Shkëlqimi dhe rënia e basketbollit në Shqipëri!

Shkëlqimi dhe rënia e basketbollit në Shqipëri!
Vëzhgim në prag të finaleve të Botërorit të Basketbollit-Meshkuj/Si u ngrit pas luftës sporti që i dhuroi Shqipërisë legjendarin Agim Fagu, pati dikur pjesë të kombëtares në epokën e artë edhe kryeministrin aktual Edi Rama, dhe pse ra dhe sot është pas të gjitha vendeve ballkanase 

Nga Aranit Muraçi

Historia e Basketbollit Shqiptar mund të ndahet në tre periudha, pas krijimit të këtij sporti. E para: periudha e themelimit dhe e zhvillimit të basketbollit, ‘45-‘70, e dyta epoka e artë: ‘70-’90, dhe e treta, koha postkomuniste ’90 dhe deri më sot, që u shoqërua me shkatërrimin e traditës së krijuar dhe humbjen e shkëlqimit të dikurshëm. Shqipëria ka mbetur pothuajse me të njëjtën infrastrukturë dhe pallate sporti që ndërtoi regjimi komunist, duke humbur disa prej tyre, e duke mos e pasur më as masivitetin që kishte nëpër shkolla. Përveç pallatit që sapo u ndërtua “në Tiranë me emrin e trajnerit legjendar të basketbollit në epokën e artë, Feti Berova, e disa mini-fushave që ka ndërtuar bashkia e Tiranës, çdo gjë tjetër lë për të dëshiruar. Pa vizion dhe pa një angazhim shtetëror, është kjo arsyeja e zhvillimit të basketbollit dikur, dhe atëherë kur ishim shumë pranë, sot jemi shumë më larg fqinjëve tanë ballkanas, si Serbia, Greqia, Turqia, pjesëmarrëse në Botërorin e Kinës, apo Kroacisë e Sllovenisë që ishin surprizë për faktin se nuk u kualifikuan në këtë event. Por edhe Bullgaria, Rumania, Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi, e kanë gjithashtu më të zhvilluar dhe më konkurrues basketbollin. Madje edhe në epokën e artë, Shqipëria e ka pasur të vështirë konkurrencën me ekipet ballkanase. Ndryshe nga të gjitha vendet e tjera, basketbolli, ashtu si volejbolli dhe sporte të tjera njohu një rënie drastike në dy dekadat e fundit.  Pas disa rezultateve pozitive gjatë vitit të kaluar, Kombëtarja Shqiptare e Basketbollit të paktën dha shenjat e një ringjalljeje, me shpresën e ndonjë ringritjeje. Historia e këtij sporti thotë se duhet të paktën një dekadë, që të shpresojmë të afrohemi e të konkurrojmë të paktën me vendet e tjera që na rrethojnë.

Deri nga fundi i vitit 1945, në Shqipëri nuk kishte struktura apo persona të ngarkuar për t’u marrë drejtpërdrejt me problemet e basketbollit. Kjo gjë u bë e mundur vetëm kur u krijua Federata Sportive Shqiptare në shtator të vitit 1945. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria nuk kishte thuajse as traditë sportive, as infrastrukturë dhe kishte mbetur shumë pas vendeve të tjera ballkanike.

Në ndeshjet e para pas luftës, kur u krijua Kombëtarja e Basketbollit, Shqipëria pësoi rezultate zhgënjyese, kjo për faktin se vendet e tjera si ish-Jugosllavia dhe Greqia kishin traditë madje ky sport masiv ishte mjaft popullor dhe mbetet i tillë edhe sot. Regjimi i asaj kohe vendosi që të ngrinte dhe të zhvillonte sportet masive, mes të cilave edhe basketbollin. Njazi Lleshi për gazetën kujton edhe kohët kur ai për këtë arsye u përzgjodh, pasi kishte pasur një eksperience jashtë vendit. Ishte fillimi i viteve ’50. - “Shkuam bashkë me disa kolegë nga Tropoja dhe deri në Sarandë, për të seleksionuar të rinjtë, të cilët i vëzhgonim në shkolla apo edhe në punë, me qëllim që të zgjidhnim më premtuesit, nisur nga shtat-lartësia apo talenti.” Bëhej fjalë për 13-14 vjeçarë nga të gjitha rrethet , që erdhën në Tiranë, ku edhe nisën shkollën sportive. Ai tha se rezultati i kësaj pune dhe vizioni shtetëror dha frytet në fillim të viteve ’70, kur më në fund Shqipëria nisi të konkurronte denjësisht me vendet ballkanase, madje edhe më gjerë. Ishte pikërisht kjo kohë, kur ai që sot mbetet legjenda e basketbollit shqiptar, Agim Fagu filloi karrierën e tij, në basketboll. Talentin e tij e pikasi pikërisht Njazi Lleshi, në atë kohë trajner i Partizanit. Mbeten të paharrueshme ndeshjet e Fagut në arenën ndërkombëtare, si me Partizanin, ashtu edhe me ekipin kombëtar. Falë miqësisë së Shqipërisë Komuniste me Kinën, mes dy vendeve u zhvilluan ndeshje të shumta, ku edhe spikati Fagu. Ekipi ynë ndaj vendit që sot organizon Kampionatin Botëror shënoi fitore të shumta.

