PD denoncon urdhrin e Veliajt: Synon manipulimin e zgjedhjeve, prokuroria dhe OSBE të hetojnë

PD denoncon urdhrin e Veliajt: Synon manipulimin e zgjedhjeve, prokuroria dhe OSBE të hetojnë
Partia Demokratike ka denoncuar sot një urdhër të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj që, sipas opozitës, “është i paligjshëm, bëhet për llogari të fushatës dhe ka për qëllim manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme”.

Përmes një deklarate nga selia blu, deputetja e dorëhequr Albana Vokshi ka publikuar një formular të shpërndarë nga institucioni i Veliajt, ku kërkohet konsensusi i prindërve për fotografimin e fëmijëve gjatë aktiviteteve social-kulturore në kopshte dhe publikimin e fotove në faqet elektronike dhe rrjete sociale.

Për të dhënë këtë konsensus, prindërit duhet të japin  edhe numrin e kartës së identitetit dhe të dhëna të tjera personale.

“Urdhri i Erion Veliajt është i paligjshëm. Ligji e ndalon Bashkinë e Tiranës apo çdo institucion tjetër, të marrë të dhënat personale të qytetarëve të saj. Numri i kartës së identitetit është një prej këtyre të dhënave dhe përbën një informacion kyç për zgjedhjet, përsa kohë, karta e identitetit është mjeti kryesor i votimit”, tha anëtarja e Kryesisë së PD-së.

Sipas Vokshit, urdhri i Erion Veliajt nuk i shërben as sigurisë së fëmijëve. “Ai rrezikon ekspozimin e fëmijëve me fotografimin e tyre për llogari të fushatës elektorale të mashtruesit numër 1 të Tiranës”.

Vokshi u ka bërë thirrje prindërve të mos i japin të dhënat personale, ndërsa i ka kërkuar Prokurorisë dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale “të urdhërojnë nisjen e hetimeve për të ndaluar skemat e vjedhjes së votave dhe jetëve të qytetarëve”.

Gjithashtu, përfaqësuesja e opozitës ka kërkuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

“Është brenda mandatit të OSBE-së të verifikojë dhe të denoncojë marrjen e paligjshme nga Bashkia e Tiranës të numrit të kartave të identitetit nga prindërit e fëmijëve në çerdhe dhe në kopshte, për t’i përdorur ato në zgjedhje”, përfundoi Vokshi. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

DEKLARATA E ALBANA VOKSHIT

Vjedhja e votave dhe manipulimi i zgjedhjeve është prioriteti numër një i Edi Ramës dhe pupacit të tij në Tiranë, Erion Veliaj.

Skema e manipulimit, edhe në Bashkinë e Tiranës, është e njëjta me atë që Partia Demokratike ka denoncuar më herët me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë – detyrimi i prindërve për t’i dorëzuar Bashkisë numrin e kartës së identitetit, që futet në të dhënat personale që mbrohen me ligj.

Në përfundim të mandatit të tij

Me një bilanc të frikshëm korrupsioni;

Simbol i betonizimit dhe kullave klienteliste, ku pastrohen paratë e pista të korrupsionit dhe krimit të organizuar;

Simbol i kryebashkiakut që fshehu vrasjen e të riut Ardit Gjoklaj, për t’i shërbyer mafias së plehrave;

Simbol i kryebashkiakut që ka vënë nën kontroll pothuajse çdo media në vend

Erion Veliaj është kapur në flagrancë duke grumbulluar karta identiteti për të vjedhur votat.

Me urdhër të Erion Veliajt, ky formular u është shpërndarë prindërve që kanë fëmijët në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, për t’u marrë gjoja leje për publikimin e fotove të tyre. Një nga kërkesat e formularit, është dorëzimi i të dhënave personale, përfshirë numrin e kartës së identitetit.

Urdhri i Erion Veliajt është i paligjshëm. Ligji e ndalon Bashkinë e Tiranës apo çdo institucion tjetër, të marrë të dhënat personale të qytetarëve të saj. Numri i kartës së identitetit është një prej këtyre të dhënave dhe përbën një informacion kyç për zgjedhjet, përsa kohë, karta e identitetit është mjeti kryesor i votimit.

Urdhri i Erion Veliajt nuk i shërben as sigurisë së fëmijëve. Ai rrezikon ekspozimin e fëmijëve me fotografimin e tyre për llogari të fushatës elektorale të mashtruesit numër 1 të Tiranës.

Erion Veliaj nuk njeh asnjë limit, kërkon të përdorë edhe fëmijët e vegjël në çerdhe për interesa të tij personalë pushteti.

Partia Demokratike u bën thirrje prindërve të refuzojnë të japin të dhënat e tyre personale, sepse:

Urdhri i Erjon Veliajt është i paligjshëm

Urdhri ka për qëllim manipulimin e zgjedhjeve,

E mbi të gjitha urdhri përbën kërcënim serioz për sigurinë e tyre dhe të fëmijëve të tyre!

Abuzimi flagrant me detyrën i Erion Veliajt, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi duhet të jetë këmbanë alarmi për institucionet e drejtësisë.

Prokuroria dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të urdhërojnë nisjen e hetimeve për të ndaluar skemat e vjedhjes së votave dhe jetëve të qytetarëve!

Abuzimi me kartat e identitetit është një nga shqetësimet e ngritura nga OSBE në zgjedhjet e kaluara dhe pjesë e rekomandimit prioritar numër 3 në raportin final të OSBE/ODHIR.

Është brenda mandatit të OSBE-së të verifikojë dhe të denoncojë marrjen e paligjshme nga Bashkia e Tiranës të numrit të kartave të identitetit nga prindërit e fëmijëve në çerdhe dhe në kopshte, për t’i përdorur ato në zgjedhje.