“Kundërsulm” ndaj dhunës: Tre vjet burg, kush futet në fushë!

“Kundërsulm” ndaj dhunës: Tre vjet burg, kush futet në fushë!
Qeveria angazhohet për t’i dhënë fund dhunës në fushat e blerta. Kodi i ri Penal parashikon masa të ashpra ndaj kujtdo që shkel vijën e bardhë, ndërkohë priten ndryshime edhe mbi financat e futbollit

Nga Aranit Muraçi

Në prani të drejtuesve kryesorë të Federatës Shqiptare e Futbollit, drejtuesve të klubeve të futbollit, si dhe përfaqësuesve të lartë të qeverisë, nga Kryeministri Edi Rama u dha mesazhi i prerë, se duhet zhdukur një herë e mirë fjala “dhunë” nga fushat e blerta. Përveç masave konkrete që do të merren në këtë drejtim, Rama premtoi edhe ndryshime të rëndësishme në aspektin financiar, mbi mënyrën sesi funksionojnë aktualisht klubet e futbollit, që për shkak të burokracive, nga më të ndryshmet,  kanë mbajtur e mbajnë peng zhvillimin e sportit më popullor në vend.

Futja në fushë, minimumi tre vjet burg

“Besoj se është koha që Policia e Shtetit dhe Federata të mos ia lënë topin njëra-tjetrës, por të bashkëpunojnë. E di që ka një problem ligjor, por kjo nuk është një arsye për t’u fshehur pas gishtit”. Kryeministri shtoi se klubet duhet të pajisin impiantet sportive me kamera, për të identifikuar incidentet. “Por ajo që i nevojitet futbollit shqiptar në këto momente është forcimi i kuadrit ligjor, për parandalimin e dhunës” – theksoi Rama. Anglia është shembulli konkret, atje ku stadiumet ngjajnë me teatro, teksa Kryeministri solli në vëmendje vendimin e vitit 1989, kur pas rasteve të përsëritura të dhunës anglezët e vendosën me ligj, që në rast një tifoz do të futej në fushë, kjo përbënte vepër penale. Edhe në Shqipëri tifozët e dhunshëm, apo edhe zyrtarë të klubeve, ashtu si në praktikat ndërkombëtare, përveç ndëshkimit të ligjit, do të pezullohen përjetësisht nga stadiumet. “Stadiumet nuk duhet të jenë arena ku shahet me libër shtëpia arbitri apo edhe kundërshtari. Ne do të ndërhyjmë menjëherë në Kodin Penal. Kapërcimi i vijave të bardha do të dënohet me tre vite burg, dhe jo më me gjobë. Kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër është një kërcënim fizik për ata që janë duke kryer detyrën e tyre”, u shpreh Kryeministri. Kjo nismë pritet së shpejti të kalojë në Parlament.

Teatri me kontratat e futbollistëve 

Shumica e klubeve të futbollit në Shqipëri përballen me probleme financiare. Kryeministri Edi Rama, përveç disa ndryshimeve dhe lehtësirave që premtoi, ka qenë i ashpër dhe kritik, duke parë disa prej drejtuesve të klubeve si pjesë të problemit. “Nëse doni investoni, nëse nuk ju pëlqen futbolli, kaloni në një sport tjetër, investoni për shembull, në volejboll, por mos mbani peng klubet. Ka të tjerë që duan të investojnë”, - u shpreh Rama. Ka ndodhur në disa raste, që presidentët e klubeve të futbollit vijnë me premtime dhe pas një apo dy sezonesh nuk financojnë prej pasigurive apo vështirësive financiare. Në vend që ata të largohen, mbajnë peng klubin derisa falimentojnë bashkë me të. Rama e cilësoi po ashtu teatër mënyrën sesi funksionojnë financiarisht klubet e futbollit në Shqipëri. Nuk ka kontrata, ose ato janë formale, dhe nuk respektohen.  “Duhet t’i japim fund teatrit që bëjnë klubet shqiptare, në deklarimin e pagave të lojtarëve.” Ai përmendi faktin se ka lojtarë që deklarohen të paguar si masonë, edhe pse mesatarisht ata (Kategoria Superiore) marrin mbi pesë mijë euro në muaj. Jemi gati ta zerojmë tatimin nga fitimi ndaj lojtarëve, për disa vite.” Po ashtu do të zerohen edhe borxhet e prapambetura, sidomos në rastet kur nuk kanë lidhje drejtuesit aktualë. Mbledhja e taksave nga sporti u premtua se do të kthehet në investim për infrastrukturën sportive.