Ylli i basketbollit shqiptar në ato vite u përzgjodh në kulmin e karrierës së tij në pesëshen e lojtarëve më të mirë të Europës. Pas karrierës, pak kohë më parë Agim Fagu mbushi 70-vjeç dhe me këtë rast, presidenti i Republikës Ilir Meta i akordoi dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Gjatë periudhës së artë të basketbollit shqiptar, pas viteve ’80, në ekipin kombëtar bënte pjesë edhe kryeministri aktual i vendit, Edi Rama. Shqipëria në ato vite fitonte në ndeshje zyrtare ndaj Skocisë apo Greqisë. Deri në fillim të viteve ’90, kohë kur shkëlqente Gazmend Çaçi me shokë, basketbolli shqiptar pati rritje dhe rezultate, për t’i lënë më pas vend një periudhë të vështirë: rënies që sot e hoqi fatkeqësisht nga harta e masivitetit këtë sport.  “Albanian Free Press” sjell disa nga ekipet dhe rezultatet e Kombëtares Shqiptare në periudha të ndryshme, kur nisi ky sport të ngrihej, shkëlqeu dhe papritmas...u rrëzua!

Ulje-ngritjet/Basketbolli shqiptar ndër vite, në periudha të ndryshme:

 Kampionati Ballkanik – Tiranë 15-19 dhjetor 1965

Shqipëria: Vaso Shaka, Renato Radoja, Bujar Shehu, Agim Lahu, Agim Fagu, Kujtim Kasmi, Bardhy Angjeli, Petrit Osmani, Nikolin Pali, Fiip Guraziu, Nusret Reka, Gjergj Ikonomi. Trajner: Feti Borova

Turqi – Shqipëri                89-78

Jugosllavi – Shqipëri        64-60

Bullgari – Shqipëri            94-68

Rumani – Shqipëri           70-65

Tiranë - 24 nëntor 1976

Shqipëria: Agim Fagu, Spiro Shano, Kastriot Mushi, Kujtim Kasmi, Ilir Trebicka, Refik Vorfa, Rahmi Ruci, Pirro Koleka, Kushtrim Zaçe, Edgar Prifti, Robert Kuqo, Hidajet Kotrri. Trajner: Feti Borova

Shqipëri –Kinë 85-75

Korçë 1 dhjetor 1976

Shqipëri - Kinë 77-67

Turneu kualifikues për Kampionatin Botëror - Paderborn, 21 nëntor 1984

Shqipëria: Ilir Trebicka, Robert Kuqo, Gazmend Çaçi, Arjan Kolani, Bujar Beriolli, Sabri Rustemi, Pjerin Bushati, Sokol Bellova, Fatmir Cuka, Edi Rama. Trajner: Feti Borova

RF Gjermane – Shqipëri 89-80

Lojërat Mesdhetare - Bari, Itali 9-13 qershor 1997

Shqipëria: Pandush Palko, Dritan Mema, Adrian Semani, Bledar Gjeçaj, Artomen Çaçaliku, Artan Kuqo, Dritan Meli, Gentri Mançe, Sokol Jahollari, Edmond Përmeti, Beniamin Idrizi. Trajner: Bujar Shehu

Jugosllavi – Shqipëri 85-63

Greqi – Shqipëri 97-75

Bosnjë – Shqipëri 81-76

Turqi – Shqipëri 85-61

Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2007

Shqipëria: Andrea Gjinaj, Erin Hasani, Renaldo Kacori, Erkand Karaj, Marlin Sukaj, Vildan Mitku, Eni Cuka, Arjonel Lame, Endrit Hysenagolli, Marsel Aliaj, Algert Gjonaj, Sokol Kasmi, Orion Garo, Klevis Cane, Afrim Bilali, Juxhin Talelli, Gerti Shima. Trajner: Arben Fagu

Shqipëri - Bjellorusi 78-73

Rep. Çeke- Shqipëri 101-88

Shqipëri - Britani e Madhe 69-72

Holandë- Shqipëri 94-55

Bjellorusi – Shqipëri 87-45

Shqipëri - Sllovaki 63-93

Angli - Shqipëri 110-78

Shqipëri - Holandë 63-96

 

 

Botërori i Basketbollit në Kinë

Përcaktohen 32 ekipet finaliste, Ballkani shkon me tre ekipe   

Në botërorin e Basketbollit për meshkuj që do të zhvillohet në Kinë marrin pjesë tre ekipe nga Ballkani, Greqia, Serbia dhe Turqia. Ekipet e Kroacisë e të Sllovenisë konsiderohen mungesa të mëdha, ndërkohë që kanë histori dhe sukses në këtë sport pothuajse të gjitha vendet e tjera. Shqipëria nuk arrin dot kualifikimin në Europian, ndërkohë që pas ’70 dhe para ’90, ishte e vemtja periudhë kur konkurronte denjësisht e madje fitonte me ekipet më të forta të Ballkanit. Ndërkohë sapo janë përcaktuar 32 ekipet përfaqësuese, që do të marrin pjesë në Botërorin e basketbollit që do të zhvillohet në verën e këtij viti në Kinë.  Ekipet e Ballkanit do të garojnë me ekipe të tjera si SHBA, Spanja, Brazili apo edhe Kina, që është mikpritëse.

32 ekipet e kualifikuara në Botëror:

Europa: Republika Çeke, Italia, Greqia, Serbia, Lituania, Gjermania, Mali i Zi, Rusia, Polonia, Turqia, Franca e Spanja.

Azia: Kina, Japonia, Jordania, Irani, Filipinet dhe Koreja e Jugut.

Oqeania: Zelanda e Re dhe Australia.

Afrika: Nigeria, Senegali, Bregu i Fildishtë, Angola dhe Tunizia.

Nga Amerika: SHBA, Kanadaja, Brazili, Argjentina, Venezuela, Republika Domenikane, Porto Riko.