Pse Rudi Vata kërkon një qendërmbrojtës nga Shqipëria?!

Pse Rudi Vata kërkon një qendërmbrojtës nga Shqipëria?!
Trajnerët që drejtojnë sot Shqipërinë, Sulejman Mema dhe Ervin Bulku, produkt i pastër i futbollit të Tiranës. Por a kanë ata sot lojtarë të Kombëtares, që vijnë si produkt i ekipeve shqiptare

Nga Aranit Muraçi

Në ndeshjen e dytë kualifikuese Euro 2020, ndaj Andorrës, kuqezinjtë janë të detyruar të bëjnë pak ndryshime. Trajnerët Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, të ngarkuar për këtë ndeshje pas shkarkimit të Panucci-t, do të bazohen tek lojtarët që do të jenë më në formë nga ana fizike, por pranohet se sfida kryesore, mbetet aspekti psikologjik. Humbja me Turqinë ka demoralizuar lojtarët, që prej kohësh nuk po dalin dot në lojën e tyre. Nga kampionati shqiptar, prej trajnerit Panucci, janë thirrur vetëm dy portierët, Hoxha dhe Selmani, ndërsa ky i fundit në kushte emergjence, sikurse më vonë mori ftesë edhe Lorenc Trashi i Partizanit. Bulku dhe Mema, të dy ish-lojtarë të dalë nga Tirana, janë ndeshur edhe me faktin e dhimbshëm, nga kjo eksperiencë, fakt që ka shoqëruar ekipin tonë përfaqësues në këto dy dekadat e fundit. Me ndonjë lojtar suli, si Armando Sadiku, Bekim Balaj, apo edhe Myrto Uzuni, eksperienca e të cilave ka qenë shumë e shkurtër në Shqipëri,  Bulku dhe Mema do të synojnë të gjejnë golin e munguar, pse jo edhe fitoren kundër Andorrës.

Kampionati shqiptar thuajse nuk e përfaqëson fare Kombëtaren kuqezi. Ish-mbrojtësi dhe ish-kapiteni Rudi Vata, edhe pse karrierën e zhvilloi me ekipe të njohura, si Sëlltik, doli nga kampionati shqiptar dhe për të ilustruar këtë fakt, ai i bëri një pyetje direkte një prej mbrojtësve më të spikatur të kampionatit shqiptar. Para ndeshjes me Turqinë, Vata e pyeti mbrojtësin Ditmir Bicaj, i cili ka luajtur me thuajse të gjitha ekipet elitare të vendit, se a ka kampionati shqiptar një qendërmbrojtës gati për Kombëtaren dhe cilin prej tyre ai sugjeron. Por Bicaj ka heshtur, çka tregon se klubet shqiptare janë në një gjendje edhe më të vështirë. Bicaj në fakt e pranoi se prej trajnerëve të huaj dhe faktit që ata bazohen tek elementët që luajnë jashtë, ka një demoralizim të madh brenda futbollit që zhvillohet në Shqipëri dhe futbollistëve që synojnë fanellën kuqezi.

 

Grupi H                 N             F              B             H             GV          P

Franca                   1              1              0              0              +3           3

Turqia                   1              1              0              0              +2           3

Islanda                  1              1              0              0              +2           3

Shqipëria             1              0              0              1              -2            0

Andorra               1              0              0              1              -2            0

Moldavia             1              0              0              1              -3            0