OPINION NGA FRROK ÇUPI: REPUBLIKË DHE ANARKI

OPINION NGA FRROK ÇUPI: REPUBLIKË DHE ANARKI
Anarkia do të prodhojë dy pushtete, dy qeveri, dy Republika. Njëra është Republika e Anarkisë, ndërsa tjetra Republika e Kushtetutës

Nga FRROK ÇUPI

Asnjëra nga këto dy fjalë nuk qëndron me tjetrën; vetë nocionet ‘Republikë’ dhe ‘Anarki’ nuk pajtohen kurrë në jetën e tyre. Por tani na duhet të pranojmë absurdin; dhe ky është absurdi më i thjeshtë: Që të vëmë paralel ‘Republikën’ me ‘Anarkinë’.

Pak më i bezdisshëm do të ishte absurdi sikur të pasqyrohej sipas ‘krizës’ psikologjike kineze: “Je në tren?... Shikon pesë lopë?... Po dy pemë ulliri, i shikon?... Përballë duket një mal që e keni parë veç në kartolina... Atëherë merr këto të dhëna dhe më gjej sa vjeç është gjyshja e trenistit?”.

Ja këtu jemi praktikisht, në fushën e politikës. Politika po kërkon ‘Republikë’, por edhe ‘Anarki’.

Akti i parë i Anarkisë:

Një deputete e  vogël, por gjithë helm, e LSI, u shfaq sot dhe foli në emër të opozitës, duke iu bërë me gisht aleatëve Perëndimorë. “Do të na lini të bëjmë punën tonë!?”, iu tha ajo delegatëve të Bashkimit Europain. Ata e këshilluan opozitën që të marrë pjesë në Parlament, të pranojë ose të kundërshtojë vendime dhe ligje, por në Parlament; të votojë ose të hedhë poshtë me votë Reformat; dhe më në fund ‘të mos ushtrojë dhunë në protesta!’. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kërkuar drejtpërdrejt nga deputetët e opozitës: “Refuzoni kërcënimet e PD dhe LSI’ për dorëzimin e mandateve të popullit!...

Herën e parë kur kombi shqiptar u vu nën detyrimin që të izolohet nga Qytetërimi Perëndimor, ndërtoi diktaturë. Në sensin e ‘Demokracisë’ së Aristotelit ajo ishte realisht  Anarki. Rregullat dhe renditja e vlerave të Demokracisë u bënë silazh. Nocionet e kohës: ‘Demokraci në diktaturën e proletariatit!’, ‘Revokimi i mandatit të deputetit’ nga Partia, ‘Lufta e klasave si themel i lirisë’, ‘Ndërtojmë lumturinë në rrethim’, etj., nuk ka zot që mund t’i shkoqisë mes asaj anarkie të sistemit antinjerëzor. Thelbi ishte se ‘deputeti nuk ishte deputet’... Megjithatë, kishte edhe Republikë; madje Republikë me emër të gjatë: ‘Popullore, Socialiste e Shqipërisë’.

Hera e dytë e ‘anarkisë’ në Republikë është tani, kjo që po na bën presion: ‘partia urdhëron deputetët të lënë mandatet e popullit”, ‘nëse nuk fitoj unë zgjedhjet- nuk i quaj’, ‘meqë nuk mund të fitoj - vriteni kundërshtarin’, ‘nëse mblidhni Parlament, iu djegim rrugën dhe sallën’. Prapë pa deputetë. Kjo Republikë mund të ndërtohet veç në qoftë se izolohen nga Qytetërimi Perëndimor. Këta për këtë arsye po luftojnë fort kundër Perëndimit. Ja edhe ikona më dëshmuese: Në ditët më të zeza kur Anarkia godet Parlamentin, Presidenti i Republikës niset drejt Egjiptit ku deklaroi se ‘jam krenar për miqësinë mes nesh dhe Egjiptit!’.  Perëndimi veçohet nga aleancat me Republikën.

Akti i dytë i Anarkisë:

Kryetarja e LSI, ose gjysma e opozitës, mbrëmë doli nga takimi me evropianët dhe u ndal në Durrës. Para një grushti militantësh shpalli: “Zgjedhjet e parakohshme!’. “Tani jemi në fushatë për zgjedhje të parakohshme”, deklaroi.

Pse deklaroi e para kryetarja e LSI; në rangun e Opozitës? Deklarata i takonte kryetarit të Partisë Demokratike. Renditja e ofiqeve politike në këtë rast dëshmon thelbin e anarkisë që po vjen. Monika, kryetare e LSI, është gruaja e Presidentit të Republikës, ajo ka marrë garanci në familje për ‘dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme’. Sado pak vëmendje, zbulohet se prapa vrapimit për zgjedhje ilegale të parakohshme, qëndron kryetari i Republikës. Anarkia që po lëshon rrënjë përmes goditjes mbi Parlamentin, dhunës mbi stabilitetin, rrënimit të besimit ndaj Qytetërimi Perëndimor, goditja mbi zgjedhjet e lira, etj., krijon atmosferë të përshtatshme për Presidentin e Republikës që të shpallë ‘zgjedhje të jashtëzakonshme’ ose të bëjë çfarë do anarkia. Ai e bën këtë gjë, dhe pastaj thotë se ‘e bëri për shkak se ramë në Anarki’. Anarkia duket si imazhi i një burri dhe një gruaje- ku njëri lan tjetrin dhe të dy lajnë krimin mbi Republikën.

Akti i tretë:

Anarkia do të prodhojë dy pushtete, dy qeveri, dy Republika. Njëra është Republika e Anarkisë, ndërsa tjetra Republika e Kushtetutës; njëra është qeveria që ka dalë nga zgjedhjet legale, ndërsa tjetra- qeveria nga zgjedhjet ilegale; njëri pushtet i dalë nga zgjedhjet e pranuara botërisht, ndërsa pushteti tjetër- i dalë nga gryka e ‘pushkës’. Përplasja mes tyre do të ishte fatale për jetën e njerëzve në vend, që nga fëmija e deri te më i madhi. Por askush nuk pyet për këtë. Autorët e ‘pushtetit paralel’ në ‘Republikën e Anarkisë’ nuk falin asgjë dhe kanë të drejtë të mos falin. Thuhet se ndodhen në panikun që duhet të dorëzojnë pasurinë që kanë grabitur në tre dekada, plus llogari të tjera me ligjin. Përplasja do të ndodhë para se të ngrihet ‘republika e tretë’ që është Reforma në Drejtësi; ndryshe ata dështojnë. Nxitimi dhe nervozizmi janë në kulm. Në një moment të caktuar janë gati të provokojnë edhe vetë rolin e NATO-s në vend; euroatlantizmi ka të drejtë të mbrojë produktin e vet që është Reforma në Drejtësi...

... Në shumë ‘sayings’ nga mençuria e botës thuhet se ‘absurdi është prova e fundit’. Ndërsa në urtësinë e popullit tonë thuhet se ‘kur të mençurit ( liderët) flasin budallallëqe, një hall më të madh kanë’.

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit