Kroacia, “toka e re e premtuar” e futbollistëve shqiptarë

Kroacia, “toka e re e premtuar” e futbollistëve shqiptarë
Vëzhgimi/Pavarësisht largimeve të Prengës dhe Memollës, në kampionatin kroat shfaqen disa kandidatë për fanellën kuqezi si Kristal Abazaj, Myrto Ozuni, Francesco Tahiraj dhe Ardian Ismajlaj 

Nga Aranit Muraçi

Kristal Abazaj, sulmuesi 22-vjeçar i Kombëtares shqiptare, pas kalimit në formë huazimi, nga Anderlekt te skuadra kroate NK Osijek, do të ketë një provë të vështirë me lojtarë shqiptarë të këtij kampionati, për të rifituar besimin e trajnerit të Kombëtares shqiptare. Në kampionatin kroat po spikasin gjithnjë e më shumë futbollistë shqiptarë, të cilët bëhen më tej edhe pjesë e Kombëtares. Fenomeni është krejt i kundërt me çfarë ndodh me lojtarët kroatë që luajnë në Shqipëri, pasi edhe ata janë të shumtë, por kjo nuk i favorizon që të bëhen  pjesë e Kombëtares kroate. Kjo tregon edhe diferencën mes futbollit të dy vendeve ballkanase,  në rang ligash, sepse krahasimi në rang kombëtaresh, me arritjen e Kroacisë në finalen e Botërorit të fundit, apo nisur nga fakti se në përbërjen e saj janë emra të mëdhenj të futbollit botëror si Modriç e Mandzukiç, është i qartë. “Albanian Free Press” përmes një vëzhgimi ka evidentuar disa lojtarë, që pretendojnë fanellën kuqezi, të cilët po spikasin apo synojnë të shkëlqejnë në Kroaci, gjatë këtij viti.

Myrto Uzuni

Myrto Uzuni edhe kur luante në Shqipëri konsiderohej një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar. Por ai vetëm pas kalimit në Kroaci, u bë pjesë e Kombëtares. Myrto Uzuni ka gjetur rrugën e rrjetës këtë fundjavë duke shënuar  për Lokomotivën e Zagrebit golin e barazimit ndaj rivalit dhe ekipit më të fortë kroat, Dinamos së Zagrebit.  Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka barazuar shifrat në 1-1, në minutën e 78-të të takimit. Uzuni numëron 7 gola në kampionatin kroat, ku madje ka dhuruar dhe pesë asiste. Talenti beratas  duket se ka siguruar një vend në Kombëtaren kuqezi, dhe pritet të jetë mes të grumbulluarve nga trajneri Panucci për ndeshjen ndaj Turqisë, në muajin mars.

Ismajlaj-Tahiraj

Mesfushori i lindur në Vlorë, Francesco Tahiraj, e nisi karrierën në Itali. Ai pasi u bë edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë,U-17 dhe U-19, karrierën si profesionist e zhvilloi në Slloveni dhe gjatë pjesës së dytë të këtij sezoni kaloi në radhët e Hajduk Split, në kampionatin kroat, ku luan edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajlaj. Ky i fundit ishte pjesë e 11-shes  më të mirë të javës, ashtu si edhe mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani. Ardian Ismajli, pas paraqitjeve pozitive, e ka blinduar vendin në formacionin e ekipit kroat, Hajduk Split, duke u kthyer në një faktor të rëndësishëm për skuadrën e tij. Ai ka luajtur të plota në 4 ndeshjet e fundit, duke shënuar edhe 1 gol. Këtë sezon mbrojtësi ka si objektiv së bashku me klubin që të sigurojnë një vend në Kupat e Europës. Edhe Amir Rrahmani ka fituar vendin e titullarit te Dinamo Zagreb.

Ambiciet

Prenga dhe Memolla, rasti i kundërt me shqiptarët e Kroacisë

Por ka edhe raste të tjera  kundërta. Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Herdi Prenga ka lënë skuadrën kroate të Inter Zapresiç, për t’iu bashkuar kampiones në fuqi të Letonisë, FC Riga-s. Prenga është grumbulluar në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares, ndërkohë që pas kësaj lëvizje nga ana e tij, nuk dihet nëse trajneri Panucci do ta ketë në të njëjtën vëmendje, si gjatë vitit të kaluar kur ishte në Kroaci. Mesfushori Hysen Memolla u ftua në Kombëtare, kur ishte pjesë e Hajduk Split, në Kroaci. Gjatë pjesë së dytë të këtij sezoni ai u bë pjesë e skuadrës së Seria B, Salernitana. Pas ndeshjeve të para në Itali, tashmë më pranë vëmendjes së Christian Panucci, Memolla shpreson që të rikthehet për Euro 2020 në kampin kuqezi.