Panucci: Kualifikimi kërkon diçka speciale. Nëse jo, unë iki

Panucci: Kualifikimi kërkon diçka speciale. Nëse jo, unë iki
Trajneri i Kombëtares shqiptare nuk vë bast për 6 pikë në dy ndeshjet e para kualifikuese Euro 2020, por thotë se duhet larguar euforia e kualifikimit të kaluar, megjithëse mbetet i njëjti objektiv 

Nga Aranit Muraçi

Dita e sotme i gjen kuqezinjtë të grumbulluar dhe në përgatitjet, për ndeshjen e parë Euro 2020, ndaj Turqisë. Trajneri Christian Panucci, pasi bëri publik emrat e Kombëtares, që do të grumbullohet në kuadër të dy ndeshjeve kualifikuese “Euro 2020”, përballë Turqisë në “Loro Boriçi”, më 22 mars dhe tre ditë më pas ndaj Andorrës në transfertë, doli mbi objektivat, gjendjen aktuale të skuadrës, si dhe pakënaqësive apo kritikave që e shoqërojnë në punë:

Jeni i kënaqur me grupin e lojtarëve? Disa prej tyre janë rikuperuar. Çfarë do të shohin tifozët ndryshe nga Kombëtarja në këto eliminatore?

Duhet të ndryshojmë në sjellje. Mënyra e lojës do të jetë po ajo që kemi pasur. Kemi rikuperuar disa lojtarë dhe duhet të ndryshojmë diçka, duke filluar nga Turqia. Do të luajmë sipas skemave të zakonshme, 4-3-3, ose 3-5-2, por do të shohim sesi do të na ecin përgatitjet. Jam i kënaqur me 23 lojtarët që kam në dispozicion, por kjo do të varet edhe nga forma. Kemi thirrur edhe Cikalleshin, por ishte i dëmtuar. Ndoji dhe Binaku gjithashtu janë të dëmtuar. Janë rikuperuar Abrashi dhe Ajeti. Grezda ka luajtur dje, por të shohim se në çfarë forme do të vijë. Kam thirrur edhe Qosen, të cilin e kam ndjekur gjatë gjithë dimrit.

Pati një farë zhgënjimi vitin e kaluar, por megjithatë Kombëtarja e mbylli me fitore ndeshjen e fundit, në miqësoren kundër Uellsit. A do të jetë kjo ndeshje edhe si pikë referimi?

Po, besoj se po. Nuk do të thotë që do të mbrohemi, por të tërhiqemi disi, për të krijuar hapësirën e duhur për t’u nisur në sulm. Vura re se sa më shumë skuadra të hapet, na krijohen vështirësi. Kemi problem kur mundohemi të bëjmë futboll total.

Cilat janë pritshmëritë e Kombëtares në kualifikueset Euro 2020?

Duhet t’i marrim takimet me radhë dhe të shohim ndeshje pas ndeshje. Nuk mund të dalim jashtë realitetit, sepse jemi në vazon e katërt dhe nëse bëjmë mirë, dalim të tretët. Por nëse bëjmë diçka speciale, dalim edhe të dytët. Nëse jo, unë iki. Duhet të jeni të qetë dhe të përulur, pasi 2016-a i ka bërë keq dikujt (euforia që mbetet pas kualifikimit në Euro 2016).

Gjatë kësaj periudhe keni takuar lojtarë si Durmishaj, Vrushaj dhe Qose, të cilët edhe i keni ftuar. A i keni ndjekur Flancesko Tahiraj, që ka shënuar 9 gola, apo edhe Taulant Seferin?

Po i ndjekim të gjithë. Kam parë edhe Tahirajn, por do të shohim çfarë do të bëjmë në grumbullimet e tjera. Sa u përket të tjerëve, (Durmishaj e Vrushaj) kemi pasur një përgjigje, por më pas ndryshuan dhe zgjodhën të luajnë për Greqinë. Për detajet e tjera pse na refuzuan, duhet të flasë Federata.

Në listë keni vetëm 3 lojtarë anësorë në sulm. Pse mungon Ermir Lenjani?

