Meta në Azerbajxhan: Faleminderit për gazin dhe TAP, të heqim edhe vizat

Meta në Azerbajxhan: Faleminderit për gazin dhe TAP, të heqim edhe vizat
Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar homologut Ilham Aliyev të shikohet mundësia për të hequr regjimin e vizave ndërmjet dy vendeve.

Takimi i dy kryetarëve të shtetit u bë në Baku, gjatë vizitës së Presidentit Meta në Azerbajxhan.

“Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Presidenti Aliyev i ka dhënë projekteve të gazsjellësve TAP dhe IAP, nëpërmjet të cilave Shqipëria u bë pjesë e rrjetit të rëndësishëm të korridorëve botërore të energjisë. Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, të dy Presidentët ndanë mendimin se zbatimi i suksesshëm i projektit TAP hap mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë edhe procesin e ardhshëm të gazifikimit të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.

Presidentët Meta e Aliyev vlerësuan me shumë interes bashkëpunimin në fushën e turizmit, mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe nxitjen e takimeve mes dhomave përkatëse të tregtisë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Presidenca e Republikës