“Kthesa” e papritur e eksporteve: Nga rritja deri në dy shifra, po nisin uljen

“Kthesa” e papritur e eksporteve: Nga rritja deri në dy shifra, po nisin uljen
Një kthesë të papritur mund ta cilësojmë atë që kanë marrë sivjet shifrat e eksporteve shqiptare, krahasuar me një vit më parë. Nga rritja deri në dy shifra që shënonte ky tregues dikur, për herë të parë po ndeshemi me shifra negative të tij. Duke konfirmuar kështu dukurinë e një pranie të më pak mallrave “Made in Albania” që po shiten në tregjet e huaja. Pohuar kjo përmes shifrash konkrete nga ekspertët e Institutit të Statistikave, sipas të cilëve më muajin shkurt të këtij viti eksportet e mallrave pësuan një ulje prej -5.4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por nga se është shkaktuar një dukuri e tillë? Po të shohim grupet tek të cilat është shënuar kryesisht rënia e shitjeve, mendja të shkon direkt tek efektet negative të zhvlerësimit të monedhës evropiane, përballë asaj vendase në tregun e këmbimit valutor. Kjo pasi, mallrat e llojit fason të cilat zënë edhe peshën kryesore të eksporteve me 45% të totalit, kanë qenë edhe ndër më të prekurat gjatë gjithë vitit të kaluar prej kursit aspak të favorshëm të euros përballë lekut. Duke qenë ase ato shiten në këtë monedhë në tregjet e huaja, sipërmarrjet e tyre në Shqipëri i kanë patur më të ulëta fitimet e tyre se më parë, e kësisoj, iu është dashur të mendohen mirë kohët e fundit për sasinë e mallrave që kanë hedhur për tregjet evropiane. Me këtë, mund të shpjegohet edhe rënia e eksporteve të tyre, deri në nivelin negativ prej -2.2% sivjet, në krahasim me një vit më parë.

Por nga ana tjetër, një zë mjaft i rëndësishëm që duket se ka ndikuar në rënien e beftë të eksporteve është edhe pakësimi i shitjeve të energjisë elektrike jashtë vendit dhe kjo, falë kushteve aspak favorizuese të motit, ndërsa ka vazhduar një thatësirë e tejzgjatur. Kështu, ky grup i cili zë rreth 15% të totalit të eksporteve ka shënuar gjatë këtij viti një rënie të fortë të eksporteve të tij, krahasuar me një vit më parë, deri në nivelin prej -18.5%, ose në shifra duke zbritur në 6.5 miliardë lekë.

 

-5.4%

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë u shënua në muajin shkurt të këtij viti rënia e eksporteve të mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja

-18.5%

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë u shënua në muajin shkurt të këtij viti rënia e eksporteve të energjisë elektrike dhe -2.2% e mallrave fason

 

Shesim më pak, por po blejmë më shumë mallra nga vendet e tjera

Po shesim më pak mallra në vendet e tjera, por ama edhe po blejmë më shumë prej tyre. Kjo është ana tjetër e “medaljes” së tregtisë së jashtme të Shqipërisë për këtë fillim viti. Siç konfirmojnë shifrat e Institutit të Statistikave, rezulton se importet nga ana e tyre kanë shënuar një rritje të konsideru-eshme në muajin shkurt, deri në nivelin prej 8%. Ku në këtë dukuri, duket se ndikim ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”. Dhe kjo, pasi në kushtet e një thatësire të zgjatur, vendi ynë ka qenë i detyruar të blejë energji elektrike nga jashtë. Duke krijuar në këtë mënyrë idenë se edhe në importe duket se energjia ka qenë përcaktuese, po të kemi parasysh se për shumicën e grup-mallrave të tjerë importet ngelen në rënie të lehtë krahasuar me fillimin e vitit të kaluar.

 

Shqipëria shet më shumë në Lindje edhe po shet më pak në Perëndim

Harta e shpërndarjes së mallrave shqiptare jashtë vendit tonë, duket se ka ndryshuar disi në fillim të këtij viti. Dhe kjo pasi eksportet janë pakësuar nga disa vende dhe janë shtuar në disa të tjera. Sikundër, e njëjta dukuri rezulton se ka ndodhur edhe me importet. Kështu, sipas të dhënave të INSTAT-it, në muajin shkurt të këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim vjet janë: Kosova (61.2%), Gjermania (7.2%), dhe Greqia (2.3%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-4.1%), Spanja (-22.9%),  dhe SHBA (-16.1%). Nga ana tjetër, po sipas INSTAT-it, në muajin shkurt 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me shkurtin e vitit të mëparshëm kanë qenë Turqia (21.1%), Kina (12.7 %) dhe Gjermania (8.2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-5.6%), Greqia (-1.8 %) dhe Rusia (-10.1%). “Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian zënë 67.3%, të gjithë tregtisë. Ku në shkurt 2019, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80.1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61.5% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia 34.2%, Greqia dhe Gjermania 6.7% dhe Turqia 6.1%”, pohojnë më tej ekspertët e INSTAT-it.

 

 

 

Rënia e eksporteve

ndikon në thellimin

e deficitit tregtar

 

Rënia e eksporteve të mallrave “Made in Albania” drejt tregjeve të huaja gjatë fillimit të këtij viti ka shkaktuar edhe thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar si i tillë. Kështu, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, ky tregues i rëndësishëm për ekonominë e vendit arriti gjatë muajit shkurt të këtij viti vlerën e 47 miliardë lekëve, duke u rritur me nivelin prej 9.1%, krahasuar me vitin e mëparshëm, 2018. Kjo pasi në dymujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën e 44 miliardë lekëve, duke u ulur me nivelin prej -6.3%, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa  importet e mallrave arritën vlerën e 92 miliardë lekëve, duke u rritur me nivelin prej 1.1%,krahasuar me një vit më parë.