Shqiptarët s’ndalen së kërkuari azil në BE, sa çereku i aplikimeve të sirianëve

Shqiptarët s’ndalen së kërkuari azil në BE, sa çereku i aplikimeve të sirianëve
Nuk janë në luftë. Madje as edhe në ndonjë konflikt që mund të cënojë jetën, apo të ardhmen e tyre. E megjithatë, shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë mbrojtje politike në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo dukuri konfirmohet sërish nga të dhënat më të fundit të Institutit Evropian të Statistikave, Eurostat, sipas të cilave, kërkesat për azil të shqiptarëve gjatë vitit të kaluar kanë qenë sa çereku i atyre të paraqitura nga sirianët. Apo sa gjysma e atyre të irakianëve dhe afganëve. Që të gjithë këta, qytetarë që vijnë nga vende ku konfliktet e armatosura vërtet mund të kenë përfunduar, por gjenden ende në një fazë destabiliteti dhe rindërtimi. Në shifra konkrete, nëse gjatë vitit të kaluar kanë qenë rreth 80 mijë sirianë që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, apo rreth 40 mijë irakianë dhe afganë, shqiptarë kanë qenë rreth 20 mijë të tillë. Por edhe nëse do t’i ballafaqonim shtetasit e vendit tonë me krejt totalin e kërkesave që Bashkimit Evropian i është paraqitur vitin e kaluar për azil, sërish prania e tyre është e konsiderueshme, 3% e tij. Ose në shifra, 20 mijë të tillë nga rreth 600 mijë kërkesa që qytetarë nga vendet “e treta” kanë paraqitur për azil politik nëpër zyrat evropiane. Duke lënë pas madje edhe vendet mjaft të varfra të Afrikës, të tilla si Eritrea apo Guinea, që përmenden gjithmonë për turmat e emigrantëve të paligjshëm në brigjet e Mesdheut. Madje, kërkesat e shqiptarëve për azil rezultojnë gati të njëjta edhe me ato të venezuelianëve, vendi i të cilëve është përfshirë së fundmi nga një dhuna dhe konflikti i hapur politik mes palëve. Në këtë këndvështrim, megjithë rënien që ka shënuar në krahasim me një vit më parë, mund të thuhet se fluksi i kërkesave për azil nga shqiptarët drejt vendeve të Bashkimit Evropian mbetet ende i lartë dhe mjaft shqetësues. Kjo edhe pse prej autoriteteve të këtij të fundit, janë hedhur vazhdimisht mesazhe sensibilizuese për të mos kërkuar më azil, pasi Shqipëria është konsideruar si një vend i sigurt origjine.

20

Mijë ka qenë në total numri i kërkesave për azil drejt vendeve të Bashkimit Evropian nga shqiptarët gjatë vitit të kaluar, kurse ato të sirianëve 80 mijë dhe të irakianëve e afganëve 40 mijë

3%

E totalit të të gjithë kërkesave për azil drejt vendeve të Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar (rreth 600 mijë të tilla) rezulton se janë bërë vetëm nga shqiptarët, i njëjti nivel me vendet afrikane

 

Pothuajse 3 në 10 azilkërkues, i drejtohen Gjermanisë për azil

Me 161.900 aplikantë për herë të parë të regjistruar në vitin 2018, Gjermania përbënte 28% të të gjithë atyre që kanë kërkuar vjet azil në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo konfirmohet nga Eurostat, sipas të cilit, ky vend u pasua për këtë dukuri nga Franca, me 110.500 aplikime, ose 19% të totalit; Greqia me 65.000 aplikime, ose 11%; Spanja me 52.700 aplikime, ose 9%; Italia me 49.200 aplikime, ose 8%; dhe Mbretëria e Bashkuar me 37.300 aplikime, ose 6% e totalit. Nga ana tjetër, referuar gjithmonë Eurostat-it,  rezulton se midis shteteve anëtare, vjet më shumë se kudo kërkesat për azil u shtuan në Qipro, plot +70%, ose 3 100 më shumë azilkërkues për herë të parë në 2018-tën, se në 2017-tën. Pasuar nga Spanja që i ka patur këto shifra në nivelet prej +60%, ose 19.700 më shumë; etj.Në të kundërt, ulja më e madhe e kërkesave për azil u regjistrua në Itali, -61% ose 77. 400 më pak dhe Austri, -49%, ose 11.100 më pak.