Nga ROLAND QAFOKU: ZGJIDHJA QË DUHET TË BËJË EDI RAMA

Nga ROLAND QAFOKU: ZGJIDHJA QË DUHET TË BËJË EDI RAMA
Nga ROLAND QAFOKU

Edi Rama nuk iku. Qeveria nuk ra. 16 marsi nuk ishte dita e fundit në detyrë e kryeministrit. E megjithatë, nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë. Nuk ka më vend për indiferentizëm e moskokëçarje. Nuk ka më vend për të bërë paralelizëm, se në Francë bëhet edhe më keq dhe se qeverisë atje e francezëve të tjerë që nuk kanë lidhje me protestat, nuk ua ndjen shumë për djegiet dhe shkatërrimet. Duhet ta themi troç dhe me zë të lartë: Kjo po që ndodh në Shqipëri nuk është një situatë normale, që mund të thuash se jeta vazhdon. Jemi në krizë politike e sociale dhe situata nuk duhet lejuar kurrsesi të degradojë.

Përplasja mes policisë dhe protestuesve po rritet dhe politika është në ekstremin e një konfrontimi deri fizik. Sikur diplomatët e huaj të mos kishin bërë thirrje për qetësi, situata do ishte edhe më e rëndë. Dhe sikur akoma, ambasada amerikane të mos kishte lëshuar thirrjen e saj të fortë përpara protestës, situata do ishte shumë herë më inkadenshente. Ndoshta mund të kishte dalë jashtë kontrollit dhe pasojat doemos do ishin shumë, shumë të rënda.

Parlamenti vazhdon të funksionojë mbështetur mbi lëvizjet e axhendën e opozitës dhe kryetari i saj, Gramoz Ruçi vendos ta mbledhë seancën, vetëm atëherë kur opozita ka ndërmend një gjë tjetër, ose kur është e papërgatitur. Është një parlament, që nuk mund ta thuash kurrë se po funksionon normalisht. Parlament me bojkot të opozitës ka parë Shqipëria rregullisht, por parlament që mblidhet papritur për të zënë në kurth axhendën e opozitës, kjo nuk ka ndodhur kurrë. Komisionet mblidhen formalisht, seancat po ashtu dhe më shumë e kanë mendjen se ç’po ndodh jashtë, sesa te ligjet që miratohen, sikur jashtë të mos të ndodhte asgjë.

Sa për opozitën në Kuvend, ajo është më humoristikja që ka patur ndonjëherë ky parlament, qëkur u mblodh për herë të parë 98 vjet të shkuara. Më 21 janar të vitit 1921, në sallën e parlamentit të parë shqiptar u betuan si deputetë Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Ali Këlcyra, Sejfi Vllamasi, Gjergj Fishta, Kolë Thaçi, Ali Koprencka, Bektash Cakrani, Ndre Mjeda, Ahmet Zogu, etj. Një pjesë e tyre, përveçse kishin hedhur firmën e rëndë të pavarësisë së shtetit shqiptar, kishin formatin e lartë të burrave të kombit. Ndërsa në shkurt dhe në mars të vitit 2019, në parlament janë betuar ata, pjesën më të madhe të të cilëve nuk ia vlen t’ua përmendësh emrat.

Edhe pse në pushtet absolut, socialistët duken të çoroditur dhe duken sikur bëjnë pyetjen: Si ka mundësi që ndodh kjo, kur ne kemi 750 mijë vota dhe timonin të vetëm, si asnjë forcë politike në këto 29 vjet?

