë.

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press