Lamtumirë Vllazni! Hasan Lika, me familjen në SHBA

Lamtumirë Vllazni! Hasan Lika, me familjen në SHBA
Trajneri i Vllaznisë largohet papritur nga skuadra. Ervis Kraja shihet si pasues i tij

Hasan Lika ka dhënë dorëheqjen nga Vllaznia. Trajneri që drejtoi ekipin shkodran gjatë këtij sezoni, në Kategorinë e Parë, me objektivin kryesor rikthimin në Superiore, në momentin më të mirë të skuadrës ka kërkuar largimin, duke befasuar jo pak në Shkodër. Ai ishte dje dhe është ndarë me lojtarët dhe stafin drejtues, ndërkohë që Vllaznisë i mbetet të gjejë një trajner tjetër, deri në mbyllje të kampionatit. Ai para se të ndahej ka shtruar edhe një drekë me stafin, ku i pranishëm ishte edhe Ervis Kraja, për të cilin Albanian Free Press”, mësoi se është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kuqebluve.

Largimi i tij nuk ka lidhje me ndonjë kontradiktë, ndërkohë që Vllaznia kryeson bindshëm grupin e saj në Kategorinë e Parë dhe është në udhë të mbarë.  Hasan Lika tha se largimi i tij lidhet me emigrimin në Amerikë. - “Kalova një periudhë të mirë në drejtimin e Vllaznisë. Edhe pse në Kategorinë e Parë, e pranova ofertën e drejtuesve të saj, të cilët i falënderoj për bashkëpunimin e sinqertë. Më vjen keq që largohem, por këto ishin kushtet e mia familjare. Në fundin e këtij muaji më skadon viza për në Amerikë prandaj edhe Vllaznisë i uroj suksese në Kategorinë Superiore”, - u shpreh  Hasan Lika. Ai e lë Vllazninë në krye të grupin A, 11 pikë më shumë se Erzeni dhe Korabi, që ndajnë vendin e dytë e të tretë. Për rikthimin gati të sigurt në Superiore, Vllaznisë i mbetet të gjejë pasuesin e Hasan Likës.  Klubi shkodran falënderoi trajnerin Lika për kontributin e dhënë, ndërkohë që  shumë shpejt do të zyrtarizojë edhe emrin e trajnerit të ri. /A.M/