Rama: Për PD-në dhe LSI-në po afron një humbje e thellë

Rama: Për PD-në dhe LSI-në po afron një humbje e thellë
Kryeministri Edi Rama thotë se për PD-në dhe LSI-në po afron një humbje e thellë, pasi sipas tij, balta e hedhur për vendin dëmton jo vetëm Shqipërinë por edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë nëpër botë duke akuzuar PD dhe LSI se po godasin vendin.

Në rubrikën “Përgjigjja ime”, duke iu përgjigjur komentit të një qytetareje Rama deklaron:

“E dashur Laura është e vështirë të gjesh fjalët për fjalët në gjuhë të huaj të atij që quhet kryetar i opozitës por që fatkeqësisht nuk është as lideri, as kujdestari e as përfaqësuesi i saj. I asaj opozite që gjendet në popull, ku mes njerëzve të zakonshëm si ti, i atyre njerëzve që janë në të drejtën e tyre më legjitime kur nuk e pëlqejnë, nuk e duan, nuk e votojnë partinë e madhe të shumicës. Ata njerëz janë kudo, nga Veriu në Jug, në çdo kategori sociale dhe interesi, çdo moshë, e çdo feje, mes tyre ka patjetër nga ata që janë po aq qorra, po aq të pandjeshëm, po aq vulgarë sa dhe arratiakët nga parlamenti por s’ka pikë dyshimi se shumica jo. Shumica s’janë si ata dhe s’e duan baltosjen dhe ziftosjen e Shqipërisë në gjuhë të huaj. Përkundrazi e vuajnë sinqerisht dhe e dënojnë moralisht një qasje të atillë prej humbësish pa pikë dinjiteti që janë gati t’i lënë Shqipërisë faturën e dëshpërimit të tyre për pushtetin e humbur”, tha Rama. /l.k./

Foto Google