KRYENDESHJA/ Trajneri i Kukësit, debutuesi i shansit të fundit!

KRYENDESHJA/ Trajneri i Kukësit, debutuesi i shansit të fundit!
Trajneri Ramadan Ndreu debuton të premten në Shkodër ndaj Partizanit, në një ndeshje ku ekipi i tij luan kartat e fundit për objektivin madhor, me një alternativë: fitoren  

Nga Aranit Muraçi

Pauza e kampionatit u ka ardhur në ndihmë ekipeve të Kategorisë Superiore, për të bërë përgatitjet e duhura para ndeshjeve vendimtare të këtij sezoni. Skuadra e vendit të dytë, Kukësi, pas humbjes me Skënderbeun, që çoi edhe në shkarkimin e trajnerit Armando Cungu, me stafin e ri në drejtimin e saj ka pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion për përgatitjet e duhura ndaj Partizanit, me synimin për të rihapur garën për titull.

Këtë të premten, për Kukësin, pas shkarkimit të trajnerit Armando Cungu, do të debutojë në krye të skuadrës Ramadan Ndreu, i cili ka si qëllim të rikthejë skuadrën e tij në rrugën e suksesit pas disfatës së fundit. Diferenca aktuale prej 9 pikësh jep vetëm një alternativë:fitoren. Ndryshe nga Partizani, të cilët dy lojtarë kryesorë, Hoxha e Trashi, i janë bashkuar Kombëtares, Ndreu i ka pasur të gjithë lojtarët në dispozicion.  Megjithatë, ndaj Partizanit Ndreu duhet të bëjë pa kapitenin Ylli Shameti, për shkak dëmtimi. Probleme fizike kanë hasur edhe dy mbrojtësit Simon Rrumbullaku e Ardian Cuculi, të cilët dhe me shumë mundësi dy futbollistët do të jenë rregullisht në fushën e lojës. Ndërkaq, në këtë ndeshje do të mungojë anësori i sulmit Valon Et’hemi, që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Megjithatë, Ndreu, në debutim luan kartat e fundit të Kukësit, për titullin kampion.

Partizani, për të ndalur Kukësin, me qëllim që të ruajë diferencën aktuale do të mjaftohet edhe me një barazim, rezultat që do të mjaftonte për të mos u ndalur në rrugën e nisur drejt titullit kampion. Trajneri Skënder Gega dhe të besuarit e tij nuk do të penalizohen nga faktori fushë, duke qenë se kjo ndeshje do të luhet në fushë asnjanëse, në “Loro Boriçi”. E sigurt është se të premten luhet fatet e titullit kampion,  me Partizanin, favorit për trofeun.

Kategoria Superiore

Java e 26-të/29 mars

18:00 Kukësi-Partizani

30 mars

Kamza- Flamurtari ( 0-3 në tavolinë)

14:00 Luftëtari-Skënderbeu

17:00 Teuta- Kastrioti

17:00 Tirana- Laçi