Rama: Qeverinë teknike e morën para dy vjetësh dhe e mbani mend çfarë ndodhi, tani kemi opozitën e re

Rama: Qeverinë teknike e morën para dy vjetësh dhe e mbani mend çfarë ndodhi, tani kemi opozitën e re
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot nga foltorja e Kuvendit se nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme dhe as qeveri teknike.

Njëkohësisht, Rama ka “zyrtarizuar” atë që ka cilësuar “opozitë e re në Kuvend”, pasi disa deputetë të PD dhe LSI kanë mbajtur mandatet apo kanë pranuar të marrin mandatet e lëna vakante.

“Me opozitën e re në Parlament ne do e çojmë përpara reformën. Ne nuk do hapim negociatat duke thënë ne nuk e bëjmë dot se ata nuk ishin. Ne do të gjejmë rrugën të dialogojmë me opozitën që do të zërë vendet në sallë mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ne do të shkojmë përpara, ashtu sikurse do të shkojmë përpara dhe me votën e emigrantëve dhe ne do të shohim dedhe kush do të jetë shumicë në kokën e shqiptarëve” tha Rama gjatë fjalimit të tij.

Fjalimi i Kryeministrit u parapri nga një vështrim historik i asaj që ndodhi dy vjet më parë, në prag të zgjedhjeve që sot kontestohen nga opozita.

“Nuk besoj që për ju këtu është e vështirë t’i bëni një thirrje të shpejtë kujtesës për situatën ekzaktësisht 2 vite më parë në këtë periudhë kur në bulevard u ngrit një çadër dhe nga ajo çadër nisi një rrugëtim për të ndërtuar një republikë të re me kushtin e panegociueshëm për një qeveri pa Ramën kryeministër dhe tranzitore për të garantuar zgjedhje sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky parlament. E mbani mend të gjithë se ne vumë interesin e vendit mbi interesin e ngushtë politik dhe faktikisht bëmë një hap të panjohur në historinë e konflikteve politike në Shqipëri duke i vënë në dispozicion opozitës të gjitha ato që kërkuan. Gjithçka. Edhe duke marrë mbi vete pakënaqësinë e pjesës dërrmuese të mbështetësve tanë. morën ministrinë e Brendshme, morën të gjitha ministritë që kërkuan, Arsimin, Shëndetësinë financat, me idenë se këto ministri ishin ministri elektorale dhe PS mund t’i përdorte për qëllime elektorale. Pse? Sepse këtë gjë kishin bërë kur kishin qeverinë”, tha Rama.

Ai tha se dy vjet më parë, opozita mori në tavolinë edhe shumicën në KQZ.

Rama tha se pas atyre zgjedhjeve të gjitha procesverbalet u firmosën nga përfaqësuesit e opozitës pa asnjë kundërshtim.

Në këtë mënyrë, Kryeministri argumentoi se atë që kërkon sot opozita, e mori dy vjket më parë dhe forca qeverisëse u përcaktua nga vota.

Duke shpjeguar se “protesta nuk është reagim nga populli, por nga pallati i politikës”, Rama tha se vendimi i opozitës është “vendim vetëvrasës”.

“Ajo çka ndodh sot është vijimi i një rruge pa krye ku e vetmja gjë e re është një vendim politik vetëvrasës i udhëheqjes politike të opozitës si rezultat i humbjes së vetvetes”, tha Rama, duke prerë çdo mundësi për plotësimin e kërkesave kryesore të opozitës: Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

“Ne jemi të gatshëm të dialogojmë, ne e shtrijmë dorën për bisedime. Por ne nuk jemi kurrë të gatshëm që të negociojmë. Do respektojmë ligjet dhe kushtetutën e vendit. Demokracinë, Parlamentarizmin dhe mbi të gjitha mandatin e marrë nga shumica dërrmuese e qytetarëve ne nuk e negociojmë me askënd. Në mbyllje dua të nënvizoj me shumë forcë dhe me shumë qetësi. Në qershor Shqipëria ka zgjedhjet vendore”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google