Ndryshimi i ligjit për sportin, dhe disa kritika

Qeveria u shpreh e gatshme për të diskutuar mbi një ligj të ri mbi sponsorizimet. Do të ngrihet një grup i posaçëm pune, që të njihet me problematikën. Deri tani presidentët e klubeve të futbollit njihen si sponsorë, pa të drejtë pronësie mbi stadiumet apo infrastrukturë, çka ka bërë që shumë prej tyre të mos ndjejnë siguri për të investuar. Ky fenomen që është zvarritur për vite ka lidhje me një tjetër tregues, aspak premtues, që bën me faj edhe bashkitë. “Deri më sot ne nuk kemi asnjë stadium të menaxhuar normalisht. Është bërë federata si një ambulancë që merr përsipër menaxhimin, ndërkohë normaliteti kërkon tjetër gjë”, theksoi kryeministri, duke fajësuar klubet dhe bashkitë përkatëse që nuk kanë gjetur mënyrat e duhura për t’i kthyer stadiumet në mjedise për të argëtuar tifozët dhe jo të prodhojnë dhunë. Ngritja e komisionit të posaçëm do të merren edhe me  mënyrën sesi menaxhohen të ardhurat nga klubet e bashkitë, dhe sesi ato mund të shpërndahen më mirë në dobi të futbollit, duke qenë se shpesh ato nuk kanë pasur “destinacion”.

Krijimi i një arbitrazhi ligjor në Shqipëri

Kryeministri Rama, lidhur me gjyqet e shumta që deyrojnë klubet shqiptare t’i drejtohen Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, propozoi një nismë të re, për krijimin e një gjykate arbitrazhi në vendin tonë. - “Kam dëgjuar shpesh që duhet shkuar në CAS, Lozanë. Fillimisht do të mbarojmë ndryshimet në kodin ligjor. Më pas të tjerat t’i plotësojmë brenda 100 ditësh dhe do të takohemi sërish. Ne do vazhdojmë të mbështesim Federatën dhe Futbollit, së shpejti do të fillojnë punimet për stadiumin e Kukësit, ndërkohë që sipas radhës po shohim edhe nga Durrësi, Fieri dhe Vlora”.

 

Kërkesat e klubeve dhe FSHF-së, drejtuar Qeverisë Shqiptare

Armand Duka optimist: Ditë më të mira, për futbollin

Tryeza e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit, Qeverisë Shqiptare dhe Presidentëve të klubeve shqiptare të futbollit, për t’i dhënë fund bojkotit pas dhunës së përsëritur në fushat e blerta, nxori në pak një sërë problematikash me të cilat përballet sporti dhe veçanërisht futbolli në Shqipëri. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh se kërkohen ndryshime në kodin penal, pasi agresorët duhet të ndjejnë peshën e ligjit me masa parandaluese apo ndëshkuese karshi tyre. Prej tij u propozua formalizmi i klubeve, si dhe krijimi i lehtësirave fiskale. Duka ka folur më tej edhe për rritjen e bashkëpunimit mes Prokurorisë, me qëllim që të shmangen rastet e trukimit të ndeshjeve, si një fenomen negativ që po prish imazhin e futbollit tonë. - “Prania e Kryeministrit tregon se jemi të ndërgjegjshëm dhe njëzëri për rëndësinë e futbollit. FSHF ka hartuar në vitin 2016 një paketë ligjore, të cilat ne besojmë se do t’i japë zhvillim futbollit shqiptar”- u shpreh Duka.

Propozimet e FSHF-së

Nevoja e formalizimit të klubeve profesioniste, duke hequr Tatim-Fitimin për pagat etj.

Lehtësi Fiskale duke bërë zero TVSH-në për investimet në sport

Ndryshime i ligjit për Sponsorizimin në Sport

Terrenet sportive t’i kalojnë në pronësi klubeve sportive, pa shpërblim financiar

Për çdo investim në terrene sportive, qeveria të marrë pjesë me 50 % të vlerës së investimit

Nëse do ketë kompani bastesh në të ardhmen, një përqindje e fitimit të tyre të shkojë për sportin

Ndryshimi për ligjin për sport, duke nisur me ndërhyrjen edhe në kodin penal