Për t’ua dhënë përgjigjen, mjafton t’u kujtojmë se në fund të vitit 1996, Partia Demokratike kishte po ashtu një pushtet absolut, por në janar të 1997-tës filloi rënia e madhe. Dhe për të kuptuar më mirë se në çfarë situate ndodhen socialistët, shikoni se kush i mbështet dhe i mbron nëpër studio televizive. Shikoni intelektualët, gazetarët dhe analistët që besojnë, ose u thonë të besojnë, se kjo situatë është normale. Më shumë akoma, shikoni se çfarë nxjerrin nga goja vetë drejtuesit socialistë kur mbrojnë veten. Nuk mund t’i quash antievropianë protestuesit e PD-së, që shkulin pllakat e betonit në rrugë dhe djegin goma makinash, ndërsa protestuesve të PS-së kur dikur bënin të njëjtën gjë, nuk u quhej. Me standardin e Faik Konicës që është edhe idhulli shpirtëror i kryetarit Rama, ky quhet humor i pavetëdijshëm. Tirana dhe Shqipëria nuk është e individëve që vendosin partinë mbi Shqipërinë. Shqipëria nuk është as e partive dhe as e pronarëve të posteve pushtetmbajtës. As e servilave të tyre që ndërrojnë parti, bindje dhe anësi sa herë u duhet, por e shqiptarëve dhe nuk vlen vetëm kur je në pushtet.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia: media ndërkombëtare ka zbarkuar në Tiranë si në 1991-shin, si në 1997-tën, si në protestat e vitit 2002 dhe si në ngjarjet e Gërdecit, apo të 21 janarit. Mjaftojnë të lexojmë headline-t e televizioneve dhe gazetave prestigjioze për t’i dalë e dehura politike çdokujt për atë që po ndodh në vendin tonë. Në krye qëndron radioja gjermane “Deutche Welle” me titullin “Opozita organizoi protestën më masive”. Apo agjencia më e madhe e lajmeve italiane “ANSA”, me titullin dhe okelion “Autoritetet shqiptare angazhuan 1800 agjentë, vendosen kamera të sigurisë dhe fortifikuan dyert e dritaret e Kryeministrisë për shkaqe sigurie”. Ndërsa televizioni më i rëndësishëm në Gjermani, “ZDF” nënvizonte:  “Skandali i fundit tregon mesa duket anëtarët e qeverisjes duke blerë vota për të manipuluar zgjedhjet”.

Në këtë mënyrë, e gjithë kjo që po ndodh nuk është normale. Dhe jo vetëm kaq. Kjo situatë kërkon doemos një zgjidhje. Një zgjidhje që tashmë është vetëm në dorën e kryeministrit Edi Rama. Pa tam-tam-e. Pa karshillëk. Me maturinë që një politikan, i cili ka pas 21 vite karrierë në politikë. Shqipëria nuk mund të qëndrojë në alert dhe ne të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë dhe se jeta vazhdon. Një qeveri teknike disa-mujore për të organizuar zgjedhjet parlamentare nuk do ishte jo vetëm fundi i botës, por do ta qetësonte Shqipërinë. Shembuj kemi edhe në kohë të shkuara, por edhe moderne, dhe rregulli e do që historia përsëritet. Për kohë të shkuara, mjafton të përmenden vetëm dy, se numri i atyre që kanë dorëzuar detyrën është i madh. Në kulmin e lavdisë, por për hir të Shqipërisë, Ismail Qemali dhe Ahmet Zogu, në detyrën e kryeministrit kanë dhënë dorëheqjen. Por edhe pas rrëzimit të komunizmit, modeli i dorëheqjeve është pothuajse masiv. Duke patur postin e kryeministrit, Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Pandeli Majko dhe Ilir Meta ka dhënë dorëheqjen për shkak të rrethanave dhe situatës së tensionuar. Edhe Sali Berisha president ka dhënë dorëheqjen. Por ama kurrë nuk duhet të shkojmë te varianti i kryeministrave, që kundërshtarët politikë i kanë dëbuar me dhunë. Pandeli Evangjeli dha dorëheqjen nga detyra e kryeministrit me pistoletë te koka, teksa flinte gjumë në hotel. Hasan Prishtina u largua nga detyra e kryeministrit i rrethuar në shtëpinë e tij nga një batalion i armatosur. Shefqet Vërlaci u dëbua me kryengritje, grusht shteti, apo siç e quante historiografia komuniste, revolucioni borgjez i qershorit të vitit 1924, duke sjellë Nolin në pushtet si kryeministër. Vetë kryeministri Fan Noli u dëbua nga detyra, godina dhe Shqipëria me sulmin më armë të asaj që u quajt triumf i legalitetit të Ahmet Zogut. Natyrisht, që këto janë histori të lashta të qeverisjes së vendit, por kur dëgjojmë krerët e opozitës që bëjnë thirrje ta dëbojmë Ramën nga shtëpia dhe Shqipëria, situata duket sikur do përsëritet.

Prandaj, dorëheqja e Ramës dhe zgjedhjet e reja parlamentare do të ishin e vetmja alternativë e zgjidhjes së kësaj situate. Ajo mbetet e vetmja valvul shkarkimi e këtij tensioni, që vetëm e dëmton dhe e lodh Shqipërinë. Më pas, në këtë garë elektorale do mateshin forcat. Një betejë, që kush do ta fitonte, do bëhej fituesi i madh. Dhe nëse do humbiste, do bëhej humbësi i madh. Këto janë rregullat e demokracisë dhe e gjitha kjo, duhet bërë për hir të Shqipërisë. Burrat e shtetit vihen në provë në momente të vështira, jo kur ka festë.

Shkrimin mund ta lexoni edhe në gazetën e përditshme Albanian Free Press ose klikoni këtu.