Shëndeti i gojës, kujdesi që duhet të kemi për dhëmbët

Shëndeti i gojës, kujdesi që duhet të kemi për dhëmbët
Në Ditën Botërore të Shëndetit Oral specialistët theksojnë se sëmundjet e gojës janë më të përhapurat dhe prekin rreth 90% të popullsisë. Por cilat janë ushqimet që duhet të konsumohen për të patuar një shëndet sa më të mirë të gojës

Miliona njerëz në mbarë botën vazhdojnë të vuajnë nga probleme të shëndetit oral, dhe barra në rritje e sëmundjeve orale kërkon veprim të shtuar në nivel individual, familjar dhe kombëtar. Shëndeti i dobët oral shtrihet përtej gojës, duke përfshirë shëndetin dhe mirëqenien e çdo individi. Veprimi i bashkërenduar mund të frenojë prevalencën e sëmundjeve të gojës, dhe ta bëjë shëndetin oral një përparësi personale për të gjithë. Tema e këtij viti është “Kujdesu për shëndetin e gojës, mbro shëndetin tënd”.

Ky mesazh motivon individët të marrin përgjegjësinë për shëndetin e tyre oral, duke ndërmarrë veprime specifike për të parandaluar sëmundjet orale, dhe për të mbrojtur shëndetin e tyre të përgjithshëm. Parandalimi është gjithmonë opsioni më i mirë, por zbulimi dhe trajtimi i hershëm gjithashtu janë vendimtare për të siguruar rezultatet më të mira kundër sëmundjeve orale, si dhe ndërlikimet e lidhura me shëndetin. Fushata synon rritjen e angazhimit nga politikëbërësit për të trajtuar barrën e sëmundjeve të gojës, si dhe integrimin e shëndetit oral në politikat që trajtojnë sëmundjet e tjera. Por ccfarë duhet të bëjnë për të pasur një shëndet sa më të mirë të gojës? Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë këshillat kryesore, mbi ushqimet, veset dhe kujdesi që duhet të tregojnë për të patur dhëmbë të shëndetshëm

Rastet

Në gjithë botën, 60-90% e fëmijëve të moshës shkollore vuajnë nga kariesi dentar.  Ndërsa incidenca e kancerit oral shkon nga 1 deri në 10 raste për 100.000 njerëz në shumicën e  vendeve. Vetëm 60% e popullsisë botërore ka akses në kujdesin shëndetësor oral. Sipas Shoqatës së Stomatologëve Shqiptarë, sëmundjet e gojës janë më të përhapurat dhe prekin rreth 90% të popullsisë. Ato kanë një impakt domethënës në shëndetin e përgjithshëm të çdo individi. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 90 % e popullsisë së botës do të vuajnë të paktën një herë gjatë jetës së tyre nga një sëmundje e gojës, duke filluar nga kariesi dhe sëmundjet periodontale, të cilat çojnë në prishjen e dhëmbëve dhe kancerin e gojës

Dhembja e dhëmbit është një ndër arsyet kryesore për mungesat e nxënësve në shkollë. Sot, në shumë vende të botës, rreth 60-90% e fëmijëve të moshës shkollore dhe afërsisht 100% e të rriturve kanë probleme me shëndetin e gojës.

Në botë, rreth 30% e njerëzve midis moshës 65-74 vjeç nuk kanë dhëmbë natyralë në gojën e tyre.

Sot në botë, 16-40% e fëmijëve të moshës 6 deri 12 vjeç janë të prekur nga traumat dentare për shkak të terreneve sportive, shkollave të pasigurta apo aksidenteve rrugore. Në vendet e zhvilluara barra e sëmundjeve orale është në rënie, ndërsa komplikacionet janë më të zakonshme, sidomos te pjesa më e moshuar e popullsisë. Faktorët kryesorë të rrezikut si përdorimi i duhanit, pasiviteti fizik dhe ushqimet jo të shëndetshme (konsumi i tepërt i sheqerit dhe yndyrnave) rritin ndjeshëm rrezikun për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme të gojës. Konsumi i lartë i sheqerit është faktori kryesor i cili mund të sjellë prishjen e dhëmbëve

Rreziku për t’u prekur nga kanceri oral është 15 herë më i lartë kur kombinohen bashkë dy faktorët kryesorë të rrezikut, duhani dhe alkooli. Sëmundjet e gojës ndikojnë në cilësinë e jetës së njeriut.

 Kujdesi

Kujdesi për dhëmbët gjatë gjithë jetës nënkupton minimizimin e faktorëve që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve, larjen e shpeshtë të gojës, vizita periodike te dentisti etj.  Sipas stomatologëve, disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë: mungesa e kujdesit, konsumi i duhanit dhe i ëmbëlsirave, kequshqyerja etj.

Për të patur dhëmbë sa më të shëndetshëm, duhet bërë kujdes me ushqimet që përmbajnë një sasi të madhe sheqeri, i cili favorizon prishjen e dhëmbëve. Ëmbëlsirat nuk janë të vetmet ushqime që nxisin formimin e acideve dhe kaviteteve. Shumë ushqime që njerëzit i konsiderojnë të shëndetshme si lëngjet e frutave, pijet energjike, frutat e thata dhe patatinat e llojeve të ndryshme, përmbajnë sasi të lartë të sheqernave të cilat nxisin kariesin dentar. Gjithashtu, edhe pijet freskuese mund të dëmtojnë dhëmbët tuaj. Pijet dietetike që përmbajnë sheqerna artificiale janë të dëmshme për dhëmbët sepse përmbajnë acide të cilat ndikojnë në tretjen e smaltit të dhëmbëve, duke nxitur ndjeshmërinë dhe krijimin e kaviteteve.

Higjiena e gojës

Mënyra më e mirë për mbajtjen e higjienës së gojës është larja e dhëmbëve çdo ditë, pas vakteve kryesore të ushqimit ose të paktën 2 herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë me furçë dhe pastë dhëmbësh, ndërrimi i shpeshtë i furçës së dhëmbëve si dhe kontrolli çdo 6 muaj te dentisti. Dentistët rekomandojnë që një furçë dhëmbësh duhet të ndërrohet mesatarisht çdo 3 muaj. Shpëlarja e gojës me ujë pas vakteve ka pak efekt mbi acidet bakterore, megjithëse mund të ndihmojë në eliminimin e mbeturinave ushqimore.

 

 Këshilla për një shëndet oral sa më të mirë

-Lani dy herë në ditë dhëmbët me pastë me përmbajtje fluori.

-Ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 6 muaj.

-Mos konsumoni ushqime të thata dhe me shumë sheqer.

-Mbani një dietë të shëndetshme dhe zgjidhni ushqime nga grupet ushqimore si drithëra, fruta, perime, mish, peshk, qumësht, djath, kos.

-Përdorni fije dentare për heqjen e mbeturinave ushqimore mes dhëmbëve.

-Përdorni ujë pas ushqimit.

-Reduktoni shpeshtësinë e marrjes së karbohidrateve (sheqernave) gjatë ditës.

-Bëni kontrolle periodike te dentisti.

 

Ekzaminimi i parë dentar për fëmijët është i rëndësishëm për :

-përcaktimin e shkallës së riskut të bazuara kryesisht nga informacioni që merret nga prindërit

-vlerësimin e nevojës për fluor

-vlerësimin e llojit të dietës që fëmija ndjek

-mësimin në mënyrë të duhur të larjes dhe kujdesit ndaj dhëmbëve

-përgatitjen e fëmijës për terapinë preventive, interceptive dhe restorative