LËVIZJE DIPLOMATIKE/ Zv/ambasadorja amerikane në zyrën e Bashës, sot mbërrin edhe Drejtori i Zgjerimit në BE

LËVIZJE DIPLOMATIKE/ Zv/ambasadorja amerikane në zyrën e Bashës, sot mbërrin edhe Drejtori i Zgjerimit në BE
Teksa situata politike në Shqipëri është rënduar edhe më shumë me dorëzimin e refuzimeve për marrje mandati nga kandidatët e radhës në listat e partive opozitare, po intensifikohen edhe përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e “ngërçit”.

Zëvendës ambasadorja Leyla Moses-Ones ka mbërritur paraditen e sotme në selinë e Partisë Demokratike për të takuar kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë politikë.

Në mungesë të ambasadorit të ri, Leyla Moses-Ones është autoriteti më i lartë diplomatik amerikan në Tiranë.

Por edhe Bruklseli po bën lëvizjet e veta.

Sot pritet të mbërrijë në Tiranë Drejtori i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Christian Danielsson.

Zyrtari i lartë i Brukselit do të bëjë takime të veçanta me palët.

Ai do të bisedojë me Kryeministrin Edi Rama, me drejtuesit e opozitës së bashkuar dhe më pas një konferencë për shtyp.

Deri tani palët nuk kanë lëvizur asnjë centimetër nga pozicionet.

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme me një qeveri transitore, pa Edi Ramën si Kryeministër.

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se nuk do të ketë as zgjedhje politike të parakohshme dhe as qeveri transitore, duke lajmëruar “ndezjen e motorëve” për zgjedhjet vendore të dekretuara më 30 qershor.

Të dyja palët janë shprehur të vendosura për të mos bërë “asnjë hap mbrapa”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google