Përveç atij për makinat e vjetra, disa shtyrje të tjera, apo falje prej qeverisë

Përveç atij për makinat e vjetra, disa shtyrje të tjera, apo falje prej qeverisë
Zgjatja me 6 muaj e afatit për titujt tokave bujqësore

Fermerët duhej që të pajiseshin me tituj të pronësisë, për tokat bujqësore të ndara me ligjin 7501, deri në fund të vitit 2017, sipas një vendimi të posaçëm të qeverisë. Por kjo e fundit e shtyu atë, deri në 30 qershor të këtij viti, duke i dhënë kështu një tjetër afat këtij procesi. Dhe kjo, sipas saj, për t’u dhënë mundësi të gjithë atyre fermerëve të cilët kanë në posedim aktin e përdorimit, që të mund të marrin tapinë. Kjo është e disata herë në fakt që qeveria e shtyn këtë proces. Edhe kërë herë, qeveria e justifikoi shtyrjen e këtij vendimi me ankesat që ishin paraqitur pranë saj nga ana e fermerëve, se nuk u dilte koha të plotësonin dokumentacionin e duhur, për të marrë tapinë e tokës bujqësore.

 Pezullimi i gjobave për ata që nuk deklaruan ndryshimin e vendbanimit

Në vjeshtën e vitit të kaluar, qeveria ka vendosur pezullimin e gjobave për qytetarët që nuk kanë deklaruar dhe nuk do të deklarojnë ndryshimin e vendbanimit. Kjo pas një “zhurme” të madhe që u bë prej saj rreth këtij procesi. Por në momentin e fundit, ndërsa pa mesa duket, që një proces i tillë nuk po funksiononte, qeveria vendosi të bëjë një lëshim, duke i hequr fare gjobat, në këtë ligj të gjendjes civile. Kujtojmë se në vitin 2016, parlamenti miratoi disa ndryshime brenda tij, të cilat parashikon dënimin me gjobë me gjobë, në masën 10 000 lekë për shtetasit që nuk deklaronin ndryshimin e vendbanimit.

 Shtyrje me një vit të aplikimeve për ata që duan statusin e investitorit strategjik

 Në verën e vitit të kaluar, qeveria vendosi të shtyjë me një  vit afatin për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për të përfituar statusin e investitorit strategjik. Në ligjin ekzistues, afati i fundit ishte data 31 dhjetor 2018. Ndërsa me amendimin e fundit që i është bërë ligjit, afati është 31 dhjetori i këtij viti, 2019. Sektorë strategjikë, sipas këtij ligji konsiderohen ai energjetik dhe minerar; transport, infrastrukturë, komunikime elektronike dhe mbetje urbane, turizëm, bujqësi, si edhe zona me përparësi zhvillimi.

Shtyhet afati e bonove të privatizimit, hera e shtatë që prej 1999

Në pranverën e vitit të kaluar, qeveria ka shtyrë sërish afatin e përdorimit të bonove të privatizimit. “Afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit është deri më 31.12.2020”, theksohet në vendimin e rishikuar të qeverisë. Tashmë prej shumë vitesh qeveria po ndjek politikën e shtyrjes së afatit të përdorimit të bonove të privatizimit. Dhe kjo ishte shtyrja e shtatë që u bë. Risjellim ndërmend se emetimi dhe shpërndarja e bonove të privatizimit nisi në vitin 1995, si pjesë e programit të privatizimit masiv. Afati i tyre ishte viti 1999.  Shtyrja e parë e afatit u bë në vitin 2006 dhe pothuajse çdo 2 vite ka shtyrje të afatit të përdorimit të tyre. Vendimi i fundit i shtyrjes së afatit ishte i i shkurtit të vitit 2017, që parashikonte si afat përdorimin e tyre deri në fund të vitit 2018. Por qeveria vendosi sërish që afati i përdorimit të bonove të shtyhet sërish deri në fund të vitit 2020.

Shtyhet afati për pagesën e taksës së pronës, i riu deri në 1 janar 2019

Qytetarët do ta paguajnë taksën e re të pronës duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Të paktën sipas një afati të rishikuar prej qeverisë. Ndërsa kjo taksë ishte parashikuar të hynte në fuqi gjatë vitit të kaluar, por duket se qeveria është tërhequr duke shtyrë taksën me kërkesë të bashkive. “Periudha deri në janar të 2019 është lënë si periudhë tranzitore, që i lejon njësive vendore që të përgatiten mirë, në mënyrë që në 1 janar 2019, të gjitha njësitë vendore të aplikojnë taksën e pronës në bazë të vlerës”, deklaroi atëherë ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Prej vitesh,taksa e pronës në Shqipëri është paguar si tarifë fikse mbi sipërfaqen. Por,me formulën e re ajo llogaritet sa 0.05% e vlerës së pronës. Sipas qeverisë, kjo formulë bën një shpërndarje më të drejtë të barrës fiskale.