PD, Çupi: Nuk mund të ketë parlament njëpartiak, s’ka qeveri pa opozitë

PD, Çupi: Nuk mund të ketë parlament njëpartiak, s’ka qeveri pa opozitë
Intervistë për gazetën “Albanian Free Press”, me deputeten e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi

Djegia e mandateve nga opozita e ka bërë politikën shqiptare edhe më të acaruar. Basha dhe Kryemadhi kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie transitore dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Këto kërkesa janë kundërshtuar nga Edi Rama që tha se do të vazhdojë të qeverisë vendin pasi ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend. Komuniteti ndërkombëtar thotë se protestat janë një e drejtë e opozitës, por shton beteja politike duhet ta zhvillohet dhe në Parlament. Në këto situata lind pyetja a do të ketë zgjedhje të parakohshme? Dhe pse nuk e mbështesin ndërkombëtarët aksionin opozitar. Në këtë intervistë për “Albanian Free Press”, deputetja e PD, Dhurata Çupi, thotë se “nuk mund të ketë parlament njëpartiak”, duke shtuar se “rrjedhimisht nuk mund të flasim më për mazhorancë, por për një qeveri të rënë, sa kohë nuk ka opozitë”.

Intervistoi: Albert Zholi

Cili ishte qëllimi dhe çfarë treguan protestat e opozitës?

Qëllimi i protestave është vetëm një, zgjedhjet e lira për shqiptarët. Përmes zgjedhjeve të lira shqiptarët do të mund te largojnë njëherë e përgjithmonë krimin nga politika e do të votojnë të lirë për veten e të ardhmen e fëmijëve të tyre.

 

Po në opinion shqiptar dhe atë ndërkombëtar si u pritën ato?

Shqiptarët e kanë pritur dhe e kanë kërkuar këtë reagim. Ata vetë e vendosën me pjesëmarrjen masive në protesta sepse kjo qeveri nuk i përfaqëson më. Asgjë nuk mund të lidhë një popull të lirë me krimin në pushtet. Vendimi për dorëzimin e mandateve të opozitës u diktua nga vetë shqiptaret. Ndërkombëtaret duhet ta vlerësojnë, e të gjykojnë një vendim mbarëpopullor si një thirrje për të nxjerr vendin nga situata ku është zhytur.

 

Pas këtyre protestave a u lëkundën më shumë pozitat e kryeministrit Edi Rama?

Edi Rama po përjeton ditët e rënies se tij nga pushteti. Këtë e tregoi edhe shfaqja e tij në daljen përpara opinionit publik në monologun që i zinte frymën. Them monologun pasi mesazhi qe përcolli e realizoi përmes kamerës së ERTV, duket që tashmë ka frikë jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga mediat që nuk heziton t’i quajë kazan.

 

Si e mendoni ta ardhmen e protestave të opozitës dhe cilat janë problemet e qeverisë “Rama 2”?

Opozita është e qartë në misionin e saj bashkë me shqiptarët e ndershëm të këtij vendi, për fat të mirë këta shqiptare janë shumica dhe janë jo vetëm të djathtë por edhe të majtë, me parti apo pa parti. Shqiptarët janë shumica që kanë vendosur me revoltën e tyre që kjo qeveri të mos jetë e tyre dhe ne jemi të bindur ti shkojmë pas këtij verdikti. Problemet që solli qeveria e Ramës solli këtë reagim mbarë popullor, pasi tashmë shqiptarët s’mund të jenë më të nëpërkëmbur. Pasuria e shqiptareve s’mund tu jepet miqve të ngushtë të kryeministrit, paratë e drogës e të krimit nuk mund të jenë zgjidhja. Varfëria ka kapluar vendin për shkak të kësaj keqqeverisje e po bën që shqiptaret të ikin nga sytë këmbët. Vetëm gjate viteve të fundit janë larguar të paktën 300 mijë shqiptarë. Pse duhet të ikin shqiptarët nga vendi i tyre, kur zgjidhja vjen duke larguar një kryeministër që ua ktheu në dëshpërim jetën?!

 

Ka reagime sipas të cilave, nga njëra anë, opozita thotë se policia provokon protestuesit, kurse nga ana tjetër, qeveria thotë se dhuna po përdoret nga protestuesit. Cili është mendimi juaj?

Shqiptarët kanë ardhur për të protestuar. Më 16 shkurt ata erdhën poshtë zyrës së kryeministrit i cili ndërkohë kishte përgatitur skenën teatrale në Vlorë. Ata erdhën të protestojnë ndërsa u provokuan nga policia me urdhër nga lart, duke lënë të lirë hyrjen. Detyra e policisë është të mbrojë institucionin, por policia partiake priste urdhrat politike nga lart.

 

A e dëmton mazhorancën djegia e mandateve të opozitës? Dhe, a do të ketë pasoja për qeverinë ky fakt. Çfarë zhvillimesh mund të priten në vend?

Nuk mund të ketë parlament njëpartiak, e rrjedhimisht nuk mund të flasim më për maxhorancë, por për një qeveri të rënë, sa kohë nuk ka opozitë. Opozita është me qytetarët ndërsa mazhoranca s’mund të jetë e tillë në këto kushte. Praktikisht kjo qeveri ka rënë ndaj dhe opozita kërkon qeveri tranzitore për të zhvilluar zgjedhjet e parakohshme. Për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve duhet të krijohen kushtet dhe të jepet garancia se do të jenë të lira e të ndershme. Për opozitën nuk ka kthim pas, dhe e majta duhet ta kuptojë rëndësinë e asaj që po ndodh në vend. Ka ikur koha kur kryeministri dilte e bënte humor bajat e tallej me shqiptarët. Tashmë ata nuk mund ta pranojnë një kryeministër të tillë. Ne do te jemi në protestë e në thirrje të vazhdueshme për Ramën që të tërhiqet sa nuk është vonë. Shqiptarët do ta largojnë shumë shpejt atë. Koha do e vërtetojë, koha punon për popullin shqiptar.