KUALIFIKUESET EURO 2020/ Sadiku: Bast me trajnerin, duam 6 pikë!

KUALIFIKUESET EURO 2020/ Sadiku: Bast me trajnerin, duam 6 pikë!
Sulmuesi Armando Sadiku i rikthyer pas dëmtimit premton 6 pikë për dy ndeshjet ndaj Turqisë dhe Andorrës si dhe injoron Fiorin Durmishaj: Nuk e njoh, kush është? Nga Aranit Muraçi 

Pas një viti mungese prej dëmtimit, më 2 mars ndaj Turqisë në ndeshjen e parë kualifikuese të Euro 2020, dhe tre ditë më vonë ndaj Andorrës, sulmuesi Armando Sadiku do të jetë i gatshëm, në dispozicion të trajnerit Christian Panucci. Trajneri nuk e ka fshehur entuziazmin e rikthimit, ashtu sikurse edhe sulmuesi elbasanas. - “Është e vërtetë që pas 7 muajsh dhe pas një viti u riktheva sot dhe jam shumë i lumtur. Mezi pres të rikthehem dhe të gjej golin.” Rikthimi pas mungesës së gjatë i Sadikut shton optimizmin edhe te tifozët. Ndërkohë ndaj Turqisë, në “Loro Boriçi”, atmosfera pritet të jetë e jashtëzakonshme.

“Jam shumë mirë fizikisht pasi kam luajtur javët e fundit edhe me Luganon (ekipi zviceran) dhe çdo javë po marr formën fizike më të mirë.”Sadiku pranon se Kombëtarja gjatë ndeshjeve të kaluara nuk ka bërë paraqitjet e duhura. “Ka munguar goli dhe shpresoj që ta gjej. Jam pozitiv dhe me energji, por është trajneri që ai vendos se kush luan e kush jo. Kombëtarja është një ndjenjë që e ëndërron gjithmonë dhe mezi pres jo vetëm për të luajtur, por edhe për të dhënë në fushë atë duan tifozët.”

Sadiku ishte projektuar partner sulmi me Fiorin Durmishaj, por sulmuesi i Panionios në Greqi preferoi pak ditë më parë të bëhej pjesë e përfaqësueses helene. Lidhur me këtë rast, Sadiku është përpjekur ta injorojë zgjedhjen e tij. “Unë nuk e di kush është Durmishaj. Kam dëgjuar rreth tij, por nuk e njoh.” Sulmuesi që u huazua nga Levante te Lugano gjatë janarit, thotë se ndaj Turqisë e Andorrës, ka kolegët e duhur për të gjetur golin dhe fitoren. “Ku ta gjej që të luaj me lojtarë si Uzuni, Grezda apo Roshi. Ky i fundit më ka asistuar në çdo ndeshje.” Mbi kundërshtarin e parë, ndaj së cilës kuqezinjtë fituan në një miqësore gjatë vitit të kaluar, Sadiku pranon se edhe “Turqia ka cilësi dhe lojtarë me emër, ndaj edhe i respektojmë. Duhet të përsërisim ndeshjen e kaluar në Turqi.” Por për çfarë luan Shqipëria në, dy ndeshjet e para Euro 2020? “Me ndihmën e Zotit duam 6 pikë në dy ndeshje, por kënaqemi edhe me 4 pikë. Kemi vënë bast me trajnerin dhe nëse marrim 6 pikë, ai do të na dhurojë diçka,” shprehet i rikthyeri i sulmuesit Kuqezi, Armando Sadiku.

Dallimi mes Panucci e Gerrard

Grezda: Te Shqipëria kam gjetur më tepër besim  

Edhe Eros Grezda thotë se është gati për Kombëtaren. - “Pata një periudhë të vështirë, pasi pësova një dëmtim të rëndë, megjithatë kam punuar shumë dhe ndihem në formë”. Trajneri Christian Panucci, mbi kualifikimin historik të Shqipërisë në Euro 2016, u shpreh se për të arritur kualifikimin e dytë s’duhet kujtuar e kaluara, por duhet punuar ndoshta edhe më shumë. “Nëse mendojmë të kualifikohemi, duhet të luajmë për 6 pikë (ndaj Turqisë e Andorrës). Në suksesin e kaluar i bëmë të gjithë tifozët krenarë. Do të mundohemi të bëjmë përsëri të njëjtën gjë, i kemi mundësitë”. Mesfushori i Glasgou Rangers foli për marrëdhëniet me trajnerin Stiven Gerrard, ish-lojtar i shquar i Liverpool, duke bërë një krahasim mes tij e Christian Panucci-t.  “Në aspektin njerëz janë dy tipe të ndryshëm. Panucci më ka dhënë më shumë hapësirë, por si trajnerë të dy janë tepër profesionistë”, theksoi  Grezda, cili nuk është preferuar rregullisht në formacion te gjiganti skocez gjatë këtij sezoni.

----

Pikante nga stafi kuqezi

  • Kombëtarja Shqiptare zhvilloi dje në Durrës seancat e para stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy takimet e muajit mars, ndaj Turqisë dhe Andorrës, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian të vitit 2020.
  • Janë larguar në ditën e parë të grumbullimit Andi Lila dhe Egzon Binaku, të cilët nuk mund të rikuperoheshin në kohë për dy takimet e marsit. Probleme dëmtimi ka pasur edhe Bekim Balaj,i cili shpreson të riaftësohet për sfidat ndaj Turqisë dhe Andorrës
  • Në dispozicion të trajnerit Christian Panucci nuk ishin futbollistët e grumbulluar Taulant Xhaka, Kristal Abazaj dhe Naser Aliji, të cilët sipas stafit kuqezi do të bashkoheshin me skuadrën mbrëmjen e së hënës, pasi ishin aktivizuan të dielën me skuadrat e tyre.
  • Lidhur me dëmtimet e papritura Panucci ka thirrur me urgjencë tre lojtarë të tjerë, mesfushorët Keidi Bare dhe Ylber Ramadani, si dhe mbrojtësin Kastriot Dermaku. Të tre këta futbollistë ai i grumbulloi për t’i testuar në miqësoret apo në ndeshjet e vitit të kaluar, në Ligën e Kombeve.
  • Mërgim Mavraj , mbrojtësi i Ingolstad, u la jashtë Kombëtares për dy ndeshjet e marsit. Por ai doli në stërvitje i veshur kuqezi, duke shprehur edhe arsyen. - “Sa ditë e mërzitshme mos me i vesh këto ngjyra kuqezi në ditën e grumbullimit të kombëtares,” ka qenë mesazhi i tij. Qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj ka mbajtur në Kombëtare edhe shiritin e kapitenit.
  • Nga mungesa e Mavraj shiriti i kapitenit do t’i kalojë mbrojtësit Elsied Hysaj. Për këtë arsye ai u përzgjodh të ishte krah presidentit Armand Duka, në marrëveshjen që Kombëtarja firmosi dje me kompaninë telefonike celulare, ‘Vodafobe Albania”, nën sloganin “Jemi Një.” Etrit Berisha është kandidati tjetër pas Hysaj, për shiritin e kapitenit.