Mund të luajmë edhe pa sulmues. Në krah, kemi Balliun që mund të luajë në sulm, por edhe Grezdën e Uzunin, që luajnë në të dy krahët, prandaj kam marrë vetëm kaq lojtarë. Kemi marrë Qosen, sepse është i fortë fizikisht dhe i gjatë, pasi në skuadër kemi Abrashin të shkurtër. Kemi Mavrajn që është i skualifikuar për 3 ndeshje, por kemi organikë të mirë dhe do të futemi në betejë me këta. Dua të shoh Sadikun se në çfarë forme vjen, pasi nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit dhe vjen pas një dëmtimi të gjatë. Lenjani mungon sepse është Binjaku dhe Aliji. Është çështje teknike, por Lenjani është pjesë e jona dhe mund të rikthehet në ndeshjet e ardhshme.

Vlerësimi juaj për Turqinë. Mungon Under, sa ju lehtëson ky fakt?

Turqia është skuadër shumë e fortë dhe me shumë cilësi, për më tepër sapo ka ndryshuar trajnerin. Janë më të fortë se ne, por duhet të angazhohemi maksimalisht që të synojmë fitoren. Besoj shumë te djemtë e mi dhe shoh pozitivisht, ndaj do të kërkojmë fitoren ndaj Turqisë. Është një mungesë e rëndësishme për kundërshtarin, por ata kanë shumë elementë të tjerë në përbërje, megjithatë preokupohem për lojtarët e mi.

Shqipëria i ka të dy portierët në formë. Kush është i preferuari në mendjen e trajnerit para ndeshjeve të radhës, Berisha apo Strakosha?

Kur bëj formacionin, vetëm këtu nuk gaboj, sepse kushdo që të luajë, na ofron thuajse të njëjtat garanci. Kam ende një dyshim të vogël se kush do të luajë, por nuk zbuloj më shumë, sepse ju tregova 3 mbrojtës që do luajnë tashmë.

Vetëm portieri i tretë, i vetmi lojtar nga kampionati shqiptar. A ka Kategoria Superiore lojtarë të tjerë me potencial për t’u përfshirë në Kombëtare?

Është shumë e vështirë. Kampionati shqiptar i jep pak kombëtares, shumë pak. Në përgjithësi lojtarët bëjnë diçka të mirë jashtë dhe pastaj vijnë në kombëtare. Megjithatë ne po i ndjekim të gjithë.

Një bast për 6 pikë në dy ndeshjet e para, me Turqinë e Andorrën?

Nuk vë dot bast, sepse do të më skualifikonin më pas.

 

Panucci-për lojtarët që “fshihen”, bast për ata që e refuzuan Kombëtaren:

“Asnjëri që iku nuk do të bëhet i rëndësishëm!”

Lidhur me mungesën e Vrionit, Panucci tha se “ai do të bëhet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, “por këtë herë vendosa të marr vetëm dy sulmues”.  Për Fiorin Durmishaj që mori ftesë, por e refuzoi, Panucci tha: “Do të shohim nëse do të luajë me Greqinë.” Më tej ai foli në përgjithësi, mbi refuzime apo mënyrën sesi reagojnë lojtarët. “Janë shumë të respektuar edhe ata që kanë zgjedhur një kombëtare tjetër, por problemi është tjetër, sepse një herë të thonë po, pastaj të fikin celularin, apo të nxjerrin në telefon menaxherin. Këta lojtarë nuk do të bëhen kurrë futbollistë të vërtetë, pasi një me autoritet dhe karakter të thotë që në fillim po, ose jo dhe e mbyll aty diskutimin.” Punucci kritikoi edhe ata lojtarë që sipas tij “ndryshojnë humor nga dita në ditë”. “Unë e kuptoj menjëherë nëse një lojtar do të vijë, apo jo, por thjesht nuk dua të na marrin për budallenj. Unë jam në një federatë serioze, ku ka vetëm po ose jo dhe nuk ka rrugë të mesme. Këtu vë bast, që asnjëri prej këtyre nuk do të bëhet i rëndësishëm. Shkova të shikoj një lojtar dhe erdhën babai i tij, menaxheri, xhaxhai dhe kryetari i bashkisë. A thua se ishte Messi. Tani nuk e di as se ku luan. Atëherë më thoshte se ishte i pavendosur dhe se duhet të fliste me babanë, menaxherin etj.”