Nga FRROK ÇUPI: ALIENËT E REVOLTËS

Nga FRROK ÇUPI: ALIENËT E REVOLTËS
Nga FRROK ÇUPI

-Kush e bëri të flasë memecin e bjeshkës?... Një natë vere e zuri gjumi në lëndinë dhe të nesërmen erdhi në shtëpi me gojë. Një alien kishte ardhur nga qielli pranë trupit të djalit- tregojnë

-Kush i ndërtoi piramidat e Egjiptit? Masat e gurit që u vendos para 5 mijë vjetësh janë jashtë mundësisë së mjeteve të kohës... Për fuqinë e alienëve mendojnë.

-Kush ia dha protestës së Tiranës atë fuqi që opozita kurrë nuk e ka? Opozita është pa elektorat, e qullët dhe pa lider; ajo thotë se nuk ka para aq sa për të paguar skuadrat e forcës dhe militantët e dhunës, vetë e kemi parë opozitën që ‘edhe rëndësi po ë ketë, as drurin e thjeshtë pesë pëllëmbë s’e ngre dot’, sipas Majakovskit... Ku e kishte gjithë atë fuqi sa të kërcënojë fuqitë e Perëndimit (Amerikë dhe Europë) se ‘as dua t’ía di për ju’?

Për të gjitha ato që arrihen jashtë mundësive natyrale a financiare të subjektit, bota ka vënë gishtin mbi ‘alienët’...

Para alienëve kryetari i opozitës nuk kishte kërcënuar as marrëdhënien me aleatët, as paqen në vend, as stabilitetin... Papritur lideri deklaroi se ‘nuk duam stabilitet..., duam demokraci”. Deri dje nuk e mendonim dot se si do të goditej hapur stabiliteti... As në vitin e shkatërrimit (’97) politika nuk mundi të kërcënojë haptazi ‘stabilitetin’.

Nga është grumbulluar gjithë energjia për të goditur stabilitetin? Stabiliteti është pika e dobët e rajonit. Në vendin tonë është bërë shumë kohë pa shkaktuar trazira... Zhvillimet e fundit në Shqipëri në këndvështrimin e Bashkimit Europian shikohen si destabilitet, tha sot në Tiranë drejtori për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Christian Danielsson.

‘Alienët’ vijnë nga jashtë. Vendi ynë ndodhet në rajonin ku prej kohësh janë paralajmëruar trazira a konflikte për shkak të ndërhyrjes nga jashtë, sidomos Rusia. Perëndimorët ( Evropë dhe Amerikë) japin alarmin se Rusia po tenton destabilizimin e Ballkanit. Vajtje- ardhjet e ambasadorëve në zyrat e opozitës dërgojnë aty pa pushim shqetësimin se opozita po ndjek skenarë që i shërbejnë vendeve armike. Veçanërisht pas zgjedhjes së Donald Trump dhe pas Brexit, fuqia e Lindjes e çmon ndërhyrjen si më të domosdoshme dhe më të shpejtë. Në rajon janë konstatuar politika të fshehta që përcjellin ‘rusizimin’, investime nga Rusia, ndërhyrje financiare në xhepat e politikanëve për të minuar procesin në Shtetet e Bashkuara, etj. Mediat e Putin janë më aktivet në historinë post- Stalin, në revoltat e opozitës.

Rusia ka kthyer sytë nga vendet në krizë dhe me paqëndrueshmëri politike. Sipas tyre, në shtetet Ballkanike, ku ka përplasje, operojnë dhe fraksionet ruse. Dimitar Bechev, hulumtues në Qendrën për Studime Sllave, Euroaziatike dhe Lindore në Universitetin e Karolinës së Veriut, në një intervistë së fundi ka treguar se si Rusia po shtrin tentakulat në vendet ballkanike.

I pyetur se çfarë sjell ndikimi rus, ai ka thënë: “Skenari më i keq është izolimi!”.

Njëherësh me goditjen mbi stabilitetin, opozita ka shpallur tendencën e izolimit nga Perëndimi. Goditja mbi stabilitetin dhe izolimi- ‘komunikojnë’ dhe ushqejnë njëri tjetrin. Pasi të arrihet ‘status quo’ e parashikuar, opozita dhe të tjerë e kanë më të lehtë kapjen e shtetit. Dhuna bëhet më e natyrshme; ajo sapo ka nisur në protesta; analistë të ndryshëm paralajmërojnë skenar të zi se në 16 mars do të shkaktojnë edhe viktima si trofe për fitoren e opozitës. Pak më vonë ndërhyrja e huaj mund të jetë shumë më kërcënuese, deri në jetën e individit, në të drejtat dhe në trojet e kombit.

Sigurisht, sot për sot, as Rusia as Kina nuk mund të bëjnë aq sa duhet për të zëvendësuar Perëndimin. As Turqia nuk mundet. Qytetarët e Ballkanit- që nga Serbia e Shqipëria- nuk drejtohen për punë në Rusi e Kinë, as për shkolla, as për shkencë. Por këtyre aktorëve të jashtëm nuk iu intereson sa mund të bëjnë pasi të rrëzojnë përtokë stabilitetin. Kaq e kanë, deri këtu.

Edhe opozita, me filozofinë e saj të ‘goditjes mbi stabilitetin’, kaq kërkon. Më tej, opozita nuk ka thënë se mban përgjegjësi. Opozita ka deklaruar se ‘nuk do pushtet’, që kush do të kuptojë kjo do të thotë se ‘nuk mban përgjegjësi’, as ka kapacitete për të qeverisur. ‘Alienët’, me siguri kanë investuar deri në rrëzimin përdhè të stabilitetit.

Pse opozita kërkon ‘demokraci pa stabilitet’?

E para, në raport me shtetin dhe shtetformimin, kjo paradigmë nuk ka sens. Por politika me kokë në thes bën atë që i thotë tjetri. Ai që paguan, ai ka të drejtë të shtrembërojë edhe teorinë.. Alienët ua kanë kërkuar ‘demokracinë’ pa stabilitet, si një moment të rrëzimit të shtetit.

‘Demokracia pa stabilitet’ e dërgon shtetin në reanimacion. Aty shteti bëhet gati të presë çdo lloj infeksioni ose kirurgu.

... Dhe njëkohësisht prerja me thikë e marrëdhënieve me Amerikën dhe Evropën! Atëherë këtu ‘jemi vetëm, bëjmë si duam’. Kjo mjafton për ta bërë gati Shqipërinë që të vihet në akse të tjerë ruso- sllave, ose të paktën për të vonuar a penguar anëtarësimin në BE dhe në euro-atlantizëm.

Alienët kanë nisur të duken që prej vitesh në rajonin tonë. Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, u kryen dy grushte shteti: Mali i Zi, Turqi, dhe aty ngeci plani. Tani përsëri Ballkani është i ‘alienuar’ me qëllim që të krijojë ‘reanimacionin’ e shteteve.