Kualifikimi, besim aspak i tepruar i Taulant Xhakës!

Kualifikimi, besim aspak i tepruar i Taulant Xhakës!
Mesfushori energjik, fitoren 3-0 me Andorrën, e konsideroi si një moment kthese për të prekur sërish finalet e Euro 2020. Trajneri i ri që do të vijë debuton në dy ndeshjet e muajit qershor, që nga lojtarët dhe stafi kuqezi kjo periudhë shihet si shans i artë për t’u vënë në ndjekje të Francës   

Unë besoj se mund të shkojmë shumë larg, nëse luajmë siç kemi luajtur me Andorrën, mund të arrijmë sërish në finalet e Europianit.” Taulant Xhaka, mesfushori i Kombëtares shqiptare, nuk e ka fshehur gazimin, sikurse edhe lojtarët e tjerë, për fitoren 3-0 ndaj Andorrës, në ndeshjen e dytë kualifikuese Euro 2020. Kjo fitore erdhi pas një sërë zhgënjimesh, ku më i fundit ishte në humbjen me Turqinë, në Shkodër, 2-0, humbje që çoi në shkarkimin e trajnerit Christian Panucci.  Ndaj Andorrës, Shqipërinë e drejtuan dy trajnerë provizorë vendas, Ervin Bulku dhe Sulejman Mema. Mesfushori i Basel,  Xhaka, pranoi se edhe më herët si ndihmësi i Panucci, “Bulku ka bërë punë shumë të mirë.” Ai dhe futbollistët e tjerë kuqezi nuk kanë dashur të flasin mbi të ardhmen,  por pranuan se pavarësisht kundërshtarit, Andorra do t’i ndihmojë kuqezinjtë, në përmbushjen e objektivit. “Duhet të harrojmë Turqinë. Kjo fitore na jep shumë vetëbesim,” – theksoi Xhaka, i cili pas ndeshjes, bashkë me mikun e tij më të ngushtë, Amir Abrashin, autorin e golit të tretë janë larguar në drejtim të skuadrave respektive.

Ajo që vlen të theksohet në fitoren e fundit kundër Andorrës, përveç tre pikëve, është zhbllokimi i dy sulmuesve kryesorë, Armando Sadiku dhe Bekim Balaj. Përveç këtij fakti pozitiv, Shqipëria në muajin qershor do të ketë edhe kalendarin në favorin e saj. Do të përballet më 7 qershor me Islandën jashtë, një ndër rivalët kryesorë për objektivin madhor, por me moral më të lartë, dhe me trajnerin e ri që do të kërkojë të debutojë me fitore. Në të njëjtën ditë dy ekipet që kanë nga 6 pikë, Turqia e Franca, përplasen mes tyre, ndërkohë që kampionët e botës në fuqi, si favoritë, mund të sigurojnë më herët kualifikimin. Kësisoj besohet se Franca nuk do të kenë motivimin e duhur me Shqipërinë në dy ndeshjet e vjeshtës.  Para se të bëjë llogaritë me Andorrën e me Islandën në Tiranë, më 11 qershor, Shqipëria pret Moldavinë, me gjasa në stadiumin e ri “Arena Kombëtare” dhe në të njëjtën ditë Islanda pret Turqinë.  Nga përlasjet direkte të rivalëve të saj për vendin e dytë, në analizën më të  fundit brenda kampit kuqezi, ndeshjet e qershori shihet vendimtare, sepse shmangia e humbjes në Islandë dhe fitorja me Moldavinë afron automatikisht pranë objektivit madhor kuqezinjtë. Gjithë “çelësi” i suksesit do të varet më tepër nga trajneri i ri që do të ulet në